OPINION

Korrupsioni më i rrezikshëm, ai që harrohet!

07:30 - 12.08.18 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Si qytetarë, po ndjekim me një vëmendje dhe pasion gati prej tifozi futbolli, aradhën e gjykatësve dhe prokurorëve që strukturat e vetingut po i largojnë me turp nga sistemi ynë i drejtësisë, pasi nuk justifikojnë pasuritë e deklaruara po prej tyre. Dhe na duket sikur drejtësia shoqërore më në fund po vihet në vend. Por, për fat të keq, nuk është kështu. Është mëse e vërtetë që gjyqësorin e kemi tejet të korruptuar. Kjo kuptohet nga rreth 38 për qind e gjykatësve dhe prokurorëve të kontrolluar (vetuar) deri tani, që nuk kanë mundur të justifikojnë pasurinë e tyre (flasim gjithnjë për atë që e kanë mbajtur të pafshehur majën e ajsbergut).




Mirëpo gjyqtarët dhe prokurorët kanë qenë thjesht sekserë të atyre që lëviznin shuma të mëdha të parasë publike (të të gjithë shqiptarëve) që kanalizohej e grabitur në damarë korruptivë. Pra, të politikanëve dhe drejtuesve të administratës shtetërore me të drejtë firme (ministra, drejtorë të përgjithshëm, drejtorë institucionesh qendrore, kryetarë bashkish, etj.). Kanë qenë mbrojtësit, ligjëruesit dhe mbuluesit e korrupsionit të jashtëzakonshëm në administratën shtetërore. Edhe pse janë bërë zengjinë pa meritë, përsëri kanë marrë “thërrimet” nga banketi i korrupsionit. Disa dhjetëra miliona euro në 20 vitet e fundit. Ata që kanë lëvizur korrupsionin, që e kanë kryer atë në “fushë të betejës” (në tenderat publikë), duke iu mohuar qytetarëve të këtij vendi shërbime dhe shtetit të shqiptarëve asete publike në nivele 2.8-3 miliardë euro në 20 vitet e fundit, janë politikanë dhe ish-drejtues të administratës sonë shtetërore, ose drejtues të sotëm të saj. Këta politikanë dhe drejtues e ish-drejtues të administratës publike ende nuk janë vetuar, kontrolluar. Nuk u janë parë me imtësi pasuritë e tyre, si i kanë krijuar, shtuar, sa kanë realisht tani. Sa u kanë dhënë vëllezërve, motrave, nënës, babait, gjyshërve, sojit e sorollopit. Madje, nuk duket as edhe ndonjë shenjë apo shpresë se do të kontrollohen ndonjëherë. Ende asnjë strukturë shtetërore nuk është ngritur për të hetuar pasurinë e tyre.

E megjithatë, ata janë hajdutët më të mëdhenj të Shqipërisë, realizuesit e korrupsionit më masiv, varrosësit e shanseve për një zhvillim të qetë shoqëror dhe të qëndrueshëm ekonomik tonin. Janë po këta politikanë dhe ish-drejtues e drejtues të sotëm të administratës shtetërore, që krijuan dhe po mbajnë në këmbë sot shëmbëlltyrën më të keqe të sipërmarrjes private, pse nuk ka asnjë lloj morali në mënyrën se si është krijuar. Një lloj përbindëshi me dy kokë (një në politikë dhe shtet, dhe një në sektorin privat) dhe njëqind këmbë, të quajtur biznes i lidhur kryekëput me politikën. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në raportin e saj të fundit, të publikuar dy javë më parë, ka vërejtur se afro gjysma e bizneseve në Shqipëri mbijetojnë nga lidhjet me politikën dhe pushtetin. Me fjalë të tjera, quhen të suksesshëm se paguajnë politikanë, ministra dhe kryebashkiakë për të fituar tendera publikë! Këta nuk janë sipërmarrës të suksesshëm, as edhe oligarkë që fituan mbi konkurrencën në treg. Janë vetëm dhe thjesht grabitqarë.

Sipërmarrje të tilla ndoshta dhe mund të krijojnë perandori më vete, të punësojnë me qindra e deri mijëra njerëz. Por në realitet, me ngrirjen e konkurrencës së lirë dhe përçudnimin e tregut që kanë bërë, u kanë mohuar 430 mijë familjeve të thjeshta shqiptare, që jetojnë me djersën e ballit, mijëra shanse për punësim, një nivel jete më dinjitoz, si dhe mbi 2 miliardë euro pasuri publike apo shërbime shtetërore të munguara, ose të dhëna keq. Ky është bilanci i trishtë i përbindëshit të quajtur biznes i lidhur si jetë a vdekje me politikën, ku nuk investohet për të formuar kuadro drejtues të zotë dhe të ditur, por qokaxhinj të politikanit apo ministrit të radhës. Ky realitet vijon i shtuar si metastaza kanceri edhe në ditët e sotme, i denoncuar më së fundmi nga Departamenti Amerikan i Shtetit, me gjuhën më të qartë e të ashpër, kur shprehet se korrupsioni po buron përmes ligjeve të dyshimta dhe favorizimeve të bizneseve pranë qeverisë. Ky është korrupsioni më i rrezikshëm, ai që na largon orë e çast nga modeli i një ekonomie dhe shoqërie konkurruese dhe me tipare evropiano-perëndimore. Dhe ky korrupsion i tenderave të trukuar apo të realizuar me një ofertues, i koncesioneve dhe Partneriteteve Publik-Privat nuk po shihet qartë prej nesh si qytetarë, me rrezikun e madh për t’u parë si diçka e natyrshme, për t’u anashkaluar, për t’u lënë të shtohet akoma edhe më shumë, për t’u harruar!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.