KULTURË

Dritëro Agolli: Hedhja poshtë e letërsisë si pjellë e regjimit

11:42 - 28.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Letërsia dhe në përgjithësi kultura e krijuar dhe e for muar në këtë gjysmë shekulli, tani mallkohet dhe hidhet poshtë përmes artikujve të shumë gazetave dhe përmes diskutimeve nihiliste të mjaft njerëzve që kanë marrë pamjen e intelektualëve të qëruar. Madje shkohet dhe më larg. Sipas tyre edhe gjuha e njësuar qenkësh pjellë e regjimit dhe u dashka zëvendësuar”. Në një shkrim të vitit 1995, Dritëro Agolli e cilëson këtë sjellje si një mendim të huazuar nga intelektualët e Etiopisë. “Në Etiopi në kohën e diktaturës së Halije Salasjesë, deri më 1974, përdorej gjuha ahmarike. Pas rënies së dinastisë, disa intelektualë, gazetarë e shkrimtarë abisinezë filluan të shajnë nëpër gazeta gjuhën ahmarike, pasi me këtë paska folur diktatori dhe duhej zëvendësuar me dialekt tjetër. Edhe letërsia duhej zëvendësuar, pasi ishte krijuar në kohën e dinastisë diktatoriale”,-shtonte Dritëroi




Shkrimi i tij, është risjellë në vëmendje nga e bija, Elona Agolli. Para shkrimit, ajo vë një shënim. “Duke dëgjuar sot në TV një nga të shumtat marrëzi të radhës (nuk do të kenë askurrëherë fund mesa duket thagmat e çdo epoke e sistemi në Shqipëri, m’u kujtua ‘Etiopianët shqiptarë’, përkufizim aq i goditur i Dritëroit për këtë racë intelektualësh, mendjendriturish radikalë shqiptarë, që kanë 25 vjet që përsërisin të njëjtin avaz(ndoshta fare pak të modifikuar, pasi tanimë nuk kërkojnë anatemim absolut por njëfarë vulosje, damkosje të veprave letrare të krijuara gjatë sistemit komunist me shënime të formuluara nga kritikë e ekspertë të gjithëditur të epokës së tashme demokratike. Ja çfarë thotë Dritëroi për etiopianët shqiptarë”,-thotë Elona Agolli, dhe mandej kujton shkrimin e Dritëroit e argumentet e tij për mohimin e atyre që ishin fituar në të shkuarën.

“Abisinezët shquhen për disa intelektualë mendjendritur, modernë, si shquhemi edhe ne! Këta intelektualë u përpoqën shumë, shanë sa mundën nëpër gazeta, por nuk ia dolën mbanë. Gjuha ahmarike në Etiopi nuk u zëvendësua. Etiopianët edhe sot me këtë gjuhë flasin dhe e çmojnë letërsinë e krijuar edhe më parë. Etiopianët tanë po i vazhdojnë kërkimet e lëna përgjysmë nga vëllezërit e tyre abisinezë, duke ngulur këmbë në zëvendësimin e gjuhës së njësuar dhe letërsisë së krijuar në këtë pesëdhjetëvjeçar”, shkruante Dritëroi, duke vijuar: “Por a po seleksionohet ky gjysmëshekulli letrar? Doemos ai po seleksionohet me shpejtësi. Ai ishte për t’u seleksionuar. Koha me shoshën e madhe në dorë do ta seleksiononte edhe sikur mos kishin ardhur kaq shpejt proceset demokratike. Ne që disa vjet më parë, që në kohën e monizmit kishim filluar t’i harronim shumicën e veprave skematike”-theksonte Agolli.

Sipas tij, me lindjen e demokracisë shosha shpejtoi me rrëmbim shoshitjen, pasi shkriu nga akujt mendimin. “Vetë shkrimtarët me vetëdije të lartë krijuese e dinë dhe e kuptojnë se ç’vepra u mbeten, si vëllime dhe si radhë linotipi.

Shosha e kohës vazhdon të shoshitë. Asnjë individ nuk mund ta shpejtojë ose ta ndalojë këtë shoshitje. Letërsisë, një, dy, dhjetë apo njëqind individë nuk kanë ç’t’i bëjnë, nuk e hedhin dot poshtë”- e mbyllet ai shënimin për etiopianët shqiptarë

Në të njëjtin vit, ai pyeste se çfarë presupozon lindja e një njeriu duke u përgjigjur se “natyra ndaj çdo qenieje të gjallë vë vetëm një detyrë: rigjenerimin, përtëritjen e gjeneratave. Edhe ndaj kësaj qenieje të gjallë që quhet njeri, natyra kërkon vetëm një gjë: rigjenerimin. Kur lindet një njeri prindërit çlirohen nga një detyrë e madhe e natyrës. Nuk ka rëndësi për natyrën se nga cili vend ishte femra që u bashkua me mashkullin, ishte nga Shqipëria apo nga Zanzibari, mjafton që kjo lindi. As ka rëndësi për natyrën se këtë njeri e la kjo femër në vendin që lindi, apo e mori me vete, fjala vjen, në Zanzibar. Rëndësi ka që ajo e kreu detyrën ndaj natyrës”. Shtonte se lindja e njeriut është një akt i madh konkludiv, një nukleo detyrash dhe premtimesh ndaj gjithësisë, është një nukleo i thesarit të natyrës, që vjen për të dhënë premtimin: “Unë do të ripërtërij, unë, kjo nukleo, do të shtojë një gjeneratë për t’ia pasuruar thesarin natyrës”. Sipas Dritëroit ky është kuptimi i parë i lindjes së njeriut, kuptimi biologjik i barabartë me të gjitha qeniet e gjalla.

“Ndërsa kuptimi shoqëror dhe njerëzor i kësaj lindjeje është i shumëfishtë, është një akt dhe një nukleo që i përmbledh të gjitha: kërkesën e madhe të natyrës, kërkesat e prindërve, kërkesat e fisit, kërkesat e atdheut, kërkesat e shoqërisë. Njeriu lind që të trashëgojë ato që kanë lënë paraardhësit, lind për t’u bërë zot i këtyre trashëgimive, lind për t’i pasuruar ato dhe ajo që është më e madhja, lind për të transformuar. Bërtitja e tij që sapo bie nga mitra e nënës së vet është një bërtitje që përmban shumë klithma dhe janë klithma kolosale, megjithëse nuk i kuptojmë. Kafshët e porsalindur, e porsarëna nga mitra, nuk bërtasin. Shtron se një viç i porsalindur nuk bërtet, siç bërtet njeriu i porsalindur. Me këto britma ai shpreh protestën dhe kontestimin e pandërgjegjshëm spontan dhe të pakuptueshëm.

Këto britma thonë: Unë linda. E dëgjuat që linda? Unë linda të transformoj. Mua kjo botë e krijuar deri tani nuk më kënaq, prandaj po bërtas: unë erdha të transformoj. Unë kundërshtoj. Ju

dua përmes kundërshtimit. Për të lindja e njeriut presupozonte, pra, zotërimin e vlerave të trashëgimisë dhe transformimin e tyre. Njeriu lind që të bëhet zot i gjithçkaje, duke kundërshtuar dhe duke transformuar gjithçka.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.