OPINION

Mbreti lakuriq

13:37 - 31.08.18 Ilir Kalemaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shirat e paralajmëruar të verës qëlluan një profeci e parealizuar. ‘Gusht dhe gunë’ thoshin të parët, por i nxehti afrikan ka marrë tashmë të tatëpjetën, pa fund në horizont. Ngjashëm me të përpjetën që kanë marrë refugjatët e gjorë që në përpjekje për të kapur El Doradon europiane, fakti i degdis në këtë yrt të shkretë të Ilirikut me ftesë të pakërkuar të vetë atij, që është, siç do e quanin miqtë tanë amerikanë, “jack of all trades, master of none”. I cili edhe në piskun e vapës, shëtit nëpër qendrat e “Rilindjes urbane” me yamamotot veshur, që gojët e liga i quajnë brekushe dhe me aplikacion në dorë u tregon fshatarëve të rreshkur videot e rrugëve virtuale të kuruara me gjeometri euklidiane.




Ose u bën thirrje aplikuesve të përjetshëm të zyrave të punës të denoncojnë te portali i Shqipërisë që (nuk) duam, çdolloj sjelljeje qafiri të pandreqshëm që t’ia zbusë kurrizin paq në mbledhjet kolektive pas dacibaove që kanë ardhur në vëmendjen e të drejtit.

Herë-herë, i rreptë në kërkesëllogari, por edhe i gjerë kur fjala bie, pas ndryshimeve të njoftuara muaj më parë, i rikonfirmon kolltukofagët ministra dhe bash niset për resme-n me Ronaldon, me kostum zyrtar kësaj here, jo si ato samitet e mërzitshme të BE-së dhe NATO-s ku atletet e lezetojnë dhe i japin ngjyra ndryshe duke kontrastuar me gri-në e përzishme të homologëve që tjerrin veç çështje serioze. Tabiate të “Demokracisë së vitrinës” kjo, ku bashkë me sivëllezër fasadistë të rajonit kanë ditur me iu shmang me stil detyrimeve kontraktuale të skifterëve europianë.

Akoma më kuller duket për së largu edhe kur mungon ndoca ditë dhe e zëvendëson ekraneve të përnatshme “doppelganger”-i i tij i preferuar, kryebashkiaku trendy kullabërës i Tiranës, delfini mëngëpërveshur dhe i papërtueshëm për urdhrat prore të shefit të tij të naltë. Dhe kur kthehet me zë dhe bujë deklaron shifra rekord të rritjes së turistëve (paçka se një e treta vijnë nga Kosova që ua ngriti gardhin dhe grackën e gjobës bash në Kukës) dhe ulje të krimit (ku këtu ia prish një vrasje haluçinante dhe tonelatat me hashash që vijojnë të kapen nga fqinjët italianë), duke premtuar se ai bypassi i Fierit do bëhet pasi të jenë harxhuar këto 770 milionë euro për katër rrugë me PPP (partneritet pirat-plaçkitës) që janë dhënë deri tani.

Mesatarja prej 10 milionë euro km2 nga 1 milionë që ka qenë 10 vjet më parë, pra rritje 10-fish justifikohet me ritmet e zhvillimit që ka vendi. Ritme të jashtëzakonshme këto paçka se vijojmë çudi, çudi, të jemi të fundit në Europë për të ardhurat për frymë, sidomos kur e matim me fuqinë blerëse, por ndër të parët për korrupsionin më të lartë, të fundit për investimin në kërkimin shkencor dhe inovacionin, por më të përmendurit për krimin e organizuar, të parët në Europë për numër emigrantësh dhe azilantësh që janë larguar këto 5 vjet, por kompensojmë duke pasur mijëra studentë më pak në shkollat e larta dhe dhjetëra mijëra më pak në sistemin parauniversitar, të parët në Europë që shpenzojmë pjesën më të madhe të të ardhurave mujore për ushqim, por të fundit në kontinent për pensionet duke na lënë mbas dhe Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi.

Të parët për bashkëjetesën e shkëlqyer fetare dhe mungesën e luftë-nxitjes në një rajon fuçi baruti, por ndër të fundit në rrugën plot pengesa për integrim. Të parët në ngrefosje, por të fundit në menaxhimin e plehrave. Të parët për numër sipërmarrësish individualë dhe të vet-punësuar, por të fundit për sa i përket ndihmës nga shteti, qoftë në ndihmë ekonomike, aftësim profesional apo punë-gjetje nga zyrat e mbaruara të punës. Të parët në eksport truri dhe të fundit në drejtim. Paçka se e quajnë drejtimi i duhur!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.