OPINION

Po më tej, çdo të ndodhë?

12:30 - 31.08.18 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në Europë kanë filluar veprimtaritë me rastin e 100-Vjetorit të mbarimit të Luftës së I Botërore që do të vazhdojnë deri më 11 Nëntor, ditën e këtij jubileu. Me këtë rast, duke u ndalur në pasojat tragjike vijuese, ekspertë dhe analistë me emër evidentojnë ndër shkaqet kryesore dështimin e fuqive fituese për t’i dhënë përgjigjen e duhur pyetjes madhore ” What comes after ” ose, ” Po më tej, çfarë do të ndodhë ?”




Historia e këtyre 100 vjetëve dëshmon se ndonëse jo e thjeshtë në praktikë, injorimi i kësaj pyetjeje strategjike, një përgjigje subjektiviste ” për të larë gojën ” ose sa për të kënaqur interesat politike të çastit është e mbarsur me pasoja të parashikueshme sidomos në fushën e politikës së jashtme, paqes dhe sigurisë.

Dihet se vendimmarrja strategjike është rezultante e analizës së aktorëve dhe faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm politikë, ekonomikë, socialë, të sigurisë, etj. Megjithatë, sado e drejtë të jetë kauza dhe sado e përkryer analiza përkatëse, sërish ajo përbën vetëm gjysmën e punës. Sepse, që ky vendim të çojë në realizimin e objektivave të synuar, kërkohet doemos të parashikohet paraprakisht, me variantin maksimal, por dhe atë minimal se çfarë do të ndodhë më tej; me një fjalë, punët do të shkojnë punët më mirë apo më keq, bilanci do jetë pozitiv apo negativ?

Traktati i Paqes i nënshkruar në Versajë nga fuqitë e mëdha fituese pas mbarimit të Luftës së I Botërore nuk i dha përgjigjen e duhur kësaj çështjeje madhore; ai vendosi masa dhe sanksione dragoniane, të cilat ishin praktikisht të papërballueshme nga Gjermania. Versaja futi ” në një thes ” forcat demokratike të përfaqësuara nga Republika e re e Vajmarit me grupimet antidemokratike nacionaliste dhe ekstremiste në Gjermani. Këto të fundit kontribuan ngjitjen me shpejtësi të dhunshme në pushtet të Hitlerit që çoi në Luftën e II Botërore.

E kundërta ndodhi pas mbarimit të asaj lufte; SHBA dhe aleatët fitues në Europë patën një përqasje dhe strategji tërësisht të ndryshme dhe të diferencuar Ato nxorën menjëherë para drejtësisë në Gjyqin e famshëm të Nurenbergut fajtorët dhe përgjegjësit e asaj tragjedie; njëkohësisht dhanë përkrahën dhe mbështetjen e gjithanshme për forcat dhe sistemin e ri demokratik në vendet humbëse, Gjermani, Itali dhe gjetkë, fillimisht me Planin e famshëm të ndihmave “Marshall”. Më tej, duke zëvendësuar “të drejtën e forcës” me ” forcën e të drejtës ” për garantimin e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme, me nismën e SHBA-ve u hodhën themelet e rendit të ri botëror shumëpalësh; u krijua OKB-ja me agjencitë e saj të specializuara si Banka Botërore, FMN etj.

Nga ana tjetër, për të shmangur përdorimin e atomit, qymyrit dhe çelikut si “lëndë e parë ” për luftëra dhe konflikte të përgjakshme, si humbësit dhe fituesit e luftës – Gjermania, Franca, Italia dhe tre vendet më të vogla të Beneluksit themeluan BE që më vonë u kthye në një projekt madhor politik, ekonomik dhe social. Në vitet 60, nëse regjimi sovjetik dhe ai gjermano-lindor nuk deshi t’ia dinte se çdo të ndodhte pas ndërtimit të Murit më 1961, me të cilin dhe nga pikëpamja e imazhit “në vend që t’i vinte vetullat, i nxori sytë” imazhit të socializmit, e kundërta ndodhi me SHBAtë, Gjermaninë Perëndimore dhe aleatët e tjerë të mëdhenj. Sidomos shtatë vite më vonë, pushtimi i Çekosllovakisë pas ” Pranverës së Pragës ” i bindi ata se diktaturat lindore nuk mund të rrëzoheshin më me luftë dhe me ushtri.

Ndaj, në përgjigje të pyetjes ” se çdo të ndodhë më tej “, Kancelari nobelist Willy Brandt lançoi ” Ostpolitikën ” ose “ndryshimin nëpërmjet afrimit me Lindjen” deri në shembjen e Murit të Berlinit më 9 Nëntor 1989 që shënoi ribashkimin gjerman dhe atë evropian.

Duke shkruar këto radhë m’u kujtua një takim i gjerë i ish-Kancelarit gjerman Gerhard Schroder në Berlin janar 2003, kur së bashku me homologun francez Shirak iu kundërvu hapur ndërhyrjes ushtarake amerikane kundër Irakut. Isha në sallë si i ngarkuar me punë i ambasadës sonë kur Schroderi u shpreh qartë se nuk bëhej fare fjalë për karshillëk ndaj aleatit amerikan, por vetëm se Gjermania kishte një përgjigje krejt ndryshe ndaj pyetjes që ai e tha në anglisht “what comes after “.

Koha si gjykatësi më i mirë tregoi se ndryshe nga sa mendonte ish-Presidenti Bush, ajo ndërhyrje nuk solli demokracinë në ato vende dhe as e çrrënjosi terrorizmin që, në fakt, mori vrull dhe më të madh me pasojat tashmë të njohura. Duke qëndruar në Lindjen e Mesme, 40 vjet pas largimit të detyruar të Shahut të Iranit që “ra nga shiu në breshër” me krijimin e Shtetit Islamik, administrata amerikane bëri tërheqjen e dytë nga ai vend me largimin e njëanshëm nga Marrëveshja 6-palëshe mbi Atomin të vitit 2015. Madje, rivendosi sanksione të ashpra ekonomike nga të cilat preken edhe vendet perëndimore.

Nga ana tjetër BE-ja, Rusia dhe Kina si bashkë nënshkruese janë kundër këtij veprimi, sepse siç nënvizoi në një konferencë shtypi kryediplomati gjerman Heiko Maas, ata dallojnë me SHBA pikërisht në përgjigjen ndaj pyetjes ” çdo të ndodhë më tej “. Më konkretisht, a ka garanci se prodhimi i bombës nga Irani mund të shmanget apo përshpejtohet apo e kundërta mund të ndodhë? A i ndihmon ky akt forcat reformatore apo dashur pa dashur “shpie ujë në mullirin ” e konservatorëve fanatikë me pasoja të paparashikueshme?

Vërtet që SHBA si vendi më i fuqishëm me vendosmërinë e tij do të triumfonte në çdo rast, por a mos ka rrezik që kjo të ishte “fitore si e Pirros”? Po, Marrëveshja me Iranin nuk është e përkryer, por ku ka një të tillë sot në botë! Kryesorja, a nuk ka rrugë të tjera që në konsultime të përbashkëta diplomatike dhe në kuadrin e traktateve ndërkombëtare marrëveshja ekzistuese të përmirësohej e jo të prishej e të kthehej në një tjetër ” mollë sherri ” me aleatët evropianë ? Duke u kthyer në Europë, padyshim rasti më spektakular kur në Londër nuk u mendua seriozisht se ” çdo të ndodhë më tej ” është ai i Referendumit për daljen e Britanisë së Madhe nga BE. Pyetja ” Po apo ” jo, ” të ikim apo të rrimë ” nuk mori fare parasysh raportin tërësor kosto/përfitime por kryesisht ndjenjat nacionaliste dhe fajësimin ndaj Europës, duke hedhur në kosh përfitimet prej saj.

Aq e vërtet është kjo sa në përfundim të referendumit si qeveria dhe breksitasit nuk e prisnin të humbitnin apo fitonin dhe të dyja palët u kapën gafil. Madje liderët e Brexit dhanë dorëheqjen, se aq ishte misioni i tyre, tani qameti le të bëhej !!! Këtë e kuptoi më në fund Kryeministrja May, e cila për ndërgjegjësimin e politikës dhe publikut për çfarë mund të ndodhë pas kësaj ka përgatitur një dokument madhor me 80 alternativa lidhur me pasojat e mundshme të “divorcit pa letra “( no deal) nga BE-ja. E njëjta situatë paraqitet dhe pas përplasjeve politike dhe ekonomike ndërmjet SHBA-ve dhe Turqisë, dy aleatë strategjikë tradicionalë. Shumë analistë dhe ekspertë me emër theksojnë se ashpërsimi i mëtejshëm i këtij konflikti nuk dihet se çfarë pasoja mund të sjellë, jo vetëm për Turqinë por sidomos aleancën dhe vlerat perëndimore. Mjafton të rikujtojmë se ajo ka ushtrinë e dytë më të madhe në numër pas SHBA-ve në NATO, ajo është korridori strategjik për në Kaukaz; Turqia nuk u zgjodh rastësisht si vendkomanda e forcave tokësore të NATO-s për Evropën apo Radari Qendror i Mbrojtjes Raketore të Europës. Por, sepse është nyja lidhëse me Rusinë dhe Lindjen e Mesme; pa harruar se Turqia ka tre vjet që falë Marrëveshjes me BE-në ka në dorë çelësat e krizës së refugjatëve duke mbajtur mbi 2 milionë të tillë, etj.

Shkurt, Evropa dhe Perëndimi nuk mund të bëjë dot përpara pa Ankaranë apo kundra saj. Pa përmendur mundësinë e një aleance të saj me Kinën, Rusinë, etj. Natyrisht Turqia ka shumë probleme në fushën e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, por ato mund të trajtohen dhe zgjidhen vetëm nëpërmjet dialogut politik, kanaleve diplomatike dhe jo me sanksione, ultimatume dhe izolim. Ndaj me të drejtë BE-ja, Gjermania, Franca, etj. pa hequr dorë nga rezervat dhe kritikat e tyre, i kanë shtrirë dorën e bashkëpunimit Turqisë, jo për ” inat dhe karshillëk ” ndaj SHBA-ve, por për të shmangur variantin më të keq të mëtejshëm.

Së fundi, një ndër shembujt më të freskët kur dhe politikanët e Kosovës i shmangen ose i përgjigjen sipas ” humorit apo midesë ” së vet politike pyetjes se ” çdo të ndodhë më tej ” është debati i ndezur nga Presidenti Hashim Thaçi lidhur me korrigjimin e kufirit me Serbinë. Siç kanë pohuar shumica e analistëve vendas dhe të huaj, deklarime të tilla rrezikojnë të hapin “Kutinë e Pandorës ” që vështirë të ketë forcë/fuqi që ta mbyllë sërish. Sepse praktikisht ai propozim të kthen 20 apo më shumë vite më pas në histori, por vetëm se tani kushtet, rrethanat, aktorët dhe faktorët politikë dhe pesha e tyre specifike kanë ndryshuar si nata me ditën, kur komuniteti ndërkombëtar, vetë SHBA dhe BE po ndeshen me çështje shumë më të mprehta.

Por para se të vijmë te ” Kutia e Pandorës ” ballkanike, a mund të kërkojë diplomacia jonë dhe ajo e Kosovës njohje të reja përpara pikëpyetjes së madhe se çdo të ndodhë më tej me Kosovën? Po disa vende të tjera që e kanë njohur Kosovën, dhe të ndodhura nën trysninë serbe deri sa të zgjidhet problemi mund ta rishohin pozicionin dhe të tërheqin njohjen e mëparshme?

Të mos harrojmë se 20 vjet më parë, pasi analizuan dhe parashikuan drejt se ç’mund të ndodhte më tej në Ballkan dhe që të mos përsëriteshin më tragjeditë e mëparshme të përgjakshme, SHBA dhe BE zbatuan Strategji tërësore deri te Procesi i sotëm i Berlinit; mirëpo, ato nuk kanë fare të bëjnë me ndryshim/korrigjim kufijsh, ca më pak etnikë, por me paqen dhe integrimin e plotë Euro-Atlantik. Krahas arritjeve, rastet kur mendohet cektazi ose dhe injorohet përgjigja e duhur ndaj pyetjes ” çdo të ndodhë më tej ” vazhdojnë të shfaqen edhe në politikën tonë të jashtme, por kjo meriton një shkrim tjetër.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.