OPINION

E dashur Klodiana, atentatorët nuk kanë hequr dorë

13:50 - 02.09.18 Edmond Tupja
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

E dashur Klodiana, së pari, lejomë t’ju drejtohem kështu, thjesht fare, drejtpërdrejt, duke u përpjekur të arsyetoj edhe racionalisht, pra, me logjikë të ftohtë, edhe – përse jo? – emocionalisht, pra, me zemër, sepse, siç pohonte filozofi Paskal në Francën e shekullit XVII, “Zemra ka arsyet e veta që arsyeja nuk i njeh”.




I neveritshëm e njëherazi i përbindshëm ai atentat që ata, të paemërtit e të pranishmit e nëndheshëm nën urdhrat e një kupole të kudondodhur në Shqipërinë tonë të çoroditur, tashmë të transformuar në një demokrature të frikshme, – kryen para tri ditësh kundër një pjese të së ardhmes shqiptare, pra, kundër fëmijëve tuaj, si edhe kundër prindërve tuaj pjesë e së tashmes shqiptare, që ju kanë edukuar, ndër të tjera, me frymën e ndershmërisë, e drejtësisë, e guximit dhe të dashurisë për profesionin.

Mirëpo, njëkohësisht, bëhej e bëhet fjalë për një atentat kundër gazetarëve në përgjithësi e kundër gazetarëve investigues në veçanti, që dinë të shmangin kurthet e ëmbla të gënjeshtrave për të zhbiruar të vërtetat e hidhura të dramës ngjethëse që po përjeton këto vitet e fundit Shqipëria jonë e mjerë. Nga ana tjetër, ky është një atentat kundër gruas shqiptare, që vazhdon të jetë në shënjestër të një dhune të paparë e të pafalshme, vetëm e vetëm se ajo – qoftë gazetare, qoftë gjykatëse, qoftë punëtore apo fermere – kërkon të jetë e barabartë me burrat e të marrë pjesë gjallërisht, duke thënë fjalën e saj në të gjitha fushat e jetës.

Sigurisht, është e qartë se atentati kundër të afërmve tuaj më të shtrenjtë shpalos paturpësisht tiparet e një atentati të tipit tejet mafioz ngaqë ishte i pabesë: i pabesë, sepse u krye ndaj të gdhirë, i pabesë sepse futi në rrezen e tij vdekjeprurëse fëmijë të pambrojtur (si vajzat e tuaja të mitura) dhe njerëz të moshuar (si prindërit tuaj të tronditur) po aq të pambrojtur, dy kategori këto që kanë veçanërisht nevojë për siguri, dhembshuri e përkujdesje të pareshtur.

Gjithashtu, e dashur Klodiana, kini parasysh një gjë: mos pandehni se atentatorët kanë hequr ose do të heqin dorë nga qëllimet e tyre vrastare: Pa dashur të luaj rolin e Kasandrës së Homerit, dua t’ju them se, me shumë gjasë, ju do të bëheni sërish objekt sulmesh përherë e më të frikshme! Qëndroni, pra, vigjilente, ndërkohë që – dhe për këtë jam i bindur – do të vazhdoni deri në fund e pa u tutur punën tuaj si gazetare investiguese, sepse e tillë jeni gatuar: me brumin e ndershmërisë dhe të kurajës së patundur. Të panumërt janë ato dhe ata që ju admirojnë për punën tuaj në shërbim të së vërtetës, por mjaft gazetarë e publicistë ju vlerësojnë edhe profesionalisht për mënyrën se si niseni nga fakti, se si i zgjidhni e i renditni argumentet për ta çuar bindshëm lexuesin ose teleshikuesin drejt përfundimesh të mençura, por të paraqitura me një modesti të sinqertë ku natyrshëm gjejnë vend edhe hamendësimet e nevojshme, të cilat jo rrallëherë janë aq të domosdoshme për t’u futur në labirintin e errët të krimit e për të rindërtuar puzzle-in e nxjerrjes në dritë të autorëve të tij.

Së fundi, lejomëni t’ju kujtoj batutën e famshme të filozofit Volter, i cili në Francën e më shumë se dy shekujve më parë, thoshte: “O Zot, mbromëni nga miqtë, se nga armiqtë mbrohem vetë!”. Përse po jua kujtoj? Thjesht sepse jetojmë në një kohë kur është rritur numri i atyre që pasi vrasin dikë natën, shkojnë dhe e qajnë ditën! Kriminelët e tipit narkoligarkomafioz janë aktorë të përkryer sidomos kur, njëkohësisht, kanë kapur disa hallka të rëndësishme të pushtetit qendror e vendor. Ruhuni, pra, prej atyre që shtiren sikur ju duan të mirën, ju jeni aq psikologe sa ta zbërtheni, qoftë edhe nëpërmjet vështrimit, se ç’bluan dikush që ju premton në mënyrë bombastike ose patetike mbrojtje e siguri juve, familjes dhe prindërve tuaj.

E dashur Klodiana,

Nuk do t’ju marr më nga koha juaj që është shumë më e çmuar se e imja. Besomëni, ju lutem, në solidaritetin tim intelektual dhe mos e reshtni kurrë e kurrsesi luftën tuaj, luftën e të gjithë gazetarëve, luftën tonë të përbashkët për ngadhënjimin e së vërtetës.


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Shume patetizem. Ka ndodhur nje akt, qe pavaresisht se kur ka ndodhur, para ketij, e ketyre diteve, apo qe do te ndodhe ne te ardhmen, nuk ka njeri me mend ne koke qe te solidarizohet me te. Por nuk eshte ky problemi. A nuk po duket se po fryhet si shume? Sepse pervec aktit, qe mesa thuhet deri tani nuk i eshte bere direkt gazetares ne fjale, por shtepise se vellait te saj jurist ne burgun e F.Krujes, sikur ky, i ndodhur aty ate nate, te mos kishte ekzistuar kurre!? Tupja nuk e ze fare ne goje kete, sepse duhen permendur femijte dhe pleqte jo se nuk kane rendesi, por per ta bere sa me emocionuese esene e tij. Tupja i drejtohet gazetares sikur ajo te kishte kryer vete ndonje ‘heroizem’ gazetaresk (ndonje denoncim me fakte te aferave te pista, si gazetare investigative qe thone se eshte, qe kane qene jo te pakta ne kete vend prej 28 vjetesh, nderkohe qe gazetarja Lala, ka 20 vjet qe punon ne ate fushe. Tupja jo e jo, por as gazetarja, pervec kronikave qe jep nga ‘burimet’ e saj dhe nga persona qe vetem asaj ia besojne (kupto ketu prokurorine dhe Shik-un) nuk dime te nxjerre ne publik ndonje qe te kete bere buje,qe do te thote te kete shkelur ne kallo mafioze, pushtetare, kriminele etj, pervec ndonje scoopi-i me vlage maksimumi deri ne kronikat e mbremjes dhe pastaj qe shuhen si flake kashte. Po ç’them edhe une! Po ku kemi patur apo kemi ne gazetare dhe media serioze qe te kene vene mbi cdo gje interesin publik? Ata gazetare apo media qe e kane bere ne ndonje rast e kane pesuar, jane rrahur u jane djegur shtypshkronjat, u kane vene gjoba te majme dhe ose jane kercenuar. ndaj dhe ky gjoja pushtet i katert po shkon poshte e me poshte dhe sa vjen dhe po shuhet. Si besueshmeri. Ne kete stan kullot dhe heroina jone. Tani shteti le te beje detyren dhe ata qe kryen apo ata qe i shtyjne ta kryejne ate akt, te shkojne para drejtesise. Deri sa nuk ka ndodhu,r atehere Tupe, i jep kurajo Lales si nje burreneshe qe te mos tutet, por te vazhdoje punen qe eshte ku e ku me e madhe se e vete atij, profesorit.

    Përgjigju ↓
  2. Akti barbar qe ndodhi ne banesen e prinderve te gazetares Lala, eshte i shemtuar dhe i denueshem nga i gjithe opinioni publk. Por, kur merr ngjyra partiake, atehere e cvlerteson edhe perkrahjen qe mund ti japesh. Pse e them kete? E pare, nuk ka dale nga hetimet kush e ka kryer dhe qellimi i ketije akti dhe e dyta, pse u krye ne shtepine e prinderve dhe jo ne shtepine e saje? Apo se zonja eshte gezetare dhe ti japim me shume pompozitet ngjarjes. Prandaj z. Tupja, te jesh me realist, dhe ti denosh keto akte ne cdo kohe, sepse gjate ketyre 28 vjeteve, kane ndodh ngjarje shume te renda, bile tragjedira ,qe ska nevje ti radhise se jane shum dhe se, ju i dini shume mire se sa une. Po ku ke qene ti z. Tupja apo gazetarja investigative qe nuk jeni ndier (me sa di une) nga disa ngjarje shume me te renda?Me gjithate, respekte per artikullin qe denon aktin sido qe ka qene apo qellimin e tije

    Përgjigju ↓