KULTURË

Budina: Do i detyrojmë të tërhiqen nga ligji me turp

12:30 - 04.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Para disa ditësh Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit fotografoi një furgon pranë godinës së Teatrit Kombëtar dhe u shpreh se po merreshin prej aty objekte të TK-së për t’i dërguar te “Turbina”, qendra e re artistike që po planifikohet të strehojë Teatrin Kombëtar, Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Teatrin Kombëtar të Operës dhe vetë skenën e pavarur. Po ditë më parë, dritat e Teatrit Kombëtar u shuan, ndërsa aktorë që kanë hyrë brenda flasin për salla e korridore të braktisura, për një skenë të trishtë ku nuk pipëtin më asgjë e për një ambient ku tanimë pluhuri i ka zënë vendin jetës (artistike). Ata mundën të shohin se si shuhen dritat e një teatri. (Përkrah tij, ende qëndron TKE-i lyer, i mbajtur në këmbë e ende në jetë). Në një anë tjetër të Tiranës, gumëzhijnë zërat e ikur-aty ku një godine me pluhur, të pajetë e të harruar iu dha shkëlqimi i një qosheje arti.
Kanë kaluar më shumë se 80 ditë proteste të përnatshme për mbrojtjen nga shembja të dy teatrove kombëtarë dhe prapë ligji që i hap rrugë shembjes së tyre për të ndërtuar një të ri me PPP është çështje dite. Dje një deklaratë e mazhorancës bëri me dije se votimi i dekretit të presidentit që e ktheu ligjin për rishqyrtim nuk do të votohet në datën 13 shtator, por 7 ditë më pas, më 20 shtator. Si fillim, mes artistëve që kërkojnë tërheqjen e ligjit dhe restaurimin e godinave, shtyrja me një javë u pa si fitore, megjithëse zor se ka elemente që e nxjerrin të tillë. Kur letrat u lexuan siç janë, u vu re se nga shtyrja me 1 javë te tërheqja është një distancë e madhe. Të pyetur nga “Gazeta Shqiptare” për këtë shtyrje dhe për hapat që do ndërmarrin, përgjigjet qenë të ndryshme.




REAGIMET
Regjisori Robert Budina i pranishëm të 80-a netët në sheshin e protestës e të lirisë, tha se kryesorja është që qëndresa jonë i dha frytet e veta të para. “Fillimisht reaguan ndërkombëtarët pastaj e ktheu presidenti, e më pas besoj se kryeministri është i trembur që peshorja po anon fort nga krahu ynë, krahu i së drejtës, pra po kupton që ai po e humb popullaritetin, pra po humb votat ndryshe nëse nuk do të ishte kështu nuk do tërhiqej, mjafton të kujtosh presionin që i bëri ish-kryeministri Majko në parlament kur ai nuk e votoi ligjin”,- tha Budina. Sipas tij, ky është një mesazh i fortë shprese për njerëzit, të cilët duhet të kuptojnë se përballë një klase të pandërgjegjshme politike duhet të dalësh vazhdimisht në protestë për të fituar të drejtat e tua. Për të nuk ka rrugë tjetër. “Por tani fillon beteja e vërtetë për ne, sepse, nëse ata nuk tërhiqen, do të thotë që do ta lënë teatrin të rrënohet, pra ende nuk ka përfunduar. Ne do t’i detyrojmë të tërhiqen madje me turp nga ky ligj”, përfundoi Budina për “GSH”.

Më i ashpër është Kastriot Çipi në reagimin e tij. “E interpretoj si zbythje nga një provokim, sepse i tillë ishte. Lajmi i ‘rrjedhur’ në media për datën 13 nuk ishte i vërtetë. E thashë pardje. Ishte provokim për të nxitur përshkallëzim nga ana jonë, mundësisht incidente në teatër, mes aktivistëve dhe punonjësve të TK (ende jo të TKE) që po zhvendosin mjete pune e orendi drejt Turbinës. Natyrisht po zhvendosin ato që duhen për realizimin e repertorit te Turbina. Kjo është normale”, tha Çipi që ka qenë mjaft aktiv në mbrojtjen e godinave që nga elemente pro shembjes janë quajtur stalla. Për Çipin, nuk ka ende prova se po zbrazet Teatri Kombëtar, por zbrazje do të thotë çmontim i infrastrukturës, pajisjeve skenike, të prodhimit dhe administratës. Nga ana tjetër, aktori Neritan Liçaj thotë se e ka të qartë që ndjeshmëria për teatrin është shumë e fortë dhe (ai)e di që se fiton dot atë betejë. “Sigurisht që protesta do të vazhdojë, sepse nuk është më një protestë vetëm për teatrin, është protestë qytetare kundër kësaj qeverisjeje të papërgjegjshme tashmë”, – shtoi ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.