OPINION

Për psikologë shkollorë dhe mësues më të mirë

07:20 - 04.09.18 Pëllumb Karameta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nuk ka diskutim se mjaft ndryshime, të kryera në rrjedhën e viteve në shkolla, po i përmirësojnë gjërat. Ndërtesa shkollore më të këndshme, të pajisura më mirë, mjedise më miqësore për nxënie dhe edukim, dëshirë e justifikuar për të vijuar studimet e larta etj. Sidoqoftë, pavarësisht punës dhe qëllimeve të mira, mbeten shumë për të bërë, veçmas, puna në fakultetet e mësuesisë për të ndihmuar studentët të bëhen psikologë shkollorë dhe mësues më të mirë.




Në një nivel të lartë abstragimi, është lidhja mes zhvillimit psikik të njeriut dhe procesit të nxënies, ajo që na nxit të studiojmë formimin universitar të psikologut shkollorë dhe mësuesit. Besojmë se cilësia e këtij formimit ndikon më pas, bashkëpunimin e tyre profesional në mjediset arsimore në dobi të edukimit të fëmijëve dhe të rinjve.

Psikologu shkollor, i mbështetur nga pedagogët për të ndërtuar njohuritë dhe kompetencat profesionale, ndihmon fëmijët dhe të rinjtë të kenë sukses në shkollë e shoqëri, në zgjidhjen e problemeve emocionale dhe të sjelljes. Ai bashkëpunon me mësuesit, prindërit dhe profesionistët e tjerë për të lehtësuar procesin e nxënies dhe për të forcuar lidhjet shtëpi-shkollë-komunitet për të gjithë nxënësit. Ai, gjithashtu, përmes bisedave e trajnimeve, ndihmon mësuesit për të kuptuar thellë karakteristikat e zhvillimit moshor të nxënësve dhe problemet tipike që hasin ata gjatë nxënies. “Psikologët e shkollave trajnohen në psikologji dhe në edukim, për të ndihmuar fëmijët të jenë të suksesshëm në aspektin akademik, social dhe emocional” thekson Shoqata Kombëtare e Psikologëve Shkollor (NASP), e cila përfaqëson më shumë se 25.000 psikologë shkollorë, studentë të diplomuar dhe profesionistë, në ShBA dhe 25 vende të tjera.

Në anën tjetër, mësuesi, për të qenë i suksesshëm, krahas njohurive dhe kompetencave profesionale në disiplinën përkatëse, duhet ndihmuar që në fakultet të arrijë kuptimin e faktorëve psikologjikë që promovojnë mirëqenien mendore e fizike të nxënësve dhe lehtësojnë nxënien, si proces dhe produkt. Studimet provojnë se sistemet arsimore bashkëkohore janë mjaft komplekse; se nuk ka një qasje për nxënien që funksionon njëlloj për të gjitha subjektet; se nxënia është përpjekje vetjake e përjetshme, rezultat i ndërveprimit të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm; se njerëzit nxënë jo vetëm në shkollë; ata nxënë në punë, në situatat shoqërore; madje, nxënë edhe kur bëjnë punë të thjeshta si ato të shtëpisë.

Janë këto arsyet që na shtynë të studionim disa elemente të formimit universitar pedagogjik të psikologëve dhe formimin psikologjik të mësuesve; njëherazi, bashkëpunimin profesional mes tyre. Analizuam planet mësimore të fakulteteve në Universitetin e Tiranës (UT) dhe Universitetin “A. Xhuvani” që përgatitin psikologë shkollorë dhe mësues. Të ndihmuar nga DAR Tiranë, mblodhëm të dhëna nga 35 psikologe të shkollave të qytetit të Tiranës (“psikologe”, pasi të gjitha janë femra) dhe 54 mësues të shkollave “De Rada”, “Pjetër Budi”, “Kongresi i Lushnjës” dhe “Fan Noli”.

Nga analiza e dokumentacionit kurrikular, rezultoi se në Fakultetin e Shkencave Sociale të UT, për formimin pedagogjik të psikologut ofrohet 10% e totalit të krediteve, vetëm në ciklin e studimeve Master (“Kurrikula shkollore”, “Teoritë e të nxënit dhe modelet e mësimdhënies dhe “Vështirësitë në të nxënë”). Ndërsa, në planin mësimor në Fakultetin e Universitetit “A. Xhuvani” ofrohet vetëm 7% e krediteve (“Psikologji zhvillimi”, “Psikolinguistikë dhe metodologji e mësimit të gjuhës së huaj”). Dallime të ndjeshme kanë disiplinat që fakultetet u ofrojnë psikologëve të ardhshëm për formimin e tyre pedagogjik.

Dallime dhe kufizime konstatohen në planet mësimore të fakulteteve që përgatitin mësues. Në programin “Master shkencor në mësuesi“, Departamenti i gjuhës gjermane, UT, formimit psikologjik të mësuesit i kushtohet 9% e krediteve (“Psikologji zhvillimi” dhe “Psikolinguistikë dhe metodologji e mësimit të gjuhës së huaj”); në programin “Master Shkencor Mësues i Matematikës për Arsimin e Mesëm të Lartë”, UT, këtij aspekti i kushtohet 4.1% e krediteve (Psikologjia e zhvillimit); në programin “Master profesional në Mësuesi në AMU për Matematikë – Fizikë”, Universiteti “A. Xhuvani” ofrohen 9.5% (“Hyrje në Psikologji”, moduli: “Psikologji Edukimi”; moduli: “Psikologji Zhvillimi”). Edhe këtu, vërehen dallime ndërmjet disiplinave që fakultetet u ofrojnë studentëve për formimin e tyre psikologjik.

Me interes janë gjetjet nga vlerësimet që kanë psikologet për mësuesit dhe anasjelltas. Sa u takon psikologeve në qytetin e Tiranës, mosha mbizotëruese luhatet në kufijtë 31-40 vjeç (83%), sakaq mbizotëron diploma “Master i shkencave” (70%). Përgjithësisht, ato janë të kënaqura nga bashkëpunimi me mësuesit; ndërkaq, vetëm 48% i renditin saktë aspektet kurrikulare që burojnë nga formimi pedagogjik i psikologut; 97% deklarojnë se “formimi im akademik nuk është i plotë në aspektin arsimor”. Më tej, 96% shprehen që “kultura psikologjike e mësuesve nuk është e plotë”; sikundër, 73% e tyre shprehen se “në bibliotekën e shkollës nuk ka literaturë psikologjike që më ndihmon për zhvillimin profesional”.

Target grupi i mësuesve të anketuar mbizotërohet nga moshat mbi 41 vjeç (61%). Mbizotëron diplomimi në programin e studimeve “Master i shkencave” (60%). Vetëm 33% raportojnë renditje të saktë të elementeve të nxënies që ndikohen nga formimi psikologjik. 50% e mësuesve kërkojnë të ndihmohen më shumë nga psikologja e shkollës në shtjellimin e përmbajtjes lëndore me nxënësit; ndërsa, 62% kërkojnë të asistohen më mirë në përgatitjen e nxënësve për testime. Edhe pse psikologet raportojnë se kryejnë vëzhgime në orët e mësimit, 67% e mësuesve nuk mendojnë kështu. 76% e mësuesve mendojnë se në shkolla duhet të ketë më shumë literaturë që përmirëson kulturën psikologjike.

Nga analiza e të dhënave të siguruara, rezulton se formimi pedagogjik i psikologut dhe ai psikologjik i mësuesit nuk sigurojnë ndërtimin e njohurive dhe të kompetencave të nevojshme profesionale me të cilat mund të përmirësohet cilësia e nxënies. Kështu, psikologet deklaruan se “formimi pedagogjik nuk u mundëson të ndihmojnë sa e si duhet mësuesit dhe nxënësit për metodat, teknikat dhe instrumentet që mund të përdoren në kontekstin e nxënieve formale apo informale”. Mësuesit, nga ana e tyre, konstatojnë se “në fakultete nuk janë trajnuar si duhet për të njohur teoritë kryesore psikologjike dhe teknikat efektive që ndihmojnë kuptimin dhe adresimin e sfidave që ndesh subjekti gjatë nxënies”.

Përfundimet nga studimi ripohojnë nevojën e përballjes nga universitetet të sfidave për formimi e psikologut shkollor dhe të mësuesit. Pjesë e tyre janë përmirësimet në kurrikulat universitare për të ofruar më shumë kohë dhe trajnim cilësor në dobi të identifikimit dhe studimit të metodave efikase të nxënies, për të kuptuar më mirë se si fëmijët dhe të rinjtë ndërtojnë, ruajnë dhe përdorin kuptimet dhe kompetencat që ndërtojnë. Në këtë kontekst, psikologët shkollorë, si njohës të teorive psikologjike të zhvillimit njerëzor, duhen ndihmuar të kuptojnë karakteristikat e nxënieve individuale dhe të informojnë mësuesit për ndërtimin efikas të procesit të nxënies. Dy grupet e profesionistëve, përmes bashkëpunimit, mund dhe duhet të thellojnë njohjet se si realizohet nxënia nga subjektet në mjedise të ndryshme, përmes qasjeve dhe strategjive që e bëjnë atë më efektive. Në këtë kuptim, si formimi universitar, ashtu dhe bashkëpunimi profesional në mjediset e shkollës, bëhen pjesë e rëndësishme e ndryshimit që synojmë.

Tiranë, më 02.09.2018


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.