OPINION

“Vetëvrasësi”/ Shfaqja që ndaloi Stalini, tallje e strukturave sociale

08:17 - 05.09.18 Josif Papagjoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Autori Nikollaj Erdman u internua në Siberi, pjesa shfaqet në KOKO-fest në Korçë




Në sy të parë duket sikur tallesh me njeriun e rëndomtë, të dështuar, mjeran, por tutje këtij veli tallja është më e thellë, e pamëshirshme, duke luajtur me sfidën dhe rrezikun: tallja e një shoqërie që qysh në kryeherë e kishte mbushur trupin e vet me sloganet e rrejshme ideologjike, me retorikën dhe besimet e verbra në ndoca iluzione që shiteshin si doktrina të reja, si mite politike dhe fe e atrofizuar. Dhe vdekja kthehet në spektakël, në një show ku përfshihen të gjithë e të gjithë duan të nxjerrin përfitime prej saj. I ndëshkuari me vdekje a i vetëndëshkuari, një njeri i papunë, thuajse mjeran, i pafat, me emrin Simon, duhet të kaloj një kalvar që, në fakt, shndërrohet në karuzel ironie dhe përtalljeje, sa për atë vetë dhe pamundësinë e të qenit “i zoti”, aq dhe sidomos për qerthullin social që kërkojnë vdekjen e tij të pritshme, që e përlëvdojnë atë për “ide, interesa dhe qëllime të mëdha”, ndofta si një heroikë shterpe e sajuar nga ideologjitë shterpe, ku njeriu dhe jeta e tij shpërfillen, zgërlaqen. Dhe kështu, nën trysninë e ekzistencës së rrezikuar, të falimentit ekonomik, të papunësisë, të familjes, trysnisë së vjehrrës, grindjes së përnatshme me gruan, të komplekseve të inferioritetit, të pamundësisë së një perspektive e mungesës së dritës, i vetmi shpëtim është të dehet, të bëhet tapë, të harrojë. Atëbotë seriozja krejt bëhet qesharake, “qëllimet e mëdha” kinse fisnike me nevojën e “vetmohimit”, kthehen në një absurd tragjik, në një absurd ku të gjithë mbeten të tallur, ose të vetëtallur. Ky kontrapunkt i bukur krijon situatën komike. Simoni i strapacuar nga jeta dhe pamundësia dy herë shkon drejt vetëvrasjes – të imponuar apo të kërkuar nga ai vetë – dhe të dyja herët vetëvrasja shndërrohet në tallje për të tjerët: në rastin e parë përmes ëndrrës së tij, në rastin e dytë përmes dehjes dhe shpotisë kundër vetes e të  gjithëve, në kërkim të një cope sallami më shumë. Por në rikonfirmim edhe të dashurisë ndaj gruas, të vetmes dhe të patjetërsueshmes, limanit ku ai mund të prehet e të gjejë paqen e munguar. Dhe kur plumbi i vetëvrasjes pritet të dalë prej revolverit, shfaqja mbyllet me një paradoks. Dëgjohet një krismë vetëvrasjeje, por jo e tij, është prej dikujt tjetri, e një gazetari të ri, mbase edhe më i parealizuar dhe më i stresuar se vetë Simoni. Vdekja, pra, ndodhi. Dhe në buzë ikën shakaja dhe mbërrin dhimbja…

Dola nga shfaqja “Vetëvrasësi” – një bashkëpunim i Teatrit “A. Z. Çajupi” të Korçës me Teatrin Kombëtar – dhe mendja më bridhte për të gjetur një pikë të fortë shpjeguese: pse nuk vritet ky njeri nga autori, por në vend të tij vritet një tjetër? Deri ku mbërrin loja, shakaja, spektakli mbi vdekjen si të tillë? Çfarë ulërin përtej shakasë, groteskut, kurdisjes së një situate komike thuajse në zgrip të farsës?! U konsultova me regjisorin Sulejman Rushiti dhe mëpastaj me “Google”. Autori Nikollaj Erdman, dramaturg dhe skenarist sovjetik, mik i regjisorit modernist të biomekanikës, të mirënjohurit Vsevollod Mayerholdit, e pat shkruar këtë komedi satirë, e konsideruar si kryevepra e tij, në vitin 1928. Shfaqja ishte ndaluar nga vetë Stalini dhe autori u internua në Siberi. Tallja që kishte realizuar Erdmani ndaj strukturave sociale e mentale të perandorisë sovjetike nën Stalinin kalonte përmes një stili brilant dhe satire të hollë që lëvizte, sipas kritikës, nga paradigmat e satirës së Gogolit drejt stilit të teatrit të absurdit, ku bëhen bashkë seriozja dhe qesharakja, dramatikja dhe burleskja, sublimja dhe e shëmtuara, e frikshmja dhe e këndshmja, ndryshe thënë “tmerri i bukur dhe bukuria e tmerrshme”. Pse? Sepse ka një vdekje që vallëzon gjithherë në veprimin dramatik, por ajo përherë deligjitomohet, kthehet nga dramë, frikë dhe tmerr në shaka, lojë, grotesk (gallatë, hajgare).

Ja, ky ishte çelësi stilistik i veprës, që regjisori Sulejman Rushiti dhe gjithë ekipi i aktorëve u rrekën ta bëjnë pjesë të njëmendësimit të tyre skenik. Një qasje dhe stil tejet i vështirë, që të plas në dorë si një flluskë sapuni po nuk u trajtua me mprehtësi dhe delikatesë. Besoj se në të tërën e vet shfaqja e mbërriti atë. Por unë mbeta i dyshimtë se vallë a luhej me një seriozitet gati solemn e të pakundërshtueshëm vdekja e pritshme? Ky ishte kodi i veprës, çelësi i saj. Unë mendoj se kjo gjë herë bëhej mirë e herë ikte për duarsh. Loja e Neritan Liçajt si Simon ishte më pranë të vërtetës së këtij stili, ai e luante me një seriozitet të plotë situatën paradoksale ku ishte vendosur. Edhe Elia Zaharia në rolin e Mashës m’u duk pikërisht e tilla dhe së toku me Neritanin më ngjan se realizuan pjesën më të vështirë, por ama atë më thelboren e veprës dhe stilit të saj. Afrohet më pas edhe Zamira Kita si vjehrra, Serafima. Të tjerët, në vrapin dhe gjallërinë e veprimit, sekush në kërkim të një tipi e situate të veshur me burleskë e groteskë, shkonin e vinin rreth ngjarjes dhe situatave, por do të mendoja se do të lipsej, herë pas here, që të gjithë ata, aktorët-personazhe, të ishin shumë më “seriozë” dhe të “vërtetë” në ato çka bartnin, çka bënin dhe çka deklaronin. Vetëm kësaj udhe ironia dhe satira e tmerrshme do ta kthente paradoksalen e situatës, me vdekjen e përtallur, në një domethënie me nënkuptim tejet kritik për kohën, për iluzionet shterpe, diktaturat, për përpunimin dhe indoktrinimin ideologjik të njerëzve, më tutje për heroizmin fiktiv, religjionin e keqkuptuar, si dhe gjithë mjerimin që shtrihej këmbëve të njerëzve, gjer dhe për erotizmin si pjesë e “fundërrinave” të qytetit, për fitimet nga inskenimet e ngjarjeve kësilloj, për spektakularitetin bërtitës kur njeriu, varfëria dhe vdekja shndërroheshin në një “koncert”…

Duke e mbajtur në tone të forta, me një energji të dallueshme interpretimi, sikundër pa e shkalafitur lojën në elemente farseske,  nga ana tjetër mendoj se regjia në trajtimin e aktrimit, pra te spikamat ndaj domethënieve të ardhura prej tekstit dhe personazheve, mund të luante më mirë; ndofta me një temporitëm më fleksibël, ku të përvijoheshin herë pas here përthyerje, ulje-ngritje, një diagram e begatë përplot variacione intonative, diku me tone më të qeta, më intime, pa e mbajtur pra krejt shfaqjen në tone të larta zanore dhe me një energji, që ngjan se përkujdeset fort për ritmin e të folurit, por që krijonte sakaq edhe paralelizma, një vijë të drejtë, gjer dhe monotoni.

Aktrimi ishte, sikurse thashë, dinamik, plot gjallëri. Pos kësaj, aktorët sekush në rolin e vet krijuan individualitete, dhe do të kujtoja më tutje Albano Prodanin në rolin e një “horri” të kamufluar, Olta Gixhari me përpunimin plastik, Klodiana Keço që u dallua për fuqi dhe vërtetësi, Ilda Pepi sidomos për kërcimin energjik e plot hir mbi tavolinë, Ligoraq Riza për priftin e shastisur ca nga mosha, ca nga paratë e premtuara e ca nga zbehja e misionit të kishës, A. Tole ideologun kallp të komunizmit që edhe nga maska ngjasonte me Marksin, Mateus Froku për poetin patetik e gjer te gazetari që i jep fund vetes me një krismë, si Majakovski dikur, poeti i revolucionit por që u sfilit për dashurinë e parealizuar, dhe ia futi me një plumb kokës duke lënë si shpjegim një letër mallëngjyese. Dekori e kishte zgjidhur hapësirën skenike në formën e një metafore: një tavolinë e stërzgjatë që të kujtonte “Darkën e fundit” të Krishtit, por e kthyer përmbys dhe e pushtuar jo nga apostujt, por sahanlëpirësit dhe mediokrit. Veçse unë do të dëshiroja më shumë dritë, hapësirë, lirshmëri, ku mizanskena të lëvizte me vrull poshtë e lartë e majtas-djathtas, pa u ngulur aq fort rreth a mbi atë tavolinë. Sepse komeditë kanë nevojë për ajër, dritë, gazmend, lëvizje. Shpesh mizanskenat janë kyçe e çelësa asilloj, ku krijohen edhe zgjidhjet e bukura regjisoriale, imazhet, ku krijohet ritmi, bukuria estetike, zhdërvjelltësia plastike.

Por si fjalë të fundit të këtij shënimi dua të them se shfaqja “Vetvrasësi”, përpos domethënieve të thukëta kundër çdo lloj thundre ndaj njeriut, përpos shpotisë dhe gjembit nën këmbë ndaj shoqërisë së viteve të komunizmit në Bashkimin Sovjetik, utopive të rrejshme, kotnisë, na solli edhe një qasje që troket në kohën dhe njeriun e sotëm shqiptar me varfërinë, atë njeriun e shpërfillur dhe të çpersonalizuar që e shohim kronikave televizive, dhe përmbi të gjithë gënjeshtrat, qaravitjet. Është një paralele që gjithkush mund ta heqë mbi shoqëritë e vetëmashtruara, të tredhura, lakmitare, që rrokopujen mes vrapit të çmendur të amoralitetit dhe talljes me njeriun e thjeshtë. Por s’i dihet: Njeriu i tallur dhe i thjeshtë mund të tallet bukur mirët me gjithë shoqërinë dhe idiotësitë e saj, duke ia bërë paq!…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.