OPINION

Gjithçka për konsumin

07:30 - 06.09.18 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

3.3 miliardë lekë të reja ose mbi 26.5 milionë euro shpërblim fundviti për të 670 mijë pensionistët tanë është lajm i mirë. Krahas gëzimit afatshkurtër të shtresës më të prekur nga reformat dhe tranzicioni tek ne, kjo sasi parash shtesë, edhe pse kaq e vogël, i bën mirë konsumit. Dhe konsumi është gjithçka në një ekonomi që do të rritet. Kërkesa e rritur jep sinjale zemërdhënëse për të gjithë prodhuesit e mallrave dhe shërbimeve tek ne. Ministri i Financave dhe Ekonomisë thotë se është rritur paga mesatare në shtet për vitin e kaluar me 8 përqind dhe ka rritje edhe për këtë vit. Pagat e mjekëve, infermierëve dhe arsimtarëve duhej të ishin shtuar me 5 përqind nga 1 korriku i këtij viti.




Do të jetë lajm i mirë, po të ketë ndodhur kjo rritje. Megjithatë, të gjitha këto janë pak, fare pak. Qeveria duhet të përqendrojë të gjitha bateritë e saj tek paketa fiskale e vitit që po afron, 2019-ës. Erdhi tetori, muaji që përgatitet draft-Buxheti i Shtetit për vitin e ardhshëm. Për katër vjet rresht, tetor 2014, 2015, 2016 dhe 2017, nuk guxoi të zhbënte një veprim tejet të gabuar të ndërmarrë më 1 janar 2014, vendosjen e taksës progresive dhe rritjen e tatimit mbi fitimin me 50 përqind. Taksa progresive mbi të ardhurat personale goditi drejt për së drejti shtresën e mesme tek ne. Shumë mund të mendojnë se konsumi në një vend diktohet nga harxhimet marramendëse të milionerëve dhe miliarderëve të tij. Tek ne, ata që zotërojnë qindra mijëra euro apo disa miliona euro.

Kjo nuk është e vërtetë. Konsumi bazohet mbi kërkesën e shtresës së mesme. Kjo shtresë ka mbi katër vjet që qëndron kështu, e goditur. Dhe konsumi në Shqipëri e ka ndjerë fort. Në rast se qeveria arrin të jetë aq kurajoze sa të flakë tej dogmën dhe dokrrën populiste se sistemi tatimor progresiv solli një trajtim të drejtë të atyre me të ardhura më të pakta, dhe t’i kthehet ndihmës reale ndaj konsumit, atëherë do ta ndihmojë ekonominë e këtij vendi.

Nuk  ka asnjë drejtësi apo padrejtësi në një sistem tatimor. Një taksë mund të jetë e tepërt, e madhe, efektive ose e pamundur për t’u vjelë, por jo e drejtë apo e padrejtë. Ky sistem fiskal kështu si është sot ka dëmtuar aftësinë konsumatore të shtresës së mesme shqiptare, që dikton konsumin në vend. Prandaj dhe qeveria ka tri veprime shumë të thjeshta, por për të cilat duhet shumë zemër, që të bëjë në paraqitjen e draft-Buxhetit të Shtetit në fund të tetorit 2018. Pa u prapsur tërësisht nga sistemi progresiv për të mos humbur pikë politike, së pari, të deklarojë rritje rrogash të buxhetorëve me 5 përqind për vitin 2019, si dhe të pensioneve të të gjitha kategorive po me 5 përqind. Kjo do t’i jepte një impuls të fuqishëm ekonomisë, besim konsumatorëve dhe sipërmarrësve, si dhe optimizëm tregut. Së dyti, të ulë tatimin mbi fitimin nga 15 në 10 përqind, sa ishte deri më 31 dhjetor 2013. Kjo do të sillte një rritje të fortë të investimeve të huaja dhe të vetë biznesit vendas, rritje e cila mund t’i sjellë një qeverie kurajoze edhe 120 milionë euro të ardhura nga taksat për vitin e ardhshëm. Së treti, të zerojë tatimin për fitimin për sektorin e prodhuesve me material porositësi(fasonistët) për një periudhë 3-5 vjet. Brenda të njëjtës kohë, sektori i ka të gjitha shanset të dyfishojë investimet dhe vendet e punës, duke punësuar edhe 60 mijë vetë më shumë për periudhën 2019-2021. Të ardhurat e munguara në Buxhet nga zerimi i taksës mbi fitimin për fasonistët do të ishin vetëm 7.5 milionë euro! Nuk do t’ia vlente një provë e tillë për të shtuar kapacitetet prodhuese dhe ato eksportuese të vendit? Por pyetja me vlerë një milion dollarë është: A do të guxojë kjo qeveri? Gjithçka varet nga vizioni dhe kuraja e atij që ka timonin dhe e atyre që e këshillojnë për ekonominë. Një gjë është e vërtetë absolute: nëse ndihmohet me çdo mënyrë konsumi i shqiptarëve sot, ndihmohet edhe ekonomia e gjithsecilit prej nesh.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.