OPINION

‘Jo’-ja suedeze ndaj ekstremizmit

07:30 - 11.09.18 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Asnjëherë zgjedhjet parlamentare në Suedi nuk janë pritur me aq interes dhe shqetësim sa ato të datës 9 shtator. Sepse gjatë 100 viteve të fundit, në “Mëmëdheun e social-demokracisë”, kjo e fundit ka qeverisur vendin në koalicion dhe në alternim me qendrën e djathtë. Për më tepër, Suedia shquhet për standardet e larta demokratike, mirëqenien ekonomike dhe sociale, progresin, hapjen dhe liberalizmin e saj. Mirëpo sidomos gjatë këtij viti, ashtu si në Evropë/Gadishullin Skandinav, edhe në Suedi u shfaq me agresivitet Partia “Suedezët demokratë” (SD). Nga rreth 6 për qind më 2010-ën, më 2014-ën ajo u ngjit në 12,5 për qind. Në zgjedhjet e datës 9 shtator, e favorizuar nga “yryshi” populist që arriti kulmin në Austri dhe Itali, SD-ja synonte dyfishimin e rezultatit të mëparshëm zgjedhor. Deri javët e fundit, shumica dërmuese e sondazheve parashikonin kuotën drithëruese prej 25 për qind, çka do ta nxirrte SD si forcën e parë politike në Suedinë me 9 milionë banorë.




Më në fund, në mbrëmjen e datës 9 shtator, ai vend mori frymë i lehtësuar. Ndonëse me rritje të ndjeshme, më të madhe se çdo parti tjetër, ekstremistët e djathtë suedezë mbetën larg pritshmërive me 17,6 për qind të votave; kësisoj, ata renditen të tretët pas social-demokratëve me 28,4 për qind me një rënie prej 4 për qind dhe konservatorëve të djathtë me 18,6 për qind; të ndjekur nga të majtët, të gjelbërit dhe liberalët me rënie kryesisht për shkak të politikave të tyre oberale ndaj azilit.

Tani, koalicioni me katër parti i kryesuar nga kryeministri social-demokrat, Stefan Lőfven, renditet i pari me 40,6 për qind, i ndjekur “rrotë më rrotë” nga ai i qendrës së djathtë i UIf Kristersson 40,3 për qind.

Megjithatë, rezultati ambicioz i SD-së në këto zgjedhje përbën një kambanë të fuqishme alarmi për forcat progresive në Suedi, në gadishulllin skandinav dhe më tej. Themi kështu, sepse partia ekstremiste popullore në Danimarkë dhe ajo eurosketike në Finlandë po rreshtohen në krah të frontit kundër forcave tradicionale demokratike, të majta dhe të djathta.

Shqetësimi tjetër serioz që i frenoi zgjedhësit suedezë është se SD bart dhe shfaq tipare neonaziste. Ndonëse lideri i saj 39-vjeçar, Jimmie Akesson, pretendon se e ka reformuar atë, SD-ja është pasardhëse e Lëvizjes naziskine “Suedia për suedezët”, e cila u shpërnda më 1986 dhe u riorganizua si SD më 1988. Liderët e saj historikë kanë qenë oficerë të Wafffen SS gjerman, ndërsa deri në vitin 2016, tetë kandidatë ishin pjestarë të Lëvizjes Nordike Neonaziste.

SD-ja në fushatën e vet agresive u mbështetet fuqimisht  në katër aspekte, ku megjithë problemet, jo gjithçka ka shkuar keq – azili/emigracioni, siguria, shëndetësia dhe mjedisi. Gjatë vitit 2015, në kulmin e krizës ndërkombëtare të azilit, Suedia priti dhe strehoi numrin rekord prej 162.000 azilkërkues, niveli më i lartë për frymë në Evropë. Ndonëse qeveria ka argumentuar se ata janë të nevojshëm për rregullimin e bilancit të fuqisë puntore, në fakt, vetëm 500 prej tyre ose 0,3 për qind janë sistemuar realisht në punë.

Si gjithë ekstremistët dhe populistët e tjerë, edhe SD dallohet për qëndrime denigruese, raciste dhe diskriminuese, pa kurfarë analizash dhe rrugëzgjidh për aspekte të ndërlikuara. Kështu, kryetari i SD, Akesson ka deklaruar se “myslimanët janë kërcënimi më i madh pas Luftës së II Botërore”, kurse lideri tjetër i kësaj partie, Bjorn Soder thotë se “hebrejtë nuk janë suedezë”.

Akuzat tjetër e SD-së ka të bëjë me rënien e sigurisë së jetës gjatë viteve të fundit. Kështu, në vitin 2017 pati 324 përleshje me armë zjarri dhe 43 të vdekur nga të cilët në Malmo, zemra e industrisë suedeze 18 viktima. Edhe pse nuk ka shifra të qarta, SD akuzon azilkërkuesit për shtimin e kriminalitetit.

Edhe në rastin e Suedisë, siç pohon eksperti i kësaj fushe, Alain Eraly, “burimi i parë i populizmit ekstrem është nostalgjia konservatore, pra ideja se kemi qenë më mirë dhe për pasojë ndjenja e viktimizimit”. Sipas tyre, populli është viktimë e elitave politike dhe qeveritare, ky viktimizim shoqërohet me shfaqjen e ndjenjave nacionaliste, të gjoja tradhtisë ndaj popullit, cënimit të territoreve, emigracionit, krenaria me kombin, etj.

Po ashtu, SD ka përqafuar “kulturën e pesimizmit”, që e ka përshkruar historiani i shquar amerikano-gjerman, Fritz Stern në librin e tij “The politics of cultural despair”, e cila konsiston në pasqyrimin vetëm të dukurive negative dhe pesimiste të shoqërisë.

Por, një shumicë e madhe e elektoratit suedez nuk i dha mbështetje kësaj kulture, sepse e ka kuptuar që zgjidhja dhe lehtësimi i krizës së azilit, siç e shpjegon shumë qartë shkrimtarja Düzen Tekhal, bëhet jo me metoda ekstreme, por duke ngritur shoqërinë kundër mohimit, negativizmit, urrejtjes, diskriminimit, sharjeve ndaj azilkërkuesve dhe emigrantëve të ligjshëm.

Pjesa më e madhe e suksesit të liderit ekstremist suedez, Akesson, shpjegohet si dhe te liderët e tjerë të këtij kallëpi me karizmën e tyre, gjuhën banale dhe të rrugës. Akesson ia ka dalë mbanë gjatë dekadës së fundit të krijojë imazhin e “politikanit të sinqertë” të “njërit prej nesh”,  në mënyrë që jo thjesht të tërheqë, por të “pushtojë” vëmendjen dhe interesin mediatik.

Ai nuk shquhet, madje nuk do t’ia dijë për për logjikën  e mendimeve që shpreh, por për stilin dhe retorikën; jo për idenë, por mënyrën si shprehet ajo, jo çfarë por si të thuhet, jo zgjidhja, por provokimi i problemit dhe së fundi, jo faktet, por e vërteta e tyre subjektive.

Tani sfida po aq e madhe dhe e vështirë qëndron në krijimin sa më parë të qeverisë së re, një ekuacion me disa të panjohura. Sepse asnjë parti dhe koalicion nuk i ka numrat e nevojshëm. Koalicioni i majtë i mundshëm me katër parti ka 144 vende nga 175 që duhen për shumicën absolute, ndërsa i djathti 143, vetëm një më pak.

Pozitive në rastin e Danimarkës, ndryshe nga Austria është se të gjitha partitë e moderuara, të majta dhe të djathta janë shprehur kundër një “pakti me djallin” dmth., aleance apo koalicioni qeveritar me SD.

Çështjen e koklavitur të koalicioneve të mundshme dhe të detyruara me forca populiste dhe ekstremiste, qoftë dhe si taktikë e përkohshme e ka trajtuar edhe politologu Daniel Ziblat në best sellerin e tij “Conservative parties and the rebirth of democracy” (Partitë konservatore dhe rilindja e demokracisë). Duke iu referuar përvojave të mëparshme tragjike, ai shprehet kategorikisht kundër këtyre koalicioneve, të cilat shpien ujë në “mullirin e forcave antidemokratike”. Shembullin më të freskët dhe të qartë e jep Austria, ku e djathta e qendrës hyri në koalicion me partinë e ekstremit të djathtë. Madje, kjo e fundit drejton diplomacinë dhe  sigurinë kombëtare. Për shkak të disa ndërhyrjeje të palejueshme të policisë në mjediset e agjencive të inteligjencies etj., në NATO është krijuar shqetësim lidhur me shkëmbimin e informacioneve të klasifikuara. Por, këto lloj koalicionesh përmbajnë edhe  rreziqe/kërcënime të tjera të mëdha. Ndaj, në vend të bashkimit apo bashkëpunimit me ta, Ziblat dhe të tjerë sugjerojnë luftën pa kompromis për mposhtjen e populizmit dhe ekstremizmit. Është proces i vështirë dhe më i gjatë, por në fund të fundit ia vlen kur vjen fjala për mbrotjen e vlerave të demokracise liberale.

Lajmi i mirë është se dhe në mungesë të një marrëveshjeje koalicioni dhe në vijim të traditës së saj të konsoliduar, Suedia mund të qeveriset si vitet e fundit, me një qeveri pakice.

Pavarësisht nga rritja e SD-së, fitorja e social-demokratëve në Suedi megjithë rënien, duke nxjerrë mësimet përkatëse  është  ogur i mirë për Suedinë si dhe forcat social-demokrate në Evropë, në opozitë dhe në pushtet; aq më tepër që ato në pushtet “numërohen me gishtat e dorës”. Aq më tepër se së shpejti do të fillojnë përgatitjet për fushatën e zgjedhjeve të reja evropiane, që do të jetë një referendum i vërtetë për mbrojtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të projektit madhor evropian.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.