KULTURË

Vladimir Myrtezai: Një “Fidem” nga Greg Rama

16:20 - 12.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vladimir Myrtezai – Besim, komunikim i hapur dhe afrimitet është një trekëndësh që shënjon një territor të personalizuar për artistin e ri Greg Rama, i diplomuar pak vite me parë në Universitetin e Arteve në Tiranë. Si përpara çdo subjekti, në trokitjet e para për t’u identifikuar, autori i kësaj ekspozite shpall sfidën e tij për të dalë përpara publikut, duke na kujtuar kështu ngërçin e madh të hapit të parë që përjeton çdo artist.




Përpos trashëgimisë familjare, ai përballet po aq edhe me nevojën për një stacionim të mendimit dhe aktit krijues, duke i besuar më shumë ndijimeve dhe përvojave personale si conditio sine qua non për krijimtarinë.

Besimi i hapur mbi çfarë mund të gjente në korrentet e eksperimentit shoqëruar me një intuitë premtuese që e lidh artistin me shenjën, tingullin dhe dendësinë e formës me të cilën afrohet, i hapin atij një rrugë të qenësishme ku përfshihet të besojë.

Përmes lojës me hapësirën ai ndërton një ekuilibër mes konceptit dhe trupëzimit të një energjie që e identifikon duke i hequr gravitetin arkitektonik mediumit, duke përdorur po aq edhe një lloj transfigurimi thjeshtëzues drejt trajtave elementare e parake.

Pika, vija, rrafshi, mungesa e gravitetit bashkërendohen për të (ri)lexuar konceptin e një ndërhyrje hapësinore, jo më si një ngjarje lineare, por me asociime qëndrimesh të aksidentuara e vertikale, duke na afruar atë përvojë që mund ta quajmë vëllim i shformuar elementesh ose energji e kulluar pastër.
Perceptimi është i pakohë dhe larg analizës së zhvendosur në kohë, sepse koha në këtë rast ekziston vetëm si një element i qëruar nga rrethanat tipizuese, duke shfrytëzuar ecejaket e një ndjeshmërie të veçuar.

I vetëmjaftueshëm në elemente krejt të thjeshtë, por shumë pranë një sinkroni energjish që zhbën narrativën apo rrethanën site-specific, autori krijon veprën dhe gjuhën e saj në të njëjtën kohë.

Greg Rama ka një shprehi të “lindur”, në afri me fjalën, të shkruarit dhe komunikimin; ndaj dhe shfaqja e tij e parë nën kupolën Fidem – “Besim”/”Vërtetësi” përvijon një lëvizje komunikuese nëpërmjet një mediumi, i cili përfshin hapësirën ku ai zhvendos strukturën e tij.
Fuqia e interpretimit dhe e asociimit krijon një territor kulturor të ndërmjetëm ku frymon ndjeshmëria e artistit.

Autori e ndien veten në rrokullimat e shpeshta mohuese, aq domethënëse për një artist në rritje, për të hapur kështu rrugën e tij, që tanimë i duhet ta ndajë edhe me publikun, si një mundësi për të rimenduar dhe riparë sheshpushimet si akte ndikimesh të panjohura apo të rishikuara artistike.
Greg Rama vjen si një komunikim i pamundur i gjithë atij monologu të brendshëm e kaotik që së shumti nuk ndahet drejtpërdrejt, por i kamufluar përmes gjuhës së ndërmjetësuar të artit.

Dalja e tij e parë në publik është pikënisje e këndvështrim i hapur që do të mundësojë hapjen e tij të radhës në kurajën e parashikimet e ndërgjegjes së tij si artist në një rrugë të gjatë e të vështirë.
*Kurator i ekspozitës


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.