KULTURË

Rexhep Qosja: Kur fyejnë Ismail Qemalin e Mithat Frashërin

14:00 - 14.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rexhep Qosja  – Në qoftë se shkoni te varret e Prishtinës, për të marrë pjesë në ndonjë varrim apo për të vënë lule në varrin e një familjari, të afërmi a miku, kur të ktheheni nëpër rrugën që lëshohet teposhtë, ndaluni e shikoni djathtas dhe besoj se do të shihni edhe diçka që s’e keni parë dhe që s’do të donit ta kishit parë.
E do të shihni dy rrugica, të shënuara për t’u mbajtur në mend.




E para, është rrugica në fillim të së cilës, në anën e poshtme, të majtën, është vënë një si tabelë me emrin e babait të Shqipërisë, babait të shtetit të parë shqiptar, Ismail Qemalit. Si duket ajo tabelë, si duket mbajtësja e asaj tabele, si duket i gjithë fillimi i asaj rrugice me emrin e Ismail Qemalit? Vështrojeni mirë foton që po ia bashkëngjis këtij postimi! Jam i bindur se pamja që do të shihni do t’ju pikëllojë e do t’ju mërzisë pamasë!

Është një përmendore e Ismail Qemalit në sheshin para ndërtesës së dikurshme të Rilindjes së dikurshme e rrethuar me një rrethojë që s’ mundëson të shihet sa duhet e si duhet ajo përmendore. Në qoftë se ndaleni e i afroheni asaj përmendoreje artistike, të dinjitetshme, do të pyesni veten: po ç’do në Prishtinë edhe një Ismail Qemal, edhe një Ismail Qemal ashtu i fyer ashtu siç është fyer në fillim të rrugicës që të çon te varret e Prishtinës!

E dyta, është rrugica, dy rrugica më poshtë se ajo me emrin e Ismail Qemalit në fillim të së cilës, në anën e poshtme, të majtën, është vënë një tabelë me emrin e Mithat Frashërit, të birit të Abdyl Frashërit – ideologut dhe diplomatit të madh të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të Lidhjes së Prizrenit. Ajo tabelë, mbajtësja e tabelës, fillimi i rrugicës me emrin e Mithat Frashërit të pikëllojnë, të trishtojnë dhe të mërzisin edhe më shumë se rruga me emrin e Ismail Qemalit.
Mithat Frashëri në kohën e komunizmit ishte i mallkuar: i mallkuar në Shqipërinë shtetërore dhe i mallkuar në Kosovë! Dhe ishte i mallkuar pse kishte qenë themelues e kryetar i Ballit Kombëtar. Por ata që ia kanë vënë emrin në rrugicën pak metra para varreve të Prishtinës dhe lejojnë që emri i tij në atë tabelë, në fillim të rrugicës, të duket aq mjerueshëm ndoshta kanë harruar: se Mithat Frashëri ishte politikan, diplomat, shkrimtar, studiues shkencor, publicist, pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, kryetar i këtij Kongresi, anëtar i Komisionit të këtij Kongresi, që do të hartojë alfabetin e gjuhës shqipe; ishte autor i një vargu veprash letrare, publicistike e shkencore, ishte autor i veprës Shqiptarët dhe sllavët, ishte politikani dhe intelektuali ndër më të shquarit shqiptarë të kohës së tij që deri në vdekje nuk do të pushojë të shkruajë e të flasë për copëtimin e trojeve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, për pushtimin e Kosovës prej Serbisë e të trojeve të tjera shqiptare prej Serbisë, prej Malit të Zi e prej Greqisë, për padrejtësitë tragjike që fuqitë e mëdha evropiane i kishin bërë popullit shqiptar.

Shikojini mendueshëm fotot e dy rrugicave ku janë vënë tabelat me emrat e Ismail Qemalit dhe Mithat Frashërit!
Besoj se mbasi t’i shihni do të bëni pyetjen:
Pse lejohet një fyerje e një përçmim i tillë i historisë dhe i kulturës sonë?
Pse lejohet një fyerje e një përçmim i tillë i historisë dhe i kulturës sonë në Kosovën e lirë dhe të pavarur?
Shkojmë në varret e Prishtinës të pritur prej Ismail Qemalit e Mithat Frashërit dhe kthehemi prej varreve të Prishtinës të përcjellë prej Ismail Qemalit e Mithat Frashërit siç i pamë të fyer!

A ka komunë Prishtina? A ka deputetë ajo komunë?
A ka Kuvend Kosova?
A ka deputetë Kosova?

A ka Ministri të Kulturës, Ministri të të Arsimit, a ka institucione të kulturës, që merren me historinë e me trashëgiminë tonë kulturore?
A kanë deputetë Prishtina e Kosova të cilët do ta mbrojnë historinë e Kosovës dhe historinë shqiptare në përgjithësi prej falsifikimeve, prej shpërfytyrimeve, prej privatizimeve, prej degradimit, prej mospërfilljes, prej fyerjeve, prej përçmimeve të ndryshme që po i bëhen sot prej shumë kujt e me shumëçka, në rend të parë prej atyre që do të duhej t’i trajtonin me dinjitetin e merituar, të kujdeseshin e t’i ruanin, por hiç më pak prej disa partive, prej të pushtetshmëve dhe të partishmëve, të cilët edhe historinë kombëtare po e keqpërdorin pa skrupuj për t’u mbajtur në pushtet sa më gjatë!

Deri kur?
Sidomos pas vitit 1981 historia shqiptare, letërsia shqipe, figurat e mëdha historike, politike, shkencore, letrare është dashur të mbrohen prej nënçmimeve e fyerjeve që ju bëheshin prej shovinistëve serbw. As pesimistët më të mëdhenj s’kanë mundur të mendojnë se këtë histori e këto figura të mëdha kombëtare sot duhet të mbrohen edhe prej shovinistëve tonë brendakombëtarë në një jesë të medieve tona.


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. O Qose, ne keto dite te nxehta per te ardhmen e Kosoves e mbare Kombit Shqiptar,nuk gjete dicka me te rendesishme per tju drejtu popullit por merresh me emra rrugesh.Ke rrjedh….

    Përgjigju ↓
  2. Kam lexuar dhe kam mesuar koheve te fundit se historija e jone eshte e mbushur me genjeshtra dhe ne fakte te asaj kohe ku deshmitare ishte edhe Eqrem bej Vlora, Kole Bibe Mirakaj dhe At zef Pllumi. Ecrem bej vlora ne Kujtimet e tij te shtjelluar ne nje veper thot se Ismail Qemali iku nga Shqiperia spse nuk e fitoi postin qe ai deshironte ne krye te shtetit. Nje tjeter fakt qe e tregon Ecremi eshte se shqiptaret kane qene me ndasi te madhe fetare. Katoliket nuk shikoheshin me sy te mire nga shumica muslimane dhe as qe kosideroheshin shqipetare. Vet Prenk Bib Dodaj ka kerkue nga princ Vidi qe te shkarkohet Ismail Qemali dhe Esat Pashe Toptani shkruane ne kujtimet e tij Ecrem bej Vlora. Kurse At zef Pllumi ne vepren e tij ‘Rrno vetem per me Tregue’ thot se Kosova dhe Camerija e kishin harruar kombin shqiptar dhe kerkonin te te ishin vilajete turke dhe jam I bindur se e ka thene te verteten. Ne Parlamentin e pare shqiptare tre deputet kerkonin qe Shqiperia te shpallet shtetn islamik. Vetem katoliket kane qene me Evropen sepse te besimit islam ishin me Turqine kurse ortodokset me Greqine. Kole bib mirakaj ne veperen e tij ‘ Vetvrasja e nje Kombi’ thot se Mitat Frasheri ka qene element turbullues numer nje qe synonte qe gjithmone te jete I pari pa merit. ‘Ballin Kombtare’ nuk e ka formuar Mitat frasheri thote Halim Bega por ai e ka uzurpuar ate post. Lojen me te ndyte e ka luajtur Mitat Frasheri gjate kohes se fashizmit ne vitin 42-44. Kmunizmin ne shqiperi e kane ndihmuar qe te vije ne pushtet Balli kombetar dhe Legaliteti. Keto dy parti duke u friguar se katoliket do te vine ne pushtet dhe u bashkuan me komunistet. I pari qe ka dasht ta hjeke shtatoren e Skenderbeut dhe ta Vendos shtatoren e Sulltan Muratit ka qene Mitat Frasheri dhe e quajne patriot, thot Ismail Kadare. Madje Mjeda mjeda zhgenjehet ne Mitatin kur ai synon qe nje shkronje arabe te perdoret ne alfabetin e gjuhes shqipe. E verteta duhet te flitet e jo te fshihet ashtu sic kane qene te njeanshem historianet.

    Përgjigju ↓