KULTURË

Një sezon nga Ana Frank te Kristo Floqi

16:15 - 15.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Teatri Metropol vazhdon traditën me premierat e tij. Sezoni i dytë artistik shtator-dhjetor sjell larmi veprash, shqiptare të shpluhurosura nga arkivi, e vepra të njohura në mbarë botën, duke përfshirë në këto projekte aktorë karriere apo aktorë të rinj, regjisorë me eksperiencë apo regjisorë me potencial të ri artistik. Teatri Metropol duke synuar të ndjekë ritmet e zhvillueshmërisë së qytetit, në ditët e para të muajit tetor do të nisë edicionin e dytë të festivalit të dramës shqipe “Metrofest”, që pas vitit të kaluar, kësaj here shtrihet në dy javë aktivitete. “Ashtu si në edicionin e parë, edhe sivjet Teatri Metropol, i dedikohet njohjes dhe vënies në skenë të dramaturgjisë shqiptare.




Qëllimisht ky festival nuk ka natyrë konkurruese, por e vë theksin tek laboratori i punës me veprën shqiptare. Të pesë premierat e këtij edicioni janë produksione ekskluzive të Metropolit, duke afruar profesionistë të teatrit nga të gjitha brezat për të hulumtuar dhe për t’i dhënë frymë dramës shqipe në skenë, afër publikut”,-shprehet drejtoresha e Teatrit Metropol, Jonida Beqo. Ky edicion i “MetroFest” sjell pesë vepra shqiptare të nxjerra nga arkivi, si “Rrajtë që lëvizin” e autorit Ernest Koliqi, “E bija e krahinarit” nga Kristo Floqi, “Kryet e hudhrës” nga autori Kristë Berisha, “Makaronat e shejtanit” nga Lazër Lumezi si dhe “Prangat” nga autori Halil Laze etj. Gjithashtu, netët e këtij festivali do të ndërthuren dhe me aktivitetet e tjera alternative. Sezoni i ri në Metropol do të vijojë më tej gjatë muajit nëntor me “Ditari i Ana Frank” i autorëve Frances Goodrich dhe Albert Hackett dhe “Sherlock Holmes dhe qentë e Baskervillit” e autorit Ken Ludwing vepër që do të vihet në skenë në fund të vitit. Aktualisht për këto dy vepra Teatri Metropol ka shpallur audicione për aktor/ aktore që do të interpretojnë në këto dy vepra, teatër, i cili ka thyer “mitin” e realizimit të audicioneve në institucionet artistike shqiptare.

SHFAQJET PËR TË RINJ E FËMIJË
“Teatri Metropol ka një prioritet të veçantë zhvillimin e teatrit për fëmijë dhe të rinj, jo si një zhanër inferior ndaj teatrit të të rriturve, por me të njëjtin angazhim profesional dhe dedikim. Shfaqjet tona përzgjidhen duke pasur synime të qarta edukative, duke respektuar inteligjencën dhe psikologjinë e publikut të të vegjëlve”,-shpjegon Beqo. Sezoni nis me shfaqjen për fëmijë “Miushet e shkathëta”, “Njëlloj si ti”, “Atje ku hëna takon malin” e më tej me veprat për të rinj “Romeo e Zhuljeta” e William Shekspir dhe “Ditari i Ana Frank” në versionin për të rinj. Specialistët e Metropol japin orë teatri në dy nga shkollat e zonës “Lidhja e Prizrenit” dhe “Hasan Vogli” e më pas klasat e pesta dhe të gjashta gjatë 9 muajve shohin provat dhe shfaqjet, luajnë rolin e kritikut dhe bëjnë prezantimin e punëve të tyre në fund.

Misioni i Qendrës Kulturore Tirana është të pasurojë, edukojë dhe argëtojë në mënyrë gjithëpërfshirëse publikun në mbarë territorin e Tiranës, me anë të eksperiencave artistike, të cilat promovojnë vlerat me të mira kombëtare dhe botërore. Teatri Metropol në kuadër të platformës edukative këtë vit organizoi kampet verore, dy grupe paralele me nga 25 fëmijë, ku këtë vit mbante titullin “Kujtime nga Ilira e lashtë” proces i bazuar në fushat: histori dhe arkeologji. Gjithashtu, për herë të parë në Teatrin Metropol u organizua kampi i dytë veror i përbërë nga një grup nxënësish të shkollës së mesme “Ismail Qemali” mbi temën: “Të mësojmë rreth traditave dhe zakoneve të cilat janë pjesë përbërëse e qytetërimit tonë”, një studim mbi këngët dhe vallet shqiptare. Për herë të parë u zhvillua Festivali Ndërkombëtar i Kukullave, “International Puppet Theatre Festival Albania”- “Skanderbeg” organizuar nga Klau’s Film Association dhe Teatri Metropol. Përgjatë një jave morën pjesë trupa të ndryshme nga Kina, Turqia, Spanja, Rumania dhe Shqipëria, të cilat performuan për të prezantuar forma të ndryshme përdorimi dhe komunikimi nëpërmjet kukullave, shkëmbim eksperiencash, traditash dhe kulturash të vendeve të ndryshme dhe u ndoqën nga 2210 spektatorë, numër ky vetëm në ambientet e brendshme të teatrit. Shfaqjet u dhanë edhe në sheshin “Skënderbej”, ku pjesëmarrja e spektatorëve ishte e larmishme dhe e madhe në numër.

SHIFRA DHE PËRPARËSI
Gjashtë mujorin e parë të këtij viti, Teatri Metropol thotë se ka pasur një rritje të ndjeshme në numrin e spektatorëve me rreth 13 mijë spektatorë (flasim këtu vetëm për shfaqjet teatrore për të rritur, fëmijë, e të rinj, nuk përfshihen në këtë shifër festivali ndërkombëtar për fëmijë, kampet verore). Ndërkohë Ansambli Tirana në koncertet dhe aktivitetet e tij jashtë ambienteve të teatrit ka arritur shifrën 5500 spektator, përgjatë gjysmës së parë të vitit. “Ansambli Tirana punon me qëllimin e njohjes së traditës kulturore kombëtare, lëvrimin dhe shpalosjen e saj nëpërmjet koncerteve për publikun, por edhe nëpërmjet programeve tona edukative që sjellin këngën, vallen dhe kostumin kombëtar pranë publikut”,-thotë ajo. Por pjesë e përhershme e produksioneve të Teatrit Metropol janë edhe përfshirja e spektatorëve shtresa të ndryshme vulnerabël nga Instituti i Fëmijëve që nuk shohin “Ramazan Kabashi”, nga Qendra ditore “Të qëndrojmë së bashku”, Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli”, “Burgu i grave si dhe “Fëmijët e të burgosurve”, “Shoqata e fëmijëve jetim”, “Kryqi i kuq” etj.

Ky publik përfiton pjesëmarrje falas në të gjitha aktivitetet e Qendrës Kulturore Tirana si shfaqje për të rritur, teatri për të rinj dhe teatri për fëmijë, si dhe të aktiviteteve të Bandës së qytetit dhe Ansamblit Tirana. Sezonin e parë janar-korrik është shënuar numri 2790 fëmijë nga shtesa në nevojë dhe afërsisht 800 persona nga “Qendra Ditore Multifunksionale e të moshuarve”, Gratë e Burgosura apo Azili i Pleqve.

“100 FUSTANET”
Pavarësisht se është teatri i kryeqytetit, Teatri Metropol e shtriu aktivitetin e tij edhe jashtë kufijve të Tiranës. Përveç rrethinave të kryeqytetit ku shfaqjet e këtij teatri kanë qenë prezentë, gjatë muajit maj- qershor shfaqja për të rinj “100 Fustanet” e autores Eleonor Ester me regji nga Jonida Beqo ka përshkruar qytete të ndryshme të Shqipërisë, sa më pranë fëmijëve në nevojë; kryesisht në Librazhd, Laç, Dibër, Durrës, Mamurras, Korçë, Elbasan e Lezhë, në bashkëpunim me “Worldvision Albania”. Ky tur është ndjekur nga rreth 2500 fëmijë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.