KULTURË

Princi shqiptar “Malik”. Një “peshkatar perlash” në periferinë parisiene

10:45 - 15.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Luan Rama – Një Princ shqiptar në Paris? Kur dhe në ç’kohë? Vallë bëhet fjalë për Esat Pashë Toptanin që në selinë e tij “qeveritare” në Hôtel Continental, pranë Place de la Concorde të Parisit, i cili paraqitej kudo si Princ i Shqipërisë apo Alejandro Kastriota, ky pinjoll i një prej degëzimeve të familjes Kastrioti, që si “Princ”, ishte pretendent i fronit të Shqipërisë, krahas Princit De Wied në vitin 1913? I zemëruar ndaj këtij të fundit, poeti i famshëm Apollinaire kishte shkruar artikullin e njohur “Tre Princër të rremë të Shqipërisë”, botuar në gazetën L’Européen… Jo, është fjala thjesht për një emigrant shqiptar, që s’kishte asgjë mbretërore në gjakun e tij, i cili në fillimet e shekullit XX kishte zbarkuar në Paris, pikërisht atëherë kur Evropa mendonte për një Princ të huaj për Shqipërinë.
Ka një treg të madh vjetërsirash në Paris, i cili gjendet në periferi të qytetit, në Porte de Saint-Ouen.




Thuhet treg vjetërsirash meqë janë gjëra të përdorura, por, në fakt, është një botë objektesh nga më të habitshme dhe shpesh me shumë vlera, ku gëlojnë antikuarët e gjithë botës, deri nga Amerika, të cilët vijnë të gjejnë objekte që u përkasin epokave të kaluara. Mjafton të hysh në labirintet e tij për t’u gjendur pas pak midis uniformash të vjetra ushtarake të ushtrisë mbretërore apo napoleoniane, midis mobilieve të stilit Louis XIV apo Louis XV, tablo të vjetra, afishe, kartpostale të shekullit XIX, maska afrikane, etj.

Ja pse para disa vitesh regjisori i njohur Woody Allen erdhi këtu të xhironte një skenë filmi, i tërhequr në mënyrë të veçantë për rrugicat dredharake e frakturat e këtij tregu gjigand, ku çdo ditë vizitohet nga 120.000 njerëz. Tregu MALIK gjendet pikërisht këtu, përkrah tregut “Biron” apo “Vernaison”, por të gjithë së bashku përbëjnë një ansambël tepër tërheqës, që rrallë e gjen në një vend tjetër të botës. Sidoqoftë, sapo zbret nga metroja dhe shkon drejt këtij pazari gjigand, të bije në sy tabela ku shkruhet MALIK. Kisha shkuar disa herë në këtë vend të zhurmshëm, ku gëlojnë dhjetëra mijëra njerëz në kërkim të objekteve të rralla. Janë të kombësive të ndryshme: francezë, italianë, afrikanë, ballkanikë, aziatikë. Kohët e fundit, aty është vendosur dhe një shqiptar që ka hapur një dyqan mobiliesh antike. Dhe kjo gjë atë e pasionon. Por gjithnjë ai emër, MALIK më kishte intriguar. Vallë një emër shqiptar?… Dhe kështu, duke u interesuar, zbulova më së fundi se krijuesi i parë i këtij pazari të madh të “Porte de Saint-Ouen” kishte qenë shqiptari Maliq Hajrullahu, një shqiptar që kishte ardhur gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, ashtu siç kishin ardhur dhe disa shqiptarë të tjerë nga bregu i jugut shqiptar apo nga Përmeti, Leskoviku, etj., të cilët ishin futur në “La Legion Etrangère”, një formacion ushtarak me njerëz të kombësive të ndryshme, të cilët, pas luftës, kishin të drejtë të merrnin kombësinë franceze, meqë kishin luftuar për Francën.

“Peshkatarët e hënave”
Kur Maliq Hajrullahu kishte zbarkuar në Paris, pas një eksperience të vështirë në kryeqytetin francez, ai arriti të blejë restorantin e një italiani, “A Piccolo”, dhe më pas bleu një terren prej 3000m² që shkonte nga cepi i Parisit në rrugën “Jules Valles” të Saint-Ouen dhe pikërisht aty, ai krijoi një treg të hapur objektesh të vjetra, duke ngritur dy shtylla hekuri me xhama të mëdha. Në fakt, që prej shumë kohe këto tregje ishin hapur në Paris dhe së pari, në vitin 1350 në sheshin e kishës Saint-Medard, nga vetë peshkopi i kishës. Por ato lulëzuan më shumë në shekullin e XIX. Çuditërisht, për disa dhjetëvjeçarë ato u zhdukën deri sa të shfaqej ky shqiptar. Ata që shisnin atje quheshin në atë kohë “chiffoniers” (“leckaxhinj”) apo “pecheurs de lune”, (“peshkatarë hënash”) dhe vendet ku shiteshin objektet quheshin “cours des miracles”, (oborret e mrekullive”, etj.

Pra, Maliq Hajrullahu, ky shqiptar i zgjuar mori një nismë të guximshme: rihapjen e tregjeve të vjetërsirave, të quajtur “Marchés aux Puces”, (apo në frëngjisht (“Tregjet e Pleshtave”). Kështu pas këtij shqiptari apo në të njëjtën kohë me të, (1919-1920), ishte dhe Romain Vernaison dhe Paul Bert që erdhën të hapin tregjet e tyre. Në vitet 30-50′, Maliq Hajrullahu njihej në mjedisin francez si “Princi Malik”, meqë gërma “Q”, shqiptohet në “K”. “Malik u martua më pas me një franceze nga Mesle-sur-Sarte e Normandisë dhe kishte një djalë, – më thoshte një ditë vajza e një emigranti shqiptar, Alice Shushi. Madje ajo mbante mend se një ditë ai i kishte sjellë tek i ati në restorant, një kukull të bukur…

Ai mbahej si një zotëri i madh, me kostum e kravatë, prandaj dhe nisën ta thërrasin “Princi Malik”. Ajo e kishte njohur “princin” Malik që kur ishte adoleshente. “Vërtet, qëndronte si fisnik, me shtatin e tij të lartë dhe lëvizjet e tij hijerënda. Ishte mik i babait. Por megjithatë ishte një njeri i qeshur. Vinte shpesh në restorant, madje dhe kur mblidheshin shqiptarët në darkat e zhurmshme dhe plot këngë të “Ditës së Flamurit” në 28 nëntor. – “Po më vonë, ç’u bë me të?” – e pyeta unë me kuriozitetin për të ditur më shumë rreth këtij personazhi të jashtëzakonshëm sikur të kishte dalë nga bota e përrallave. – “Nuk di gjë për vitet e fundit të tij. Di që kishte një familje dhe banonte në Paris. Por sigurisht, ai ka vdekur si gjithë gjenerata e tim ati”, – shtoi ajo duke vazhduar bisedën rreth mbrëmjeve simpatike në atë restorant ku jo rrallë shërbente dhe ajo bashkë me të ëmën e më pas me njerkën e saj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.