OPINION

Pse tani dhe cila është domethënia e demonstrimit ushtarak ruso-kinez?

07:45 - 15.09.18 Vasil Kureta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rusia dhe Kina po zhvillojnë në rajonin e Siberisë një stërvitje ushtarake nga më të mëdhatë, që nga koha sovjetike, apo që nga viti 1981. Njoftohet se në këtë stërvitje tepër të madhe ushtarake, të koduar “Vostok 2018“, nga Rusia marrin pjesë 300.000 trupa, 36000 automjete ushtarake, 1000 avionë dhe 80 anije ushtarake. Kina merr pjesë me 3200 trupa. Koha e zgjedhur, vendi i zhvillimit, shumëllojshmëria e sasia e armëve dhe trupave në stërvitje, veprimet ushtarake të programuara, pjesëmarrja e Kinës edhe pse me numër më të vogël trupash dhe armësh, kanë domethënien e tyre e që të mundësojnë të mësosh më tepër apo përtej atyre objektivave ushtarake të deklaruara publikisht nga Rusia.




Përmes shefit ta shtabit të përgjithshëm Valeri Gerasimov, Rusia deklaron se, qëllimi i stërvitjes është mbrojtës apo se „manovrat tona nuk janë të drejtuara kundër vendeve të tjera dhe janë në përputhje me doktrinën tonë ushtarake, e cila është mbrojtëse“. Pas këtij deklarimi publik të ushtarakut të lartë rus, vetiu lind pyetja: pse tani kjo stërvitje apo cilët janë motivet që e kanë programuar kohë më parë atë dhe në këto përmasa? A ka ndonjë kërcënim serioz ndaj Rusisë apo kush mund ta ketë kërcënuar apo rrezikuar Rusinë, që e detyron atë t’i tregojë muskujt e forcës së saj? Pse Rusia e zhvillon atë së bashku apo me pjesëmarrjen e Kinës apo pse ka ftuar Kinën? Pse Kina ka vendosur të pjesëmarrë në këtë demonstrim të dukshëm ushtarak e force, të programuar nga Rusia? Është kjo stërvitje e programuar me kohë nga Rusia, që ka ftuar si fqinj edhe Kinën, apo është një stërvitje e dakordësuar apo iniciuar bashkërisht, për të kryer këtë demonstrim të forcës ushtarake, në funksion të objektivave gjeostrategjike?

Pse Kina i bashkohet Rusisë në këtë demonstrim jashtëzakonisht të madh muskujsh? Çfarë interesash mund të ketë Kina në rajonin e Siberisë apo të Arktikut? Vërtet Kina është bërë pjesë e një organizmi ushtarak, të krijuar nga Rusia, por, kjo stërvitje nuk deklarohet si aktivitet i këtij organizmi. Pse Kina e bën këtë lëvizje bashkë me Rusinë, kur në historinë e marrëdhënieve mes tyre ka dhe një ngjarje të rëndë në kufirin mes tyre, në periudhën komuniste? Pse kryhet kjo stërvitje pas takimit të Putinit me Trump, ku u deklaruan për marrëdhënie bashkëpunimi? A ka ndikim në zhvillimin e këtij demonstrimi force ushtarake grindja brenda perëndimit, ajo mes SHBA dhe BE, por dhe brenda BE apo edhe sanksionet e deklaruara ndaj Kinës dhe Rusisë? Pra, ka shumë „pse“ dhe jo rastësisht, aq më tepër që bëhet fjalë për dy vende të mëdha si Rusia e Kina, që kanë rivalizuar fort për ndarje të fuqisë dhe rolit me SHBA. Pra, pse tani ky demonstrim i fuqisë ushtarake nga dy aktorë të mëdhenj në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, që shënon një zhvillim historik për këto dy fuqi bërthamore, pse me këto përmasa dhe pse së bashku, aq më tepër kur Kina në të kaluarën ka qenë kundër ushtrimeve ushtarake të Rusisë?

Është fakt që, si Rusia edhe Kina kanë avancuar shumë në sigurimin e një statusi të superfuqisë botërore apo thënë edhe në rivalitetin me SHBA, apo në ndarjen e fuqisë me të. Megjithatë, të dy këto fuqi të mëdha, nuk mund të konkurrojnë dot, sidomos me modelin perëndimor të zhvillimit, por as dhe me perëndimin edhe në situatën e sotme të grindjes, që zhvillohet brenda tij. Kjo rrethanë i bën të ngutur në arritjen e objektivave gjeostrategjikë, apo që synojnë të marrin maksimumin në këtë proces. Realizimi i rolit presupozon elementin ekonomik, politik, kulturor etj., por fuqia ushtarake është element thelbësor roli. Ka aktualisht një problematikë të hapur me aneksimin e Krimesë, konfliktin në lindje të Ukrainës, apo me krizën gjeorgjiane, që solli dhe dy republika të vetëshpallura të mbështetura nga Rusia, siç ka dhe një problematikë komplekse e të vështirë në gadishullin korean apo edhe në rajonin e paqësorit, ku qëndrimi korrekt i Perëndimit, në mbrojtje të rendit botëror e ligjit ndërkombëtar, i ka vënë në vështirësi këto vende në realizimin e objektivave gjeostrategjikë e për një rol superfuqie në zhvillimet ndërkombëtare.

Që nga deklarimi i Putinit, që e vlerësoi si katastrofën më të madhe gjeopolitike shpërbërjen e BS, Rusia ka avancuar dukshëm në definimin e objektivave gjeostrategjike dhe gradualisht ka ngritur e trashur zërin e saj, siç po bën edhe me deklarimet që kundërshtojnë avancimin e procesit të anëtarësimit në BE e në NATO të Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Strategjia e konflikteve të ngrira me rastin e krizës gjeorgjiane dhe asaj në lindje të Ukrainës, siç duket e kreu misionin e saj dhe tash duket se ka lindur nevoja për hapa të tjerë. Rusia, gjithashtu, e sheh si nevojë esenciale të sigurojë një rol të dukshëm në hapësirën europiane, që deri më sot e ka pasur shumë të vështirë. Edhe pse Rusia pret shumë nga grindja brenda Perëndimit e sidomos brenda BE, apo që e shpreson një shpërbërje të BE, ajo është e vendosur të futet në forma bashkëpunimi, sidomos ekonomik e energjetik aktualisht, me qëllim që të sigurojë një rol real europian. Nuk është fjala vetëm të çlirohet nga sanksionet e Perëndimit për aneksimin e Krimesë dhe konfliktin në lindje të Ukrainës, por për të mundësuar një zhvillim cilësor të interesave ekonomike, politike e strategjike në hapësirën europiane. Komponenti i forcës ushtarake vlerësohet kështu si një element i rëndësishëm i sigurimit apo imponimit të rolit. Rusia ka bërë investime shumë të mëdha edhe në infrastrukturë, përfshi dhe atë ushtarake në rajonin e pasur dhe shumë strategjik të Arktikut, ku pret të përballet me interesat edhe të vendeve të tjera, që deri më sot nuk kanë reaguar sa duhet, por që do të reagojnë në të ardhmen. Po kështu, Rusia nuk është pajtuar kurrë me anëtarësimin në NATO të tre vendeve baltike, që dikur ishin pjesë e BS, por dhe këto vende kanë qenë shumë sionisteve ndaj veprimeve edhe ushtarake të Rusisë, në kufi me to, duke e ngritur zërin brenda aleancës euroatlantike e duke folur hapur për rrezik apo kërcënim nga Rusia. Rusia nga ana e saj anëtarësimin e këtyre vendeve në BE e veçanërisht në NATO, por dhe mundësinë e anëtarësimit të Gjeorgjisë dhe Ukrainës në këto organizma e ka vlerësuar publikisht si „rrethim“ që perëndimi po i bën Rusisë. Të gjitha këto janë lëndë që dëshmojnë, si interesa gjeostrategjikë të Rusisë, por edhe që të mundësojnë të kuptosh këtë demonstrim kaq të fuqishëm ushtarak në Siberi dhe pranë Arktikut e Baltikut.

Rusia ndjek me vëmendje grindjen SHBA-BE duke u përpjekur të shtrijë marrëdhënie konkrete ekonomike, ku nafta dhe gazi janë njëherësh armë ekonomike e gjeopolitike. Rusisë i intereson shumë që, grindja SHBA-BE të thellohet, sepse kështu krijohen mundësi e hapësira konkrete ndikimi e roli, por edhe për t’u lehtësuar në aksione konkrete në funksion të interesave gjeostrategjike. Rusia përpiqet shumë të çlirohet nga sanksionet ekonomike të perëndimit, prandaj dhe lëviz të mbështesë lëvizje e parti politike që shprehen kundër avancimit të projektit europian. Po kështu, Rusia ka interes që projekti europian të dështojë, prandaj dhe siç dëshmojnë mediat, është investuar në mbështetje të partive politike të profilit nacionalist e euroskeptik. Nuk kanë munguar nga krerë të këtyre partive politike edhe nga ata që kanë fituar zgjedhjet si në Itali, që kanë kërkuar heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe që shprehen për avancim të marrëdhënieve ekonomike e bashkëpunimi me Rusinë. Natyrisht, që nuk ka hapësira bosh që të shtrish rolin, por kjo nuk do të thotë që nuk krijohen mundësi për të shtaruar një rol konkret, jo vetëm ekonomik, por edhe politik e ushtarak. Dhe rajoni i Ballkanit është sot një hapësirë reale rivaliteti, ku Rusia, por edhe Kina e mendojnë një rol konkret, prandaj dhe kanë bërë e po bëjnë hapa konkretë. Rusia ka avancuar ndjeshëm me bazën e instaluar në Nish, me dhënien e statusit të vëzhguesit Serbisë në organizmin ushtarak euroaziatik, marrëveshjet konkrete edhe në lëmin ushtarak e stërvitjet e përbashkëta të kryera deri më sot. Sot flitet hapur në hapësirën ballkanike për interesim të lartë të Rusisë për ndikim në këtë rajon edhe pse Rusia i ka përgënjeshtruar ato. Nga ana e saj Kina me projektin e rrugës së mëndafshtit e projektet për investime në infrastrukturë, investimet në portin e Pireut etj., synon të avancojë rolin e saj në Europë. Pikërisht, se ka vlerësuar maksimalisht elementin e fuqisë ushtarake, Rusia doli vrullshëm në krizën siriane edhe pse kishte dhe ka një kosto të madhe ekonomike, financiare e ushtarake. Dhe, në fakt, Rusia e ka siguruar tashmë një rol të saj në rajonin e lindjes së Mesme, duke shtuar kështu një element të përmbajtjes së rolit të Rusisë në zhvillimet botërore.

Rusia është pranë Paqësorit dhe Azisë, por në këtë hapësirë ajo aktualisht e ka shumë të vështirë të depërtojë e të sigurojë një rol konkret. Atje nuk ka përballë vetëm SHBA dhe Perëndimin e fuqi të tjera, por edhe aleatin aktual të saj Kinën. Kina nga ana e saj ka mundësuar një rol në Azi, ku nuk ka gjetur ndonjë kundërshtim serioz nga SHBA, por një synim i rëndësishëm i saj është rajoni i paqësorit dhe gadishulli korean. Rusia e mendon një mbështetje nga Kina të interesave të saj e rolit në hapësirën europiane, siç e kupton mirë interesin e Kinës në rajonin e paqësorit, përfshi dhe një mbështetje të saj për Kinën. Të dyja këto fuqi kanë nevojë sot për mbështetjen e njëra-tjetrës në plotësimin e ambicieve imperiale e të superfuqisë, të rolit të tyre në zhvillimet botërore.

Me pjesëmarrjen e saj në këtë stërvitje ushtarake, Kina ka shprehur kështu mbështetjen e saj për interesat gjeopolitike të Rusisë në hapësirën europiane. Të dyja kanë shumë nevojë për njëra-tjetrën sot në avancimin e interesave konkrete, për të përfituar më shumë hapësirë roli e në marrëdhëniet me perëndimin. Kina ka avancuar dukshëm në zhvillimin e rolit të saj në hapësirën e paqësorit edhe me ishujt artificialë të fortifikuar ushtarakisht, për të cilat Rusia nuk ka shprehur ndonjë kundërshtim, siç kanë bërë disa fqinjë të Kinës dhe SHBA e Perëndimi. Kina nuk mund të mos e vlerësojë këtë qëndrim të Rusisë. Është interesant dhe i kuptueshëm qëndrimi dhe sjellja e Rusisë ndaj zhvillimit më të fundit të marrëdhënies mes SHBA e Koresë së Veriut, ku ka njohur, në fakt, rolin e Kinës në këtë gadishull. Me këto veprime e qëndrime të afruara mes tyre, duket që si Rusia ashtu dhe Kina synojnë të certifikojnë zonat e tyre të interesave gjeostrategjike, në rivalitetin për një rol botëror në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, por dhe të dakordësuara mes tyre. Në këtë kuptim kjo stërvitje e përbashkët ushtarake është një mesazh i qartë ndaj Perëndimit, ndaj SHBA dhe BE, një qëndrim i përbashkët edhe ndaj sanksioneve konkrete ekonomike e financiare nga Perëndimi e SHBA. Koha e zgjedhur tani gjykohet si efektive, kur grindja brenda perëndimit ka avancuar shumë, kur SHBA shfaqen të vendosura në sendërtimin e „AmericaFirst“. Mendohet se nga kjo situatë mund të përfitohet shumë për afishimin e objektivave e interesave konkrete gjeostrategjike, për secilin prej tyre, shoqëruar kështu dhe me mbështetjen e secilit për to. Kina e kërkon mbështetjen e Rusisë në këtë moment, në përballimin e sanksioneve të adresuara nga SHBA, kur nuk mundi të sigurojë një mbështetje konkrete e efektive nga BE, apo vende të veçanta europiane. Edhe pse Kina ka qenë shumë e kujdesshme në drejtim të cilësisë së marrëdhënieve me SHBA dhe avancimin e objektivave të superfuqisë botërore, duket se e ka vlerësuar të përshtatshëm këtë demonstrim dashurie me Rusinë për të adresuar një lloj presioni ndaj SHBA.

Si Rusia ashtu edhe Kina e dëshirojnë një çarje reale e pakthim të Perëndimit e po kështu edhe një shpërbërje të BE, duke e menduar më efektiv për të zhvilluar interesa konkrete gjeostrategjike për veten. Duket që Rusia dhe Kina dakordësohen mes tyre se, duhet të marrin maksimumin në këtë situatë grindjeje të Perëndimit e zhvillimeve të brendshme në SHBA dhe në BE. Madje ato llogarisin dhe alternativat e zhvillimeve të ardhshme ekonomike, sociale e politike brenda vendeve të tyre, që mund të jenë edhe të disfavorshme apo më pak të favorshme se aktualisht.

Më 14 shtator 2018


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.