Show-Bizz

Meri Kumbe: Muzika rilind në kohë, ajo do gjykojë krijimtarinë

12:45 - 19.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Të bësh atë që do, t’u japësh frymë dhe gjërave që s’frymojnë, të ndjesh fort si regëtin vala e asaj që i ke dhënë trajtë është një formë e suksesit. Meri Kumbe, pedagogia në Universitetin e Arteve e njëkohësisht studiuese muzike vjen në një rrëfim mjaft të veçantë për “Summer pages” të “Gazeta shqiptare”, për të ndarë me ne punën që e bën me pasion, thellimin e studimeve të saj, si dhe kohën që kalon me të birin.




Kumbe nëpërmjet rrëfimit jep mesazhin se asgjë nuk është e pamundur, nëse ke dëshirë dhe këmbëngul për t’ia dalë. Studiuesja, e cila u bë mjaft e famshme për punën intensive me kodikët pohon se ishte më e vështirë gjetja e dokumentacionit se sa puna me ta. Meri na tregon për dashurinë e madhe që ka për bibliotekat dhe arkivat dhe se si një pjesë të madhe të ditëve kur ishte në shkollë e kalonte në ambientet e preferuara të saj. Përpos punës, një pjesë të mirë të kohës e ndan me familjen dhe shoqërinë. Pas lodhjes, pedagogia gjen qetësi kur është me të birin. Më tej, Kumbe pohon se dëgjon muzikë të mirë. Ajo thotë gjithashtu se është gjithëpërfshirëse dhe e ekuilibruar dhe se ekspozimi i fëmijëve ndaj muzikës është i domosdoshëm. Sa i përket cilësisë së muzikës, Meri ia lë kohës vlerësimin e krijimtarisë së gjithsecilit.

Si është tradita psaltike në viset shqiptare?
Arti psaltik ka qenë i përhapur thuajse në pjesën më të madhe të hapësirës gjeografike në të cilën ndodhet sot Republika e Shqipërisë. Nga studimet e realizuara, në mes të shekullit të XX, ajo dokumentohet kryesisht në jug, në juglindje, në Shqipërinë e Mesme si edhe në qytetin e Shkodrës dhe disa fshatra përreth tij. Deri në fillim të shek. XX, arti psaltik ishte tërësisht i ndikuar nga Konstandinopoja. Me krijim e shtetit shqiptar nisën përpjekjet për një kishë “kombëtare”, krijimi i së cilës pati impakt direkt edhe në muzikën fetare. Përkthimi në gjuhën shqipe u shoqërua me një sërë fenomenesh të reja (për artin psaltik në Shqipëri) si transkriptimi në pentagram dhe harmonizimi i këngëve fetare.

Sa ndikuan marrëdhëniet politike të kohës në historinë e këngës fetare të Kishës Ortodokse?
Për aq sa mund të duket e çuditshme, politikat e kohës patën ndikim dirket edhe në muzikën fetare. Fan Noli dhe vepra muzikore kishtare e tij, futi për herë të parë në kishën ortodokse muzikën ruse. Traditën e Kievit si edhe kompozime të kompozitorëve në zë si Çajkofski, Korsakov, etj. Shumë interesante janë përplasjet e besimtarëve të publikuara në shtypin e kohës (tek gazeta “Gjergj Kastrioti” e viti 1924), të cilët replikojnë mbi këto risi muzikore. Një grup besimtarësh i konsideron të panevojshme dhe të huaja këto ndërhyrje muzikore, ndërsa një tjetër grup i mbështet si zhvillime moderne të muzikës fetare.
Ju jeni e njohur për punën tuaj mbi kodikët muzikorë. Nëse do të krahasonit, ku qëndron vështirësia më e madhe që keni hasur përgjatë punës kërkimore?
Puna kërkimore në vetvete është aq sa e vështirë, edhe e bukur. Kërkon durim, insistim dhe shumë disiplinë. Mund të them që më i vështirë ka qenë kërkimi i dokumentacionit mbi shekullin e XX sesa puna me kodikët. Nga pikëpamja arkivore, kodikët janë të inventarizuar mirë dhe tërësisht të aksesueshëm nga arkivistët. Pra, shërbimi është më konkret dhe më i shpejtë. E kundërta, me dokumentet arkivore, për llojin e tyre kërkohet më shumë kohë. Për më tepër që ishin të shumta rastet kur në një dosje të caktuar gjendeshin partitura muzikore, të cilat kam fatin e madh t’i studioj dhe publikoj për herë të parë.

Çfarë lini pas dore për t’u marrë gjatë me studime?
(Qesh) Nuk di të them. Mua më pëlqejnë shumë arkivat dhe bibliotekat dhe që në rininë e hershme (vitet e studimit) shpenzoja në to pothuajse të gjitha paraditet e mundshme. Sigurisht, një pjesë e kohës që shpenzoja dikur në arkiv, sot e ka zëvendësuar puna. Ndër të tjera jetoj normalisht si të gjithë bashkëmoshatarët e mi dhe kohën e lirë e ndaj midis familjes dhe shoqërisë. Nuk besoj që lë gjë pas dore. Zgjohem herët në mëngjes, kështu kam kohë për të gjithë aktivitetin e programuar.

Si është momenti i pushimeve pas një pune të thelluar?
Kryesisht në natyrë dhe tanimë kryesisht me djalin tim të vogël, të cilit përpiqem t’i kushtoj kohë sa më cilësore.

Diskutimi më i fundit që keni pasur mes kolegësh?
Diskutimi ka qenë kryesisht i fokusuar në krijimin e mundësive të reja për kërkimin shkencor. Puna në arkiv është e bukur, por ka edhe kosto. Fatkeqësisht institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri ende nuk janë zhvilluar mjaftueshëm në pikëpamje të përthithjes së fondeve europiane, dedikuar kërkimit shkencor. Kështu që shpesh, diskutimet tona fokusohen në këtë fushë, në mënyrë që të krijojmë mundësi financiare për më shumë. Në këtë pikë, krijimi i strukturave teknike manaxhuese (të tipit “found raising”) pranë universiteteve do të ishte ideale.

Ku është përqendruar interesi aktual mbi studimet muzikore?
Nënkupton në përgjithësi? Janë të shumtë kolegët që mbulojnë fusha të ndryshme si historia e muzikës shqiptare, etnomuzikologjia apo mbi lloje dhe gjini të caktuara të muzikës. Personalisht nuk e kam vendosur ende ku do të fokusoj studimin e radhës.

Sa përzgjedhëse jeni në muzikë?
Jam shumë përzgjedhëse dhe përpiqem të dëgjoj muzikë të mirë. Kryesisht rock, jazz, blues si edhe këngë të njohura franceze. Ndërkohë, këtë vit jam edhe më e kujdesshme lidhur me muzikën që dëgjoj në shtëpi për shkak të tim biri. Kështu që mundohem të jem gjithëpërfshirëse dhe e ekuilibruar. Ekspozimi i fëmijëve ndaj muzikës është i domosdoshëm, jo vetëm nga pikëpamje e zhvillimit sensoro-motorik, por edhe në pikëpamje estetike, të kultivimit të shijes.

Çfarë sugjeroni për një shije ndryshe?
Nuk mund të përzgjedh, pasi më pëlqejnë shumë gjini të ndryshme muzikore. Por, do sugjeroja që njerëzit të mos jenë shumë selektiv, në sensin që të dëgjojnë sa më shumë muzikë të jetë e mundur, pasi zgjeron jo vetëm kulturën muzikore, por edhe na ndihmon që të jem pak më të qetë e të qeshur gjatë ditës.

Sa muzikë cilësore po bëhet sot në Shqipëri?
Kjo është pyetje relativisht e vështirë. Sigurisht, tranzicioni i pas-viteve ’90 përfshiu të gjithë shoqërinë, përfshirë edhe krijimtarinë muzikore. Por nuk mund themi që kanë munguar krijimet cilësore. Në fakt, krijimtaria muzikore, sidomos ajo e muzikës serioze, u sprovua me teknika të reja kompozicionale. Ndërsa në rastin e këngës, mendoj që u ndesh me një krizë identiteti. Gjithsesi, koha do të jetë ajo që do e gjykojë krijimtarinë. Muzika rilind në kohë…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.