Show-Bizz

Joni Peçi: Ju tregoj dashurinë time të përjetshme

16:00 - 20.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Njihet për energjinë pozitive që përcjell si dhe për pasionin me të cilën bën atë që do fort, punën e tij. Në një rrëfim ekskluziv për “Summer Pages” të “Gazeta shqiptare” vjen Joni Peçi. Stilisti më i dashur për publikun shqiptar ndan me ne të fshehtat e botës së modës, tendencat e sezonit të vjeshtës, bashkëpunimet e suksesshme me artistët, copëza nga jeta private si dhe projektet e fundit. Të jesh për 20 vite në tregun e modës dhe të mbash fronin e mbretit përgjatë kësaj periudhe, natyrisht nuk ka qenë e lehtë, megjithatë ai nuk ka reshtur së punuari për të sjellë gjëra të bukura dhe për të qenë një hap larg të tjerëve. Joni njihet për stilimet e veçanta që posedojnë ngjyra, forma dhe mbi të gjitha, pjesë të shpirtit të tij. Peçi është i preferuari i artistëve dhe jo vetëm. Bashkëpunimet me ta kanë rezultuar të suksesshme. Stilisti po bën një hap mjaft të madh këto ditë. Për të gjithë ata që duan të vishen ndryshe, Peçi do sjelli për herë të parë në Shqipëri firmën që do ketë emrin e tij me stilimet e veta. Femrave ua ka zbuluar sekretin. Sipas tij, ato thjesht duan të vishen bukur. Më tej, Joni na tregon se ka shumë miq, por më i shtrenjtë nga të gjithë është Zoti dhe prindërit, pasi ata nuk të tradhtojnë kurrë. Së fundmi, ai ndan me ne projektet që ka me spektaklet e famshme dhe thotë se ka për të qenë një vit i ngarkuar. Ne i urojmë suksese të mëtejshme dhe frymëzim për punë sa më të mira.




Tashmë jemi zyrtarisht në periudhën e vjeshtës. Cilat janë trendet për këtë sezon? Si mund të kombinohemi në përditshmëri?
Tani moda ka evoluuar. Vërtetë vijnë sezonet, ndërrojnë stinët dhe kjo është gjë shumë e bukur, pasi stinët sjellin variacione të ndryshme jo vetëm në jetën e përditshme të njerëzve, por edhe në kolore dhe në mënyrat e të veshurit. Tashmë moda ka ndryshuar për të gjithë, jo vetëm nga ana e stilistëve. Moda sot është që ti të jesh vetvetja, të kombinohesh lirshëm me gjëra që të përshtaten me karakterin, me formën e trupit, me personalitetin. Nuk ka ngjyra fikse që janë të diktuara nga ne njerëzit që bëjmë modë, por ne e bëjmë këtë veshje për njerëzit që të jenë vetvetja dhe të vishen ashtu siç mendojnë.

Si një nga stilistët më të famshëm dhe më të kërkuar, a mund të na tregoni diçka për eksperiencat tuaja me VIP-at? A janë të bezdisur? Cilat janë kërkesat e tyre?
Realisht me modesti e them që në 20 vite të karrierës sime profesionale thuajse kam kaluar 99.9% të gjithë personave publikë dhe jo vetëm që janë veshur, kanë kaluar dhe mbajnë markën “Joni Peçi”. Nuk do të doja t’i hyja pjesës së cinizmit se si janë apo nuk janë VIP-at, sepse çdo njeri në fund të fundit ka atë karakterin e vet, ka mënyrën e vet të të sjellit, por tashmë kur kanë kaluar shumë vite me këtë profesion, duke kaluar shumë persona artistë që vishen nga unë, është stablilizuar ajo besueshmëria, për faktin që prej vitesh i kam klientë. I njoh dhe e di karakterin e personave që vijnë, ata që më zgjedhin mua dhe që bashkëpunojmë së bashku.

Si ka qenë ky sezon veror për ju? Keni pushuar apo keni qenë i fokusuar te puna?
Ky sezon për mua ka qenë si të gjithë sezonet e tjera. Unë them një gjë që familja, e dashura, jeta ime, gjithçka imja është puna ime. Unë i dedikohem asaj 24 orë, qoftë edhe në detaje apo edhe në gjërat e vogla. Ajo më ka bërë që ëndrrën time ta realizoj sot pas 20 vitesh duke punuar fort. Ky sezon ka qenë shumë i ngarkuar, në veçanti me projektin e ri që unë do lançoj në datën 20, që fillon me dyqanin e parë pas ateliesë. Të gjithë njerëzit mund të vijnë pa asnjë lloj problemi si në të gjithë firmat e tjera në mbarë botën. Ata mund të gjejnë veten duke u veshur për çfarëdolloj eventi dhe për të vazhduar deri te përditshmëria e tyre.

Puna me veshjet është sa e bukur, aq edhe e lodhshme. Sa kohë ju marrin stilimet?
Shpeshherë mendoj se lodhja e kësaj pune është miks me kënaqësinë. Puna e lodhjes është si të shijosh dhe jetosh një ndjenjë të bukur, ndërsa gjëja që të lodh është ajo ndjesia që ndjen pas orëve të gjata të përkushtimit. Puna është jeta ime. Duke iu dedikuar asaj, lodhja shpeshherë kalon, por duhet të jesh shumë i kujdesshëm nga kjo gjë, sepse duhet të jesh shumë avangard, duhet të paraprish modën, duhet të nuhasësh çfarë kërkojnë dhe duan njerëzit. Unë mendoj që tashmë kanë filluar edhe meshkujt të kurohen dhe një pjesë e mirë të klientëve që kam e zënë ata. Tek femrat e kam gjetur sekretin, sepse femrat duan thjesht të jenë të bukura dhe mundohem t’i nxjerrë sa më mirë, ashtu siç ato duan.

Nga bashkëpunimet që keni pasur me VIPA-t, a ka pasur ndonjë hatërmbetje në lidhje me çmimet e veshjeve?
Të them të drejtën, nuk më ka ndodhur kurrë kjo gjë, sepse dera e ateliesë sime ka qenë dhe është e hapur në 20 vite për të gjithë artistët. Janë të famshëm, por gjendja ekonomike i kushtëzon artistët shqiptarë. Në veçanti në Shqipëri nuk është se kanë të gjithë mirëqenie apo pasuri të madhe, që mund t’i lejojnë vetes edhe shumë lukse. Historikisht dera e ateliesë sime përveç se gjithmonë kanë ardhur dhe kanë paguar, ka qenë e hapur dhe për ata artistë që unë e kam ndjerë apo që kanë ardhur dhe kanë kërkuar ndihmën time jo vetëm në pagesa, por edhe duke mos paguar. Duke qenë se i përkasim artit, ne kemi bashkëpunuar për të sjellë gjëra shumë të bukura.

Ka pasur ndonjë moment që keni thënë “Boll, mjaft më”?
Sidomos këtë periudhë e them çdo ditë (qesh). Gjithsesi, unë e thashë edhe pak më lartë që kjo punë është jeta ime. Pa të nuk mund të jetoj dot. Ngushëlloj veten duke thënë “Boll, mjaft, s’kam për ta bërë më”, por vazhdoj sërish.

Jeni aventurier? Cila ka qenë aventura më e rrezikshme?
Nuk jam aventurier fare, madje thashë të gjithë kohën time ia kushtoj punës. Më pëlqen shumë të jetoj në mal, të shkoj atje, ndoshta të fle me çadër jashtë. Nuk para dal. Ndihem mirë me grupin e miqve të mi.

Meqë jemi te miqtë, sa miq të shtrenjtë keni? A ju kërkojnë ndere?
Joni ka miq pafund, që kërkojnë edhe ndere, siç edhe unë kërkoj tek ta. Miku i vërtetë dhe që nuk të tradhton kurrë është Zoti dhe prindërit e tu. Fatkeqësisht babai im nuk ndodhet më, kështu që mikja më e mirë është nëna ime.

Dilni për jetë nate?
Nuk frekuentoj fare jetë nate, ndoshta se kur isha më i vogël kam pas dal shumë, siç është mosha e atillë. Madje e kam shumë të vështirë, pasi jam person shumë i ndjeshëm, prekem shpejt dhe i evitoj këto festat e mëdha. Edhe nëpër dasma nuk para shkoj.

Dehesh ndonjëherë?
Nuk para pi alkool. Kur pi ndonjëherë, arrij ta kap veten shumë shpejt që të qëndroj tek gota e parë.

Një femër ideale si do ishte?
Femra ideale do ishte një femër që të më kuptojë, ta kisha krahun tim të djathtë dhe që të kishim një familje me shumë fëmijë.

Keni menduar të debutoni jashtë me stilimet tuaja?
Nuk është hera e parë që debutoj jashtë me punën time. Kam shkuar shumë herë jashtë në shumë evente të modës duke filluar nga “Vogue Italia”, “Milano fashion week” dhe evente të tjera, që bëhen edhe në Amerikë e më gjerë, ku shkoj dhe debutoj me punën time.

Projektet tuaja të fundit?
Më sipër unë fola për projektin me të cilin po merrem aktualisht. Shumë shpejt fillon “Kënga magjike”, “E diela shqiptare” dhe të gjitha spektaklet e tjera në “Klan” dhe jo vetëm. Do jetë një vit shumë i ngarkuar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.