Kryesore

Direktiva 10/289 ose ligji përtej teatrit

08:30 - 26.09.18 Fatmira Nikolli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kanë nevojë për aprovimin tonë… nuk e di ç’natyrë ka ai miratim. Po të vlerësojmë jetën tonë, nuk do ta japim atë miratim. Edhe në rast se do të të torturojnë, mos jep”.




“Revolta e Atlasit” të Ayn Rand i kushton më shumë se 1000 faqe revoltimit të mendjes në një situatë absurdi ku pushteti del kundër shtetit, ku vendimet absurde kinse në dobi të publikut u paraprijnë ligje po aq absurde të paketuara si shpikja e madhe e shekullit. Emrat që mbajnë nismat, qoftë “Direktiva 10/289”, qoftë ligji 37/2018, koha kur vijnë, kur miratohen a kur ‘kthehen’, nuk ka rëndësi për aq kohë sa situatat përsëriten, si në romanet me miliona kopje, në shtetet me pak milionë banorë. Si në revoltën e Ayn Randit, ku mendjet e mëdha zhduken, në vendet me pak milionë njerëz banorët ikin nga sytë këmbët.

Me gjithë shembujt që japin librat, rrallë e tek ia dalim t’u ngjajmë personazheve idealistë që jetojnë mes parimeve të tyre pa u lëbyrur në realitetin e njëmendtë të botës që kemi lënë të jetë krejt ndryshe prej ëndrrave tona.

Ligji kontrovers i teatrit, e ka vënë secilin prej nesh, publik a artist, lexues a shkrues, studiues a përftues para një vendimi: cila është ana ime? Ku jam unë? Cila është e mira publike? Dhe cili është çmimi i fjalës a heshtjes sime? Sipas përgjigjes, një palë kanë marrë mbi vete damkën e një tjetër fjalën e vetminë.

Na është dashur (a e kemi bërë vërtetë?) të rrokim qartë se ka një vijë fort të hollë që ndan punën që shkon për shërbim të shtetit dhe punën që shkon në shërbim të pushtetit; të rrokim edhe se ajo fije e hollë shpesh mbulohet. Disave prej nesh na ka dalë nevoja të gënjejmë veten se ajo që bëjmë është e drejtë, sepse disi duhet të justifikohemi para ndërgjegjes se po ndërtojmë kombin kur vetmevete e dimë mirë se po e minojmë atë. Hapa të vegjël, shpesh kaq ‘naivë’ e ngatërrojnë Çezarin me Zotin dhe të dhjetën e kishës ia çojmë Satanait me vetëdijen e plotë se bëjmë detyrimin tonë. Duhet pra, vetëm të dish të lexosh shenjat, siç thotë Fra Uilliami i Umberto Ecos- t’i lexosh dhe të dish se zotërinjtë që dalin shëtitje me derrat, në fakt, kanë dalë në kërkim të tartufit. Mbasi t’i lexosh duhet të ndërtosh premisat e ndryshme për të kuptuar në fund se kush është Jorge i “Emrit të trëndafilit”. Por kjo, duhet gjetur para se të mbërrish në ditën e shtatë përndryshe, do kenë ‘vdekur shumë’. Biblioteka (teatri) do të jetë djegur e prej madhështisë nuk do ketë ngelur më nam e nishan veç ndonjë shënimi që një ditë do të përpiqet të thotë se ç’qe ajo që humbëm.

Ka gjithë këta muaj që absurdi është ulur këmbëkryq.

Individi tanimë nuk shihet si një mendim po si ‘zë buxhetor’ në këmbim të heshtjes së të cilit përkon një shumë. Ky nuk është më një vend ku jepen ide, po ku fshihen vendime. Ndaj intelektuali vlen për heshtjen e tij jo më për zërin e tij, për mendimet e blera jo për ato të dhëna;  për firmat e hedhura jo për ato të refuzuarat; për projektet e marra jo për sukseset e arritura; lëkura e tij vlerësohet për herët që është fotografuar krah pushtetit, jo për herët që ka ngritur një kauzë të drejtë kundër tij. Pas atyre që thyhen shpejt, janë edhe ata të qëndresës. Mund të gjejmë për ta, po të duam t’i bëjmë pis, etiketime pa fund: nga “të papunë” në njerëz që kritikojnë teksa të tjerë punojnë, njerëz që kundërshtojnë pa dhënë zgjidhje. E vërteta është se asnjëherë nuk “mbetet” i pastër ai që del kundër rrymës, në mos asgjë tjetër, “është me siguri i çmendur”. Ne e kemi vështirë të pranojmë një mendim që nuk na vjen për shtat ndaj e justifikojmë gjithsesi. Por ka në mes dy zona gri. Së pari, ata që nuk përshihen, sepse mendimi i tyre është tejet i vyer për t’u bërë palë. Po aty janë ata që nuk duan të pozicionohen, sepse duke qenë në mes mund ta kenë mirë me të dyja palët- kushdo të triumfojë. E po në këtë shteg, kalojnë edhe ata që i përgëzojnë të dyja, i ndihmojnë të dyja, sepse mendimi i tyre është aq i paqartë sa logjika nuk i lejon marrjen e një vendimi. Dhe në fund, askush nuk do të mendojë.

Në grinë e indiferentëve ka gjithsesi diçka që duhet të jetë e qartë e për të cilën nuk ka justifikim: heshtja në një luftë e në një konflikt, shkon për llogari të më të fortit. Nuk është assesi asnjanësi.

Po. Secili nga ne mund të zgjedhë të jetë me qeverinë ose me shembjen e TK-së, pasi të pranojë se: në vend të dy teatrove do ketë një, se nuk e di cili do jetë fati i TKEKS, se nuk e di fatin e truallit përreth, se nuk e di fatin e pedonales, se nuk e di si do jetë teatri i ri nga brenda, se godinat aktuale nuk kanë asnjë vlerë historike, emocionale e arkitekturore dhe se janë tejkaluar, shkelur dhe nëpërkëmbur një sërë ligjesh, procedurash, rregulloresh zbatimi i të cilave përbën diferencën mes një rendi demokratik dhe një rendi jodemokratik. Pasi të bini dakord për të gjitha këto, e t’i pohoni, atëherë po, mund të zgjidhni të shemben 2 për të ndërtuar 1, sepse do jetë njësoj si të firmosni vetë për datën kur jeta juaj merr fund- duke e pranuar pra, se fundi i jetës është vdekja.

Çështja nuk është më të jesh a të mos jesh, çështja tanimë është: të mendosh a të mos mendosh dhe le të besojmë se farsa që kemi blerë ia ka vlejtur.

“Nuk thonë që një peshk mund të jetojë pa ujë, as edhe një qen pa nuhatjen, por thonë se njeriu qenia më e ndërlikuar mund të mbijetojë gjithsesi, se njeriu nuk ka as identitet, as natyrë dhe se nuk ka një arsye praktike të mos jetojë edhe kur janë shkatërruar mjetet për të mbijetuar edhe kur mendja e mbytur i nënshtrohet çdo urdhri që atyre u shkon në mend të shpallin”,-thotë Ayn Rand, duke na kujtuar se “jemi ne që e bëjmë të mundur taktikën e tyre dhe për sa më gjatë të lejohet, aq më e thellë ka për të qenë humbja”.

Kemi kohë që na mësohet të besojmë se ardhmja ndërtohet duke u futur mes tufës, se e shkuara (komuniste) është streha e vetme ku lejohen kritikat, se vetëm vendimmarrësit kanë të drejtë t’i kundërshtojnë vendimet e veta në rast se ndodh që era që fryn të ndërrojë kahun e pemëve mbetur ende paprerë. E ndërkohë që ne citojmë të dënuarit e komunizmit për lirinë që kërkuan e jetën që dhanë, u bindemi atyre që na i marrin liritë kundër shembullit të tyre.

Na thonë se në këtë vend nuk ka njerëz që mendojnë. Dhe kur dikush mendon dhe e thotë mendimin e tij, e kundërshtojnë, sepse, për hir të arsyes e logjikës, askush që mendon nuk mund të bjerë dakord, si njerëz që pretendojnë se kanë marrë mbi supe barrën e mendimit nuk lejojnë njerëz që mendojnë, e sidomos ata që mendojnë ndryshe do i shpallnin të paligjshme vetëm për të vërtetuar se nuk ka mendim tjetër që vlen pos të tyrit. Për aq kohë sa janë në pushtet kjo metodë do ju sjellë fryte personale në terma afatshkurtër. Në ato afatgjatë, jo vetëm do humbin ndjeshëm: sepse dikush tjetër në pushtet do jetë mendimi i ‘ligjshëm’ dhe do i bëjë ata të ‘jashtëligjshëm’, por se ndërkaq do i kenë vrarë mendimet e lira të pavarura nga çatitë politike. Do të kenë krijuar një masë amorfe që nuk thotë asgjë. Një tufë zombish që është e paaftë të logjikojë, e që drejtohet vetëm nga ndjesi alogjike që e çojnë herë në një drejtim e herë në një tjetër në kërkim të së pamundurës së përhershme.

Parë në këtë rrjedhë, suksesi në blerjen e heshtjes dhe fjalës së intelektualëve, ka bërë dëm më shumë se asgjë tjetër. Kësisoj është krijuar një treg, ku mendimi blihet e shitet, si një fabrikë që prodhon armë, që mund t’ia shesë kujtdo, ndaj me gjasë në një të ardhme ajo tregti do të shërbejë kundra vetë atyre që e shpikën. Por një vend që blen e shet vetëm kaq, pra një vend që blen e shet nder e lavdi pa e merituar, blen e shet ligje, blen e shet vendime, është i destinuar të shkojë në fund, sepse është i vetmi prodhim dhe i vetmi konsum. Si i tillë një vend pa elitë intelektuale, sepse të tillë po përpiqen ta katandisin, nuk bën asgjë më shumë se dëm vetes. Do ta quaja të turpshme një tregti të tillë. A thua vetëm unë?

Roli i teatrit do të duhej të ishte nxitja e mendimit. Nëse institucioni dhe ajo që përfaqëson nuk ia ka dalë të nxisë të vetët, cili ka qenë roli i tij për publikun? Cili ka qenë funksioni i një teatri që nuk ia del të shpëtojë vetveten?

Së fundmi, një grup intelektualësh (disa prej tyre kanë vuajtur në burgjet komuniste) janë treguar të gatshëm ta mbrojnë teatrin nga shembja me trupin e tyre. Duket pra, se mendja dhe shkëmbimi i mendimeve nuk ka më vlerë e në vend të tij ka hyrë trupi në veprim.

Argumentet shteruan. A jemi krenarë për vendin që kemi krijuar?


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.