OPINION

Pse Erdogan pritet me “pompë” në Berlin?

07:30 - 27.09.18 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më 27 – 29 shtator, Presidenti turk Erdogan do të jetë për një vizitë zyrtare në Berlin, me ftesë të homologut gjerman Frank – Walter Steinemeir. Ai shoqërohet nga ministri i Jashtëm, i Brendshëm, i Financave dhe i Mbrojtjes, të cilët gjatë dy muajve të fundit kanë përgatitur dhe atmosferën e nevojshme me takime intensive dypalëshe në Berlin dhe Ankara.




Kjo vizitë vjen pas një « pranvere dhe behari » diplomatik gjermano-turk, duke lënë pas me demarshe të shumta dypalëshe « acarin » politik që pllakosi marrëdhëniet e tyre pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi dy vjet më parë.

Gjatë kësaj vizite, veç të tjerash, Erdogan do të zhvillojë bisedime gjatë një dreke dhe mëngjesi pune me Kancelaren Merkel; kurse mikpritësi, Presidenti Steinmeier do të shtrojë dhe një banket shtetëror për nder të tij. Presidenti Erdogan do të pritet me nderimet më të larta dhe me paradë ceremoniale, në kuadrin e një « visite d’etat » siç njihet në zhargonin diplomatik.

Ndaj, kjo vizitë ka nxitur shumë debate dhe polemika në Gjermani. Madje disa deputetë të së majtës, të gjelbërve dhe liberalëve dhe të tjerë kanë bojkotuar praninë në banketin shtetëror, ndërsa në qendër të Berlinit mbi 10.000 vetë do të protestojnë kundër kësaj vizite.

Në qendër të debatit të ndezur politik, mediatik dhe publik është nëse duhej ftuar Presidenti Erdogan në Berlin dhe nëse po, përse « me tapet të kuq » dhe me fanfara, aq më tepër pas disa shfaqjesh autoritariste, sulmeve ndaj shtetit të së drejtës, burgosjes së gazetarëve, përfshirë dhe ata gjermanë, përfaqësuesve të shoqërisë civile, etj. Dhe kur deri një vit më parë Erdogan lëshonte një tiradë të ashpër insinuatash për fashizëm ndaj Gjermanisë dhe Kancelares Merkel.

Për një analizë të drejtë dhe tërësore të dobisë së kësaj vizite kërkohet një përqasje dhe analizë e dyfishtë; nga këndvështrimi real i politikës ose interesave themelore të këtyre dy vendeve me pikat bashkuese dhe ndarëse dhe së dyti në aspektin e « diplomacisë etike » d.m.th. mbi bazën e vlerave dhe parimeve themelore, të drejtat dhe liritë e njeriut, shoqëria civile, liria e medias, etj.

Përvoja teorike dhe praktike e marrëdhënieve ndërkombëtare tregon me shembuj të shumtë se realpolitika, kur nuk shoqërohet natyrshëm me diplomacinë etike humbet idealin dhe frymëzimin e nevojshëm për sukses afat-gjatë; nga ana tjetër, diplomacia etike, kur mbështetet vetëm mbi parime/vlera, por e shkëputur nga « real politika » humbet objektivin dhe synimin e saj e për pasojë nuk jep rezultatet e synuara.

Mbi këtë bazë, ftesa e palës gjermane për këtë vizitë është e justifikueshme; sepse siç pohon europarlamentari gjerman Elmar Broek, ndër ekspertët më të mirë të politikës së jashtme dhe sigurisë gjermane dhe evropiane gjatë 30 viteve të fundit « po qe se Gjermania do të ftonte vetëm liderë demokratë, atëherë ajo do të ndihej e vetmuar ». Këtu Broek shpreh realitetin e hidhur të këtyre viteve të fundit kur po shtohen liderët e vendeve demokratike me prirje autoritariste/populiste; tanimë ata i gjen dhe brenda vetë BE-së.

Në rrethanat e sotme tejet të ndërlikuara të brendshme dhe ndërkombëtare, politika dhe diplomacia efikase me vende dhe fuqi të tilla me peshë të madhe si Turqia nuk mund të bëhet më vetëm me izolim, refuzim dhe ultimatume, as me sanksione dhe shkëmbime akuzash, por me dialog, afrim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm në planin dy dhe shumëpalësh. Siç shprehet Fareed Zakaria, gazetar dhe mendimtar i njohur indiano-amerikan « diplomacia ka të bëjë me kosto/përfitime dhe jo me teologji».

Në planin dypalësh, në fushën jetike të tregtisë, Gjermania është partneri i parë i Turqisë; vëllimi i tyre tregtar vitin e kaluar arriti në 36 miliardë kurse investimet 52 miliardë dollarë; në Gjermani ka 80.000 biznese turko-gjermane ku janë punësuar gjysmë milioni vetë, kurse në Turqi 7500 biznese gjermane. Në prag të kësaj vizite, gjigandi gjerman «Siemens » nënshkroi kontratën me vlerë 35 miliardë euro për ndërtimin e një linje hekurudhore super të shpejtë në Turqi, etj.

Ndërkohë, numri i pushuesve gjermanë në Turqi kapi shifrën 3, 6 milionë vetë pas rënies së ndjeshme më 2016 dhe deri në fund të këtij viti besohet se ai do të kalojë shifrën e mëparshme prej 5,6 milionë vetë, duke mbetur destinacioni kryesor turistik për Gjermaninë.

Përtej kuadrit dypalësh, të dy vendet kanë shumë interesa të përbashkëta strategjike në rajon dhe në botë. Kështu, nisur nga tentativat për krijimin e qendrave të reja drejtuese për një botë multipolare, të demarsheve ruse, kineze, të politikave dyshuese të Presidentit Trump ndaj multilaterizmit, etj., Gjermania dhe BE-ja janë të interesuar që ta mbajnë sa më pranë Turqinë. Nga ana tjetër, divergjencat e fundit Turqi – SHBA mund të dobësojnë dhe vetë kohezionin brenda NATO-s, duke çuar ujë në « mullirin e Putinit »

Nisur nga sa sipër, Berlini zyrtar është i vetëdijshëm për pasojat e pallogaritshme të dëmtimit apo prishjes së aleancës strategjike me Turqinë dhe në aspektin ushtarak e të sigurisë. Turqia si krahu i fuqishëm jugor, ka ushtrinë e dytë më të madhe në numër në NATO pas SHBA-ve; ajo është korridor strategjik për në Kaukaz dhe nyja lidhëse me Lindjen e Mesme dhe Rusinë; jo rastësisht është zgjedhur me kohë si vendkomanda e forcave tokësore të NATO-s për Evropën dhe Radari Qendror i Mbrojtjes Raketore të Europës.

Vlen të përmendet se përpara disa ditësh Erdogan arriti me homologun rus Putin marrëveshjen për krijimin e një korridori humanitar, duke shmangur një krizë dhe katastrofë të paparë humanitare në rajonin Idbil. Aty ka tre milionë civilë dhe një numër të madh terroristësh/ekstremistësh, nga të cilët në rastin e një sulmi tjetër ushtarak, 2 milionë vetë do të kërkonin azil në Turqi; kjo e fundit është ngarkuar nga OKB-ja të mbikëqyrë zonën dhe armëpushimin në atë zonë të nxehtë vetëm 30 km larg kufirit të saj.

Bashkë me Jordaninë, Turqia është vendi me kontributin më të madh në strehimin e mbi 2 milionë refugjatëve gjatë tre viteve të fundit, me një kosto marramendëse prej 32 miliardë dollarë amerikanë! Ndërkohë, marrëveshja BE – Turqi ishte dhe mbetet shpëtimtare dhe ka ndikuar në uljen e azilkërkuesve 95 për qind për BE-në dhe mbi 70 për qind në Gjermani.

Pavarësisht nga debatet dhe akuzat e ndërsjella, kjo marrëveshje po respektohet nga Turqia. Rëndësia e saj rritet pas debateve të ashpra dy muaj më parë në Berlin brenda koalicionit të tanishëm gjerman lidhur me frenimin dhe stopimin e dyndjeve të refugjatëve dhe kur disa vende nuk pranojnë asnjë lloj bashkëpunimi, duke përfshirë së fundi Italinë.

Ja pse, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas më 5 shtator gjatë vizitës në Ankara pohoi se « për Gjermaninë, Turqia është shumë më tepër se një vend i madh fqinj» Ndërsa, Presidenti Erdogan, është shprehur se vizita e tij « synon forcimin e bashkëpunimit për t’i dhënë fund tensioneve të viteve të fundit ».

Problemi tani qëndron në integrimin e realpolitikës me aspektin etik, d.m.th. pajtimin e interesave të përbashkëta të këtyre dy vendeve dhe bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi me parimet dhe vlerat universale të BE-së, në kushtet e kritikave të shumta ndaj Turqisë. Por dhe nga pikëpamja e diplomacisë etike, kurrkush nuk ndalon liderët gjermanë që gjatë asaj vizite, në të gjitha rastet, natyrisht me gjuhën e duhur diplomatike t’ia bëjnë të ditur pozicionet e tyre politike dhe kundërshtitë ndaj politikave të Erdoganit dhe shkeljeve të ndryshme të të drejtave të njeriut, lirisë së shtypit, etj. Gjithashtu, vërejtje dhe komente të tilla mund të bëhen dhe në kontaktet e mëvonshme dypalëshe dhe në forumet ndërkombëtare. Madje, efekti i këtyre vërejtjeve dhe kritikave mund të jetë dhe më i madh se refuzimi për një vizitë apo dhe i disa ceremonialeve simbolike.

«Dakord» – shprehen më të tërhequr kritikët – « por përse kjo vizitë me «pompë» dhe bujë, përse vizitë e nivelit më lartë protokollar? Mund fare mirë, siç thonë disa politikanë të gjelbër, të ishte «vizitë pune» d.m.th. Erdogan të takohej me drejtuesit më të lartë gjermanë, një darkë apo drekë pune dhe u lamë!

Kush ka punuar në diplomaci e di mirë se vizita të tilla janë rezultat i bisedimeve dhe demarsheve të shumta diplomatike, ku nga të dyja palët, dhe sidomos nga mysafirët vihen një sërë kushtesh, kërkesash protokollare. Mosplotësimi i tyre në tërësi mund të çojë deri në shtyrjen/anulimin e një vizite të tillë ose më e pakta në prishjen e klimës së nevojshme në të tilla raste.

Veç kësaj, nga çdo anë që ta marrësh, kur ti fton një President të sapozgjedhur me votim demokratik, pavarësisht nga problemet, ti je i detyruar të respektosh dhe të tregohesh bujar me mysafirin, aq më tepër kur bëhet fjalë për Turqinë. Gjithsesi, dhe nga ana protokollare, është hera e parë nga viti 2014 që Erdogan pritet në këtë format, pas disa vizitave të tij të mëparshme si kryeministër dhe president.

Shkurt, po qe se ftesa gjermane nuk do të ishte e këtij formati, ajo nuk do të sillte ndonjë hap përpara, por mund të prishte klimën dhe atmosferën premtuese ndërmjet dy vendeve, duke ngadalësuar ritmet e përparimit në dialogun e tyre politik. Kësaj i thonë «të prishësh dasmën për një kokërr limoni»

Aq më tepër, që për kompensim të «bujarisë» protokollare gjermane, edhe pala turke, për të cilën kjo vizitë ka më shumë përfitime të gjithanshme është tërhequr në dy pika të rëndësishme: Erdogan nuk do të zhvillojë takim me përfaqësues të komunitetit të madh gjermano-turk dhe nuk do të mbajë fjalim përpara mbështetësve të vet gjatë vizitës në xhaminë më të madhe turke në Këln më 29 shtator përpara largimit, çka mund të sillnin «kokëçarje» të mëdha për palën gjermane.

Ja pse ftesa gjermane për Presidentin turk është me vend dhe në kohën e duhur; ajo përbën një mësim të mirë dhe për vende të tjera, përfshi ato të vogla, për të qenë të hapur e pragmatikë, jo skllevër të verbër të dogmave, sloganeve dhe parimeve etike, kur këto të fundit janë jashtë realiteteve sfiduese ekzistuese dhe në ndryshim e sipër. Vetëm kështu, problemet, vështirësitë dhe pengesat e ndryshme nuk do të jenë gardhe dhe mure ndarës, por blloqe dhe ura pajtimi, miqësie dhe bashkëpunimi për vendet dhe popujt e tyre.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.