OPINION

Boomerangu i Rilindjes me manipulimin televiziv të Xhisielës

09:34 - 02.10.18 Andi Bushati
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ka një serë episodesh nga dy intervistat e Xhisiela Malokut që tregojnë se ajo vetëm fizikisht ishte në studiot e “Opinion” dhe “Open”. Fjalët e asaj 25-vjeçareje të marrë peng, ishin pjesë e skenarit të përgatitur nga përdhunuesit e saj. Dhe këtu fjala nuk është për versionin qesharak se ajo herë pas here, ashtu sikurse i dashuri i saj, vetëdigjeshin me cigare. Fjala nuk është as tek gënjeshtra e shëmtuar se shenjat e dhunës ishin si pasojë e një aksidenti të mëparshëm me makinë (kur ajo ka shkuar menjëherë të bëjë ekspertizën mjeko ligjore).




Po ka disa detaje më të vogla që atë e nxjerrin zbuluar. Që kur dha intervistën e parë, u hapën fjalë se Xhisielën e shoqëronin deri në studion televizive përdhunuesit e saj. Kjo u vërtetua edhe të hënën në mbrëmje në “Open”.

Ndërkohë që ajo, pjesëtare e një familje ku dy motrat janë të papuna dhe ku jetojnë vetëm me pagën e nënës, deklaroi se kishte vajtur nga Nikla në Durrës me taksi, gazetarja Anila Hoxha dëshmoi se atë e kishin sjellë të shoqëruar me një veturë private.

Pse duhet të gënjente, për të mos denkonspiruar ata që e mbajnë peng? Episodi i dytë u zhvillua në studion e Fevziut. Ajo gjendej aty, po jepte intervistë dhe po përballej me gazetarët dhe kur u pyet për atë që kishte thënë në Top Channel, ku po fliste në të njëjtën kohë, deklaroi: “Intervista në “Open” ishte e manipuluar”.

Ku pati mundësinë ajo ta shikonte ç’kishte transmetuar Top Channel, apo ia çuan me mesazh përdhunuesit e saj ?

Episodi i tretë: Gazetarja Eni Vasili ka deklaruar së fundi se Xhisiela nuk ishte e kënaqur me intervistën e dhënë për të të dielën dhe i kërkoi me ngulm që mos transmetohej se e kishin urdhëruar të rrëfente një version të ri në “Opinion”. Eni Vasili pretendon se ka ruajtur edhe mesazhet që e tregojnë këtë.

Pse duhet të jepte një version të dytë, se përdhunuesve nuk i kishte pëlqyer i pari?

Episodi i katërt: kur gazetarja Klodiana Lala e përballi tek studioja e Fevziut me alibinë se dëmtimet fizike të shkaktuara në një aksident me makinë (alibi që atë e detyruan ta thotë shumë më zbehtë në “Opinion”), nuk ishin ato për të cilat fliste ekspertiza mjeko ligjore, Xhisiela e gjorë, që nuk kishte një qëndrim të aty për atyshëm, u kap ngushtë dhe e braktisi studion ku duhet të vinte fytyrën e saj mbi mashtrimet që kishin gatuar mjeshtrat e rilindjes.

Kështu pra këto dy emisione, që tentuan të manipulohen nga përdhunuesit e saj, për bërë alibinë e pafajësisë së tyre, dëshmuan për tjetër gjë. Ato treguan se Xhisiela është rob. Se ajo pilotohet, markohet, përgjohet dhe vazhdon të përdhunohet nga njerëzit që e bëjnë këtë sistematikisht prej një viti.

Deri këtu, besoj e kuptuan të gjithë që i panë ato intervista. Por, problemi është se kjo histori i ka kapërcyer kufijtë e një marrëdhënie mostruoze mes xhelatit dhe viktimës. Tani me xhelatin është bërë i tërë pushteti që po e lejon ta vazhdojë ky krim. Prandaj emisioni i sotëm nuk qe një boomerang për deputetin Rahja dhe për të birin që vetëm e paska përkëdhelur të “dashurën xheloze”, por për të gjithë makinerinë e propagandës oruelliane që qëndron pas tyre.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.