KULTURË

Matteo Mandala: Reforma në shkencë duhet të jetë rrënjësore

18:00 - 02.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Anëtari i nderit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, arbëreshi Matteo Mandala është i mendimit se reforma duhet të jetë rrënjësore, në të mirë të kërkimit shkencor dhe mirëfunksionimit të institucioneve që e prodhojnë shkencën, që në të vërtetë janë njerëzit e shkencës. “Duhet me patjetër një reformë rrënjësore, por më përpara se të jetë në institucion duhet të jetë një reformë. Një revolucion kopernikan në kulturën e individëve. Duhet kuptuar që të jetosh në një botë aq të ndërlikuar dhe të përballesh me sfida të mëdha që vijnë nga bota duhet të jesh i përgatitur”, shprehet Mandala për “ABC News”.




Debati është gjithnjë i mirë për Mandalanë, por ai thotë se të jesh kundër, do të thotë që ti e ke një zgjidhje, në të kundërt je i pabesueshëm ndaj kauzave që ngre. “Më parë se të flasësh, duhet të kesh përgjigjen, zgjidhjen gati sepse një nga mjeshtrit e mi që pata në universitetin e Pisa-s më tha një ditë dëgjo biri i mi, kur një problem quhet problem domethënë që ka një zgjidhje, kur problemi nuk ka zgjidhje, quhet tragjedi”, thotë ai. Ndërkohë që fjalimin e kryeministrit Edi Rama e krahasoi me shungullimën e De Radës. “Sepse angazhima e tij ka qenë si shungëllima e De Radës, që domethënë një tërmet që na ka dhënë mundësinë të kuptojmë që jemi në fund dhe shumë afër honit. Rreziku që të biem në hon, në ferr mund të jetë shmangur nëse tregojmë kurajën që të vetëreformohemi”, thekson albanologu i njohur. Mendimi më i mirë sipas profesor Mandalas është ai i dalë nga grupi i punës i udhëhequr nga Skënder Gjinushi, por ai pranon se duhen parë edhe vërejtjet e akademikut Artan Fuga.

“Unë kam ndjekur grupin e punës të drejtuar nga Skënder Gjinushi. Dua të falënderoj dhe Artan Fugën për punën e tij dhe theksoj që debatet që zhvillohen midis dy të shurdhër duhet të jenë të ballafaquar në mënyrë demokratike, të hapur dhe duke i njohur tjetrit të drejtën e fjalës. Po duhet që të gjithë të jenë në gjendje të kuptojnë se ku e ka më të mirë tjetri dhe të gjejnë një kompromis”, shprehet Mandala. Tkurrjes së elitave dhe mendimit shkencor në kohët moderne, Mandala i jep këtë shpjegim. “Elita në shkencë krijohen me sakrificë, me flijime, me studime, me botime dhe me kërkime shkencore dhe kjo nuk varet vetëm nga intelektuali dhe studiuesi, varet dhe nga sistemi”, thekson ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.