KULTURË

Viti 1989 rumunë në Shqipëri

16:20 - 02.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Viti 1989 nisi pa asgjë të veçantë. Rutina e një dite të zakonshme ishte e njëjtë për dekada dhe miliona rumunë ishin pajtuar me të, në një simbiozë të plotë të përditshme. Në njërën anë kishte marshime festive kolektive dhe spektakle dedikuar lëvizjes komuniste, fjalime dhe seanca ideologjike, plane pesëvjeçare të realizuara në katër apo tre vjet. Nga ana tjetër, njerëzit jetonin në një gjendje varfërie progresive, me sende ushqimore që ktheheshin në mite, me spitale që, pa pajisjet dhe teknologjinë e duhur, shpesh përdoreshin për trajtimin empirik të pacientëve, me shkolla dhe miliona banesa që nuk kishin ngrohje në dimër ose ishin periodikisht pa ndriçim.




Rumunët jetonin në një robëri të plotë terrori. Vjeshta e vitit 1989 shënoi shenjat e para të ndryshimit, por ato nuk ofruan shpresë të menjëhershme për çlirim, veçanërisht pasi Nikolae Çaushesku kishte përgatitur rizgjedhjen e tij si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste rumune gjatë Kongresit të 14-të të Partisë, të zhvilluar në nëntor 1989.

Çlirimi erdhi papritur, me mosbindjen civile në Timishoara në sfond dhe me transformimin në kryengritje të një tubimi propagandistik në Bukuresht, që ishte planifikuar në mes të dhjetorit 1989 për të mbështetur ideologjinë e Partisë Komuniste. Për disa ditë, koha mbeti pezull në histori dhe një gëzim i plotë, një qetësi e pakrahasueshme çlirimi nga një robëri që dukej e pashmangshme, filloi të ndihej.

Fotografitë e ekspozitës janë përzgjedhur për të ilustruar realitetin e vitit 1989, që nga rutina e jetës së përditshme komuniste deri në shpërthimin e gëzimit që përjetuan rumunët në fund të po atij viti.

Ajo që bie në sy në këtë ekspozitë është ngjashmëria e fotove dhe e realiteteve të asaj periudhe mes dy vendeve: arkitektura e blloqeve të reja të banimit, fotot propagandistike të dyqaneve të mbushura plot me produkte dhe me foton e diktatorit për të treguar “bollëkun” që i kishte sjellë popullit socializmi, mbledhjet e stafit me grafikët e planeve pesëvjeçare, tabelat e emulacionit dhe të fletërrufeve, veshjet dhe shprehja e emocioneve të gëzimit përzier me frikën ende të pranishme.

Historia që përjetoi Shqipëria për rreth 45 vjet nuk ishte shumë e ndryshme nga ajo që përjetuan Rumania dhe vendet e tjera të bllokut komunist, të cilat përmes represionit të paprecedent dhe kultit të individit ishin shkaku i mbi 100 milionë viktimave.

Shqipëria dhe Rumania pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore krijuan sisteme politike të modeluara në BRSS. Të dyja vendet përjetuan themelimin e Partive Komuniste dhe krijimin e regjimeve komuniste, të cilat më vonë do të rezultonin të ishin më të ashprat jo vetëm në rajon, por edhe në një shkallë më të gjerë.
Brenda 1 muaji, gjatë vitit 1989 në Rumani ndodhi transformimi i madh politik. Ndryshe nga vendet e tjera të Evropës Lindore, ai ishte i përgjakshëm dhe i dhunshëm. Fotot me tanke e me të vrarë anës rrugëve të Bukureshtit janë mbresëlënëse.

Por 1989-a rumune ishte vit i rëndësishëm edhe për Shqipërinë. Ngjarjet e Timishoarës e të Bukureshtit ndikuan fuqishëm në Shqipëri. Ishte rënia në mënyrë të dhunshme e regjimit komunist në Rumani dhe fundi tragjik i Çausheskut, që e tronditën thellë regjimin komunist shqiptar. Qeveria shqiptare e asaj kohe, duke pasur informacion rreth situatës në Rumani, u ballafaqua ndryshe dhe i menaxhoi ndryshe protestat studentore të viteve 1990-1991, duke hyrë në dialog dhe duke bërë lëshime për të shmangur një përfundim të ngjashëm brutal.

Kjo ekspozitë me autor Dr.Adrian Majuru vjen në vazhdën e bashkëpunimit midis Muzeve të Bashkisë së Bukureshtit dhe Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, i cili filloi në pranverën e vitit 2018 përmes ekspozitës: “Albania’s Road of Communism” mbi regjimin komunist në Shqipëri, të hapur në Bukuresht, në Pallatin Suþu, nga Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 30 nëntor 2018.
(Shkrimi i mësipërm është bazuar mbi të dhënat dhe përshkrimin që i është bërë ekspozitës nga Dr.Adrian Majuru – Drejtor i Përgjithshëm i Muzeve të Bashkisë të Bukureshtit dhe Etleva Demollari – Drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.