KULTURË

Papagjoni: Shfaqja më e mirë? Kishte regji, jo aktrim!

16:45 - 03.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Josif Papagjoni* – …Çdo festival, në thelbin dhe tërësinë e vet është një FESTË, pra një takim artistësh i shoqëruar me ngazëllimin e krijimeve të shoqi-shoqit. Por është dhe një garë vlerash, ballafaqime përvojash, pranëvënie stilesh, mënyrash të konceptuari, metodash teatrore e regjisoriale, gjer dhe profilesh e individualitetesh. Festivali i këtij viti i teatrove të hapësirës kombëtare – Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi – solli 14 trupa me 14 shfaqje të natyrave e dimensioneve të ndryshme. U lakua shpesh se ishte festivali i rinisur pas 20 vjetësh. Jo! Në 2005 ishte i fundit. Dhe pikërisht këtu, në Tiranë. Por 13 vjet pa bërë një festival teatrosh është kohë e gjatë. E për çfarë konkurrimi, çfarë nxjerrjesh në spikamë a ballafaqimi përvojash mund të flitet në këtë ndërmjetme kohore ku dhe kur harrohet shumëçka?! Prandaj dhe kërkesa e shprehur aq shpesh edhe më parë, për të bërë një festival të vijueshëm, të rregullt, të institucionalizuar – ose në Tiranë, ose radhazi në tri qendrat e mëdha urbane të shqiptarëve, Tiranë, Prishtinë, Shkup – është një kërkesë që koha e ka vendosur herët mbi tavolinën e komunitetit teatror. Një festival me një status e marrëveshje mes tri ministrive të Kulturës së shteteve gjegjëse.




NEVOJA PËR FESTIVAL
U shqiptua kjo dëshirë nga shumë vetë, u lakua nga drejtori i Teatrit Kombëtar, regjisori Hervin Çuli, u mbështet haptazi edhe nga ministrja e kulturës Mirela Kumbaro. Bukur! Por fjala duhet mbajtur se! Me sa mbaj mend unë, kështu është thënë përherë, qysh nga festivali i parë i quajtur “mbarëkombëtar” i vitit 1993, kur ende shpresa shijohej e përtypej plot shije e lezet nga gjithkush prej nesh, gjer dhe kur breshërimat e automatikëve shurdhonin veshin e gjithsesi bëhej teatër, madje festival… Pra, ka ardhur koha, më në fund (të fundit!), që të bëhemi seriozë dhe mos të tollovitemi ende me rrena, iluzione, premtime, gënjeshtra për veten dhe për të tjerët.

Kjo kërkon jo llafe e premtime të dhëna pa teklif e studim, por projekt, para, fonde, buxhet të paraparë dhe të fiksuar në zërat gjegjës të Ministrisë së Kulturës, si diçka që nuk diskutohet më, por rri e ngulitur; që ËSHTË. Dhe kur “është”, domethënë duhet të bëjmë një punë paraprake përzgjedhëse, jo ç’na del përpara; ngarkohet një selektor a një juri paraprake që rekomandon shfaqjet më të mira. Doemos edhe paralajmërohen kriteret e festivalit. Sepse edhe te ky festival ka, gjithsesi, një paujdisje: drama nga repertori botëror dhe drama nga autorët tanë. Tragjedi, drama, komedi dhe farsa. Klasike apo bashkëkohore? Çfarë do parapëlqejmë? Zgjidhja nuk është e lehtë. Ky festival tashmë u “paketua”. Po nesër? Me të drejtë u tha se kahu mund të ndryshojë: çdo dy vjet të bëhet një festival, një herë më drama shqipe e një herë me drama të huaja.

Kjo duket si zgjidhja më e arsyeshme sipas meje. Ta bësh çdo vit është më e vështirë, produkti është i pakët për të përzgjedhur syresh, do të krijohen të çara e kompromise për të pranuar gjëra të paarrira, të dobëta, thjesht për efekt përfaqësimi. Gjithsesi, më në fund duhet ta ringremë traditën e bukur të festivaleve, filluar nga i pari në vitin 1961. Të ngremë forumin e rrahjes së mendimit dhe kritikës ndërtuese, dashamirëse, të drejtpeshuar, që nuk lazdron e përkëdhel me epitete bajate (i madh, kolos, i shkëlqyeshëm, gjigant, vip e brofka të tjera kësisoj); që nuk nxin, mohon dhe fyen djersën e shqetësimit dhe të lumturisë krijuese të artistëve, por e nxit atë për shpërfaqje vlerash, stilesh e vetjakësish edhe më të epërme; që e thotë në sy të vërtetën, haptazi, me dinjitet dhe ndershmëri dhe nuk e përgojon, as e ndyn kafeneve porsa ti kthen shpinën dhe të të nxjerrin gjuhën, një gjest ky prej tinëzakësh, ziliqarësh, snobësh, frikaçësh dhe shpirtngushtësh. E them këtë se në “debatet” që u organizuan kishte tepri “sheqeri”, lavdërime dhe pak kritikë.

Sa u nis diçka nga kritiku Miho Gjini, pasoi reagimi i ashpër dhe u kërkua sërish lustra: mos më prek që të të mos prek! Jemi mirë të gjithë, vërejtje s’ka, shfaqjet qenë të shkëlqyera, të mrekullueshme! Ah, çfarë gënjeshtrash!… Tavolina e kritikës ishte një dështim, ani pse diku-diku edhe u shqiptuan disa ide e vlerësime. Por që të funksionojë siç duhet, ajo lipset të institucionalizohet si forum i paguar kritikësh të njohur, të cilët kanë autoritetin e dëshirueshëm dhe janë të paramenduar si pjesë e projektit. Mendimi dhe vlerësimi të vijë në formë oponencash të përgatitura mirë e të argumentuara, ose të një gazete a buletini, ose të një portali a rubrike në mediet elektronike e forma të tjera. Pa kritikë serioze dhe të përgjegjshme, teatri do nanuritet me ninullat prej snobësh dhe deliriume prej provincialësh e qerthujsh të ngushtë, ku të gjithë dalin “fenomenal”, të “jashtëzakonshëm”, që barabiten e konkurrojnë teatrot evropiane!…

ANALIZA E SHFAQJEVE
Në analizën e një festivali me 14 trupa e shfaqje teatrore duhet hapësirë më e gjerë, andaj dhe do të jem i shkurtuar në vlerësimet e mëposhtme.
“Medea”-Sipas meje, nga shfaqjet më të bukura, tërësore në elementët përbashkues teatror, ishte “Medea” nga teatri “Kujtim Spahivogli”, ku përpos përjetimit tragjik të aktores Luiza Xhuvani, fituese e çmimit si aktorja më e mirë, e cila solli një nga sipëritë e aktrimit të saj me patosin, klithmat, zhgënjimin, urrejtjen, fuqinë hipnotike dhe transhendecën (sa përmes dimensionit të mitit aq edhe përmes gruas së sotme në zgripin e dëshpërimit të thellë), po aq mirë ishte edhe kori që erdhi si personazh i njësuar e përplotësues, më tutje Kreonti i Viktor Zhustit, për të lavdëruar si nisje edhe Kristian Koroveshin me rolin e lajmëtarit, gjer te kostumet e trajtuara me mendim dhe në shumësi përfaqësimesh karakteriale të Sofi Karasë. Shfaqja e dytë që më la mbresë për nga përmasa dhe dramaciteti ishte “Vdekja e Dantonit” e Teatrit Shqiptar të Shkupit. Leximi regjisorial i Dino Mustafiq ishte sipas meje një sfidë për regjisorët tanë. Paçka se trupa aktoriale nuk ishte siç do duhej të ishte në një shfaqje të këtij dimensioni (nuk përfshij këtu disa aktorë si Refet Abazi a ndonjë tjetër), Mustafiq e goditi mendjen time me parabola të lexueshme, që e abstragonin kohën dhe shkonin përtej saj. Do të kujtoja atë pjerrinën e pushtetit ku rreken të ngjiten në majë, por bien e thyejnë zverkun, e cila mbushet me gjak herë pas here nga prerja e kokave në gijotinë ose shndërrohet në një yllësi ëndrrash të bukura a shtjellë tramundanash; kthimi në boomerang i këngës së revolucionit jakobin, mbjellja e të drejtës dhe “virtytit” përmes tmerrit; ai vinç hekuri në mes të skenës që luante rolin e një darke orgjish e mejhane turmash të eksituara nga gjaku dhe kaosi, të një gjyqi a një katedre ligjërimi, të një fuge a një peshoreje ku lëvizte pushteti mes Robespierit, Dantonit e të tjerëve pas tyre; ato këpucë të hedhura skenës prej të vrarëve të shumtë, prerja e kokave me flamurin e Francës dhe fshesa që i largon të vrarët nga skena. Ishte një shfaqje “regjisoriale”, por deri këtu, jo më tej.

Më la mbresë të mirë teatri “Migjeni” me shkrirjen e dy pjesëve të Fishtës “Gomari i Babatasit” dhe “Visku”. Është version i tretë që e shoh këtë vepër të Fishtës nga teatrot tona. Dhe mbetet aq aktuale, fare e sotme. Dhe them me vete: sa pak paskemi ndryshuar, jemi po ata anadollakë, lindorë, hajna, grindavecë e të papërgjegjshëm si dikur në satirën e At Gjergjit. Spikama e thukët e Altin Bashës si regjisor për të bërë përngjasime me parlamentin tonë dhe dallkaukët e tij, madje edhe me aludime për kryeministrin e vendit duke e identifikuar me poturet, atletet, replikat e caktuara etj., ia ka mprehur tehun e drejtpërdrejtë politik që ka. Piskatori, Brehti e gjer te Robert Uillsoni e shfrytëzonin haptazi qasjen politike në shfaqjet e tyre dhe kjo është e mirëpritur në një lexim a shqetësim regjisorial. Por unë në satirën e Fishtës nuk shoh këtë kah kundërvënës, siç është bërë në shfaqje, me një opozitë që merr përsipër përfaqësimin e të shëndetshmes. Vallë vërtet e tilla është opozita në parlamentin tonë? Mendja mua do të më rrihte më shumë si Fishta, që edhe atë kinse “opozitë” ta shihja në llomin dhe sahanin e korrupsionit, siç bëhet në fund të shfaqjes kur pozitë dhe opozitë zdërhallen së toku në ushqim, përqafime e pije.

Te kjo kahje mund të gjendej një mënyrë tjetër e paraqitjes së ligjërimit denoncues, sikundër “kori i instrumenteve” mund të vihej edhe më shumë në funksion muzikor, ironik dhe tallës në bashkëshoqërim, ndoshta, të veprimit të deputetëve. Gjithsesi, shfaqja kishte energji, ndërveprim kjo falë aktorëve dhe ngulmit regjisorial.
“Kaligula”- Për shfaqjen e Teatrit Kombëtar të Prishtinës “Kaligula” të Kamysë do doja të diskutoja paksa. Nga pikëpamja formale, pra si gjetje dhe zgjidhje regjisoriale të mirëfillta që burojnë dhe nuk burojnë nga teksti, si veshje dhe si vezullim teatror, unë rishtazi e shoh regjisorin Kushtrim Koliqi në spiralen e tij ngjitëse drejt paradigmave teatrore moderne. Por kërkimet e tij më shqetësuan disi, pasi m’u dukën përtej tekstit, ose të shprehem më qartë, “kundër” tekstit dhe domethënies që buronte andej. Kamy shtron te “Kaligula” problemin e dhunës, shkakun pse ajo nuk ndalet, pse gjallon, pse nuk resht. Kaligula dhunon se egoja e tij e tejkalon cakun, barabitet me gravitetin kozmik. Ai kërkon që t’i sjellin hënën, t’ia zbresin poshtë. Shikoni çfarë përmase arrin absurdi i mendjes dhunuese! Kaligula e di se të gjithë janë të përulur, e pranojnë dhunën e tij, pushtetin e pacak, poshtërimin turpërues. Dhe nuk ngrihen dot. Askush nuk guxon t’ia fut shpatën e përbetimit drejt e në kraharor. Pikërisht neveria e tij ndaj puthadorjes, ndaj meskinitetit të senatorëve e patricëve, ku nuk shikon kurrkund një hero, e bën atë krahas tërbimit dhe dhunës cinike ndaj tyre, edhe një njeri të mjerë, që e provokon vetë vrasjen e tij prej dikujt, por që askush dëshpërimisht s’e vret. Kjo humbellë njerëzore, ky nënvizim i deheroizmit dhe absurdit, nën një qaje të thukët psikologjike në gjithë deliriumin e krimit dhe epshit vetëvrasës, nuk erdhi në përmasën e duhur te kjo shfaqje. Dhuna, paçka se e vrazhdët dhe gjegjësisht modelit të “Teatrit të egërsisë” së Artos e pasuesve të tij, u kufizua vetëm te dhuna seksuale, edhe kjo tejet e përsëritur, pra e tepruar dhe pa arsyetim, e kthyer në qëllim më vete.

Nga gjetjet e mprehta të regjisorit ishte kalimi i “kurorës” perandorake të Kaligulës nga njëri personazh te tjetri duke e përgjithësuar fenomenin e diktaturës dhe dhunën. Pra, diktatorët dhe diktaturat janë të kudogjendshme e të përhershme, ashtu sikundër jemi ne ata që e mbajmë një regjim tiranik, e ushqejmë, e përligjim, qoftë me frikën dhe pasivitetin tonë, qoftë me adhurimin dhe shërbimin që i bëjmë. Te kjo shfaqje mund të diskutohet, po ashtu, nevoja ose jo e futjes së teksteve shtesë, parazitare a në funksion të theksimit të një ideje a një qasjeje aktuale të tekstit të hershëm me realitetin e sotëm shqiptar etj. Ka regjisorë që e pëlqejnë këtë për ta bërë më provokuese dhe të thukët shfaqjen. Po te “Kaligula” pse duhet? Çfarë ideje shtoi ai tekst, shpesh parazitar dhe i një retorike jo fort të shoshur, të bukur e me shtresime filozofike? E njëjta gjë bëhet edhe me “Vdekjen e Dantonit”, duke na kujtuar gjer edhe çmimet e qumështit?!… Unë them se më shumë këto tekste përditësimi prishin punë dhe e bjerrin filozofinë në caqe rëndomtësie, se sa e rregullojnë shfaqjen. Edhe te “Gomari i Babatasit” ka tepri të tilla duke aktualizuar gjer edhe godinën e sotme të Teatrit Kombëtar, çka më kujtojnë ato të ashtuquajturat e dikurshme “Gazetat folëse të partisë” (estradat). Kjo ide që po e cek shkurt këtu është një problem i rrahur kaq shumë në katedrat e mendimit regjisorial botëror fill me shfaqjen e modernizmit në fillimin e shekullit që shkoi, kur tekstet klasike dhe të ashtuquajtura të “shenjta” u goditën ballazi me risemantizime a shtesa tekstesh të drejtpërdrejta. Unë nuk jam aspak kundër kësaj mënyre a mjeti regjisorial, por me sens, masë, takt, bukuri ligjërimi, domethënie, filozofi.

Çdo gjë e pritshme dhe e beftë, kur teprohet, humbet…
Si lexim regjisorial m’u duk interesant dhe i vizatuar mirë nga pikëpamja e mizanskenës dhe imazhit, ai i Kushtrim Bekteshit në dramën e tij “Ata që ikin”, në teatrin e Prizrenit. Trajtimi dhe lëvizja e korit, ndërkalljet mes të vdekurve dhe të gjallëve duke krijuar një farë mistike, e pasuar nga dhimbja, pendesa, fataliteti, dashuritë e parealizuara e të dështuara, me njerëz nën trysni dhe trauma të patejkalueshme që ushqejnë krimin dhe vdekjen, këto e domethënie të tjera e bënë këtë shfaqje të mirëpritur për mua. Sigurisht duke kërkuar më shumë qartësi në linjat e subjektit, më shumë identitet në disa personazhe dhe një të folur më të qartë nga aktorët dhe të përcjellur më të mirë te spektatori. E një linje të qetë, pa zhurmë, e tipit “çehovian” ishte regjia e Spiro Dunit në shfaqjen “Babai” e Zellerit nga teatri i Elbasanit. Të duket nganjëherë se e zakonshmja, e rëndomta, e përditshmja, “shtëpiakja”, me një mori episodesh të montuara si në film, i japin tonin kësaj regjie. Ndoshta po. Ndoshta mund të diskutohet paksa dhe në raportin e thjeshta-thjeshtëzimi. Por ishte fuqia e talentit të Reshat Arbanës në rolin kryesor që shfaqja u ngrit aq lart, u përligj si e tillë. Ishte një nga kurorat meritore të fundkarrierës artistike të këtij aktori të shquar të skenës dhe ekranit tonë. Qe një rol i mbajtur thellë, gati si në humbëtirat e pavetëdijes së shkatërruar tashmë nga lodhja e jetës, fatkeqësitë, mërzitë dhe sëmundja.

Një çmim plotësisht i merituar si aktori më i mirë i festivalit. Edhe në trajtimin e tekstit elegant “Qiell i heshtur” nga Armela Demaj në teatrin e Metropolit u pa po një tipologji e tillë regjisoriale, ku na vjen ëmbël pasioni për punën, i pleksuar me dashurinë dhe nostalgjitë që burojnë prej saj. Aty-aty ishte dhe shfaqja e Fierit “Dy dyzina me trandafila”, nën një lirikë të ëmbël nga aktorja Doriana Çaushi, ku mugullimi i erosit të përfytyruar në shpirtin e çdo femre krijonte një mistikë të bukur, diçka e patrajtë, efemere, për një arrati apo aventurë të munguar e ngazëllyese diku, dikur… Nëse nga pikëpamja aktoriale shfaqja e teatrit të Vlorës “Senatori Foks” ishte e pastër dhe me rolet e Astrit Mamajt dhe Jorgaq Tushes krijoi vetëbesim, mua më la të paplotësuar teksti me naivitetet e tij të një letërsie sentimentaliste, romantizante, madje naive e të tejkaluar prej herit, çka e dobësonte dukshëm mesazhin e saj: korrupsionin e elitave të pushtetit. Drama “Vetëvrasësi” e teatrit të Korçës dhe Teatrit Kombëtar ishte një tekst i përzgjedhur saktë, me ide që na kujtojnë absurdin e viteve të diktaturës dhe ku spikati veçanërisht loja e Neritan Liçajt e shoqëruar me disa tipa e karaktere të punuara me kujdes nga Elia Zaharia, Zamira Kita, Albano Prodani. Ndërsa shfaqja e teatrit të Gjirokastrës duhet vlerësuar se nxori nga sirtarët dhe shkundi nga pluhuri i harresës një emër të njohur të historisë së dramës shqipe, Et’hem Haxhiademin, me tragjedinë “Pirrua”. Por kur e vë në peshoren e trupave të tjera, ajo la shumë për të dëshiruar, sikurse drama e teatrit shqiptar “Teuta” e Malit të Zi thuajse me po këtë prerje sentimentaliste e naive. Nuk rri dot pa thënë dy fjalë inkurajuese edhe për regjisurën e Andia Xhungës në komedinë “Tag” të Bashkim Hoxhës nga Teatri Kombëtar, e cila duket se e bëri më të hareshme duke e tejkaluar tekstin me gjetjet e saj të këndshme, me ngulmimin në karaktere, ku unë do të veçoja posaçërisht Adelina Muçën, Olta Dakun dhe Indrit Çobanin. Por do të mendoja se ky teatër mund të përfaqësohej me një vepër me dinjitoze e më të arrirë, pasi në raport me trupat e tjera nuk shënoi, të themi, një “ngjarje” a një përvojë për t’u marrë si shembull nga të tjerët.
*Kritik teatri, anëtar i jurisë së Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit. Titujt dhe detajet janë të redaksisë


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.