KULTURË

Nga Kadare te Lagushi, letërsi e dashuri-libri që rrëfen shqiptarët në Austri

17:45 - 05.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Është promovuar dje në Tiranë në kuadër të vitit Kulturor Austri-Shqipëri libri “Të rizbulojmë çfarë na bashkon- E kaluara dhe e tashmja e marrëdhënieve Austri-Shqipëri në një kaleidoskop”. Botimi në gjuhën austriake ka që në hyrje një shënim shterues mbi përmbajtjen. Ambasadore Teresa Indjein, drejtore e drejtorisë së politikave kulturore në Ministrinë Federale për Europën, Integrimin dhe Punët e Jashtme në Austri në prologun e saj në libër përmbledh idenë e botimit duke sqaruar edhe pikënisjen. Ambasadore Indjein sqaron që në krye të herës se ideja për krijimin e këtij libri lindi në vazhdën e planifikimeve të aktiviteteve për “Vitin Kulturor Austri- Shqipëri 2018”, i cili është pjesë e një sërë projektesh bilaterale që Austria organizon çdo vit me vende të ndryshme, momentalisht me vende te Evropës Juglindore. Sipas Indjein, me përfshirjen e Ambasadës së Austrisë në Tiranë, Ambasadës Shqiptare në Vjenë si dhe institucioneve të tjera kulturore në Shqipëri dhe Austri, u organizua një shkëmbim artistik intensiv në të gjitha drejtimet e aktiviteteve kulturore dhe shkencore. Me një synimi ishte rritja e vëmendjes e zgjimi i kureshtjes mbi krijimtarinë e secilit si dhe nxitja e impulseve të bashkëpunimit. Bashkëpunimi i sivjetshëm ka moton “Të rizbulojmë të përbashkëtat”, që mund të lexohet edhe si qëllim për të rihedhur dritë mbi të përbashkëtat. “Vitit Kulturor Austri – Shqipëri 2018”, i jepet më shumë hapësirë përmes këtij libri. Proza, poezia, reportazhet e ngritura mbi dëshmitë e kohës, prezantimet e bazuara në kërkime shkencore, teori sociologjie si dhe në praktikën proverbiale të gërmimit dhe zbulimit, me të cilën merret arkeologjia, synojnë të hartojnë një kaleidoskop të marrëdhënieve shqiptaro-austriake, që nga njëra anë prezanton fakte, reflektimi i të cilave në këndvështrimin ë fillimshekullit të 21-të mund të pretendojë që ato të marrin vlerën e statusit aktual, dhe nga ana tjetër sipas Indjein krijon hapësirë për imagjinatë e fantazi.




PERSONAZHE NË ZË
Shënohet se për ta vënë në lëvizje projektin e këtij ka pasur konsulta me ambasadorin e Shqipërisë në Vjenë, Roland Bimo, me ambasadorin e Austrisë në Tiranë, Johann Sattler dhe stafin e tij (ku veçohet Eljana Mankollari. Bëhet me dije se është kërkuar ndihmë nga politologu Egin Ceka, etj. “Një artikull tjetër na u mundësua nga Joachim Rohm. Si njohës shumë i mirë i Shqipërisë dhe përkthyes i sprovuar në gjermanisht i veprës së autorit shqiptar, ndoshta më të shquar të ditëve të sotme në Shqipëri, veprës së Ismail Kadaresë, na solli portretin e këtij autori për Lasgush Poradecin (1899-1987). Eseja ‘Lasgush Poradeci, një portret’ e publikuar si pjesë e këtij libri, përbën dhe përkthimin e parë në gjermanisht të saj”, shënohet në libër.

Veçohet se me artin e tij gjuhësor dhe vëzhgues Kadareja krijon një portret të habitshëm “ngurrues” të një poeti shqiptar, i cili për shkak të jetës së tërhequr që bënte, doli që nga viti 1944 jashtë fokusit të interesit të gjerë kombëtar dhe ndërkombëtar, megjithëse në vitet 1920 ishte përqasur si i barasvlefshëm me Rilken. “Nga ana tjetër rizbulimi ose zbulimi i ri i Lasgush Poradecit i referohet një periudhe historike marrëdhëniesh shqiptaro-austriake, përjetuar me pozitivizëm, pasi poeti një pjesë të mirë të formimit të tij letrar e mori në Austri, ku ai kaloi rreth dhjetë vite, por të përjetuara si 40, siç tregon Kadareja”, thuhet në prolog. Vihet e po ashtu se shpeshherë këto lëvizje emigruese midis Austrisë e Shqipërisë nuk mbollën vetëm arsimim, por edhe dashuri. Në vitin 2012 gazetari dhe autori Fatos Baxhaku zhvilloi më shumë se 50 intervista me të ashtuquajturit ‘austriake me zemër’ dhe ‘austriakë me zemër’, brezat pasues të martesave austriako-shqiptare, të ndodhura kryesisht në periudhën midis dy luftërave, duke i sjellë në pjesën më të madhe të rasteve austriaket si nuse në Shqipëri.

Nuk lihet pa u përmendur as vepra e vitit 2013 nga Baxhaku, titulluar “Çadra e kuqe”. “Kur Fatos Baxhaku në pjesën hyrëse të veprës së tij shkruan se përmendja e Shqipërisë u shkaktonte shpesh shkëlqim të fshehtë bisedueseve dhe biseduesve të tij para 30 viteve, i cili nganjëherë lidhej me imagjinatën e udhëtimeve të Karl May-t dhe librit të tij ‘Përmes vendit të Skipetareve’, ose ndoshta edhe me qëndrimet e detyruara gjatë luftës, gjithashtu, romantike të gjyshërve të tyre, atëherë kjo gjë merr një kuptim dashurie nostalgjike”, vihet re në botim.

Një idil të tillë e ndesh, thotë libri, edhe në artikullin e Stefan Çapalikut në katër anekdota. Në hyrje të tij thuhet se austriakët/et sollën “aromat e brishta të civilizimit” për ta konkretizuar me pas këtë gjë ironikisht me histori, që kanë subjekt të tyre produkte brumi austriake, si p.sh. “Plunderschlange”, ose patkoit e mbetur në Shqipëri të një kali gërdallë ushtrie, austro-hungarez, që nuk i hynte më në punë njeriu.

Rrëfimet e Ilir Ferrës “Ne nuk ekzistojmë” sjellin në kujtesë, si pjesë marrëdhënieve austro-shqiptare, kontradiktën midis “gjermanëve”, që në vitet 1930/40 konsideroheshin pjesë e rrethit miqësor e familjar, dhe atyre që shiheshin si përfaqësues të regjimit nazist. Me Ilir Ferrën njihet një autor shqiptar që prej dekadash jeton në Austri dhe që është nderuar veç të tjerash edhe me çmimin Adelbert-von-Chamisso, çmim që për vite me radhë ka nderuar ata autorë e ato autore të gjuhës gjermane, marrëdhënia e të cilëve me gjuhën i shërben pasurimit të letërsisë gjermane. Në prologun e Teresa Indjein vihet në dukje se gjuha ishte eliksiri i jetës së Norbert Joklit (1877-1942), pa asnjë dyshim një albanolog austriak më se i merituar.

Në mes të këtij libri ndërpritet për një hop kolazhi i informacioneve (sociale) historike, sepse poetja bashkëkohore Luljeta Lleshanaku, që në adoleshencën e saj ishte objekt i represionit politik, provokon me një përzgjedhje nga vëllimet e saj “Homo Antarcticus” dhe “Pothuajse dje’ një sinkronitet paradoksal midis ndjenjës së shpresës dhe dëshpërimit është nga Tirana/Shqipëria, fokusohet te mitet dhe mbingarkesat semiotike. Alban Muja, lindur në Prishtinë/Kosovë, trajton proceset e transformimit social dhe politik të rajonit dhe i kundërvihet temës së atribuimit. Dhe me pamjet gjuhësore të Andrea Grill-it ky libër mbyllet duke mbërritur në viset urbane të shekullit të 21-të: Këtu jo vetëm që ulemi në kafene, por kërkojmë edhe afërsinë me natyrën. “Në kontekstin e lidhjes së autores me Shqipërinë në veprat e saj të ndryshme letrare dhe njohurive prej veprimtarisë së saj si përkthyese e gjuhës shqipe, poezitë e përzgjedhura paraqesin një lidhje të veçantë me Shqipërinë. Apo na krijojnë përshtypjen sikur flasin për Shqipërinë? Mbase na tregojnë për Austrinë? Në fund të fundit mund të thuhet se si këtu edhe atje ka njerëz, që duan të përshtaten me mallrat e konsumit ‘me rehati & dhe pa zhurmë’, si këtu edhe atje dashuritë e përfunduara mbeten si lëkure të zhveshura frutash. Andrea Grill, proza e të cilës njihet për surprizat gjuhësore, na bën të ngecim në paragrafët e formave të saj poetike – dhe në këtë kuadër edhe në pritshmëritë tona”,-shkëpusim nga prologu.

Ambasadore Teresa Indjein, drejtore e drejtorisë së politikave kulturore në Ministrinë Federale për Europën, Integrimin dhe Punët e Jashtme në Austri ka edhe falënderime. “Të gjithë ata persona, që dhanë ndihmesën e tyre në krijimin e këtij libri, veçanërisht Johannes Perterlik-un, i cili pati dhe idenë e realizimit të librit, Egin Cekën dhe Annemarie Turk-un për impulset e shumta që dhanë, si dhe Anna Gadzinskin dhe Renate Seib-in për angazhimin e tyre të madh… Shpresojmë që përmes këtij libri të kemi dhënë një ndihmese frymëzuese për marrëdhëniet shqiptaro-austriake. Kur flet për eksperiencat, që duhen bërë vetë që të kesh mundësi të njohësh me të vërtetë”.

ALBANOLOGJI
Ka një pjesë kur vëmendja zhvendoset në ekzaminimin e albanologjisë së hershme lidhur me instrumentalizimin e saj nga interesat e Perandorisë Austro- Hungareze. Kjo është tema e artikullit te arkeologut të mirënjohur shqiptar Neritan Ceka. Ky hulumtim i “ngjyrimit politik” të interesave shkencore reflekton njohurinë e gjallë njëdekadëshe të një arkeologu dhe studiuesi si dhe hedh një vështrim në botën e qyteteve antike ilire mbushur plot histori duke zgjuar herë pas here dëshirën për t’i njohur nga afër këto vende.
Duke kërkuar për punime studimore aktuale bërë nga austriakë mbi historinë e albanologjisë austriake të hershme, Teresa Injdein thotë se është konstatuar se Fondi për Mbështetjen e Kërkimit Shkencor i quajtur “Albanologjia austro-hungareze 1867 -1918 – një rast i imperializmit kulturor?” ka përfunduar në vitin 2017. Rezultatet sociologjike bazuar në teori, të cilat japin një kontribut të rëndësishëm në kujtesën e korrigjuar të meritave, por para se gjithash edhe të motiveve të shumta ekstragjuhësore të albanologëve austriakë.
Me shkrimet e saj mbi “Këngën Korçare” etnomuzikologia Mikalea Minqa ofron një gamë të gjerë për periudhën nga mesi i shekullit të 19-të deri në vitet 1990. Historia muzikore dhe sociale e kësaj këngë ka aftësinë që të na bëjë të mendojmë se, nëse flasim për performance kulturore para dhe gjate 1900-tës lindur nga absorbimi i disa rrymave, krahas Fados portugeze, Rembetiko-s greke apo këngës vjeneze (Wienedied) austriake duhet të përmendim edhe Këngën Korçare, një këngë pa kufizime nacionale. Duke marrë parasysh studimet dhe kërkimet e ndërmarra nga Mikaela Minga në këtë fushë për rizbulimin e interpretuesve/seve të ndaluar/a gjatë regjimit, për Indjein është kënaqësi e veçantë të mbështesë “Rizbulimin e të përbashkëtave” edhe në fushën e muzikës.
Edhe artikulli i fundit shkencor i këtij libri i kushtohet rizbulimit austriako-shqiptar me fokus regjimin komunist dhe rënien e tij. Perceptimi austriak i ngjarjeve specifike të fillimviteve 1990 në Shqipëri u shtrembërua lidhur me raportimet dominuese për shpërbërjen e Jugosllavisë dhe mori kuptimin e një “Lufte Ballkanike”. Një çështje, të cilën studiuesi Robert Pichler e përmend në reflektimet e tij mbi pasojat e viteve 1990 në rajonin e Alpeve të Shqipërisë, teksa tematizon ambivalencën që shkaktonin fotografitë e tij gjatë referateve të mbajtura ne Austri. Këto foto, të cilat tematizojnë forcimin e marrëveshjeve parakomuniste, tradicionale, shoqërore si reagim ndaj rënies së regjimit në rajonin e Alpeve shqiptare, u kthyen në rizbulime edhe për vetë popullsinë urbane të Shqipërisë. Fotot e Robert Pichler-it evokojnë “kujtesën tonë kolektive”, siç shprehet artistja shqiptare Edit Pula “dhe jo si nostalgji, por si një pikë referimi për një kohë të humbur”.

Teresa Indjein thotë se ishte dëshira e tyre që në këtë libër të ndeshnin njerëz nga Shqipëria dhe njerëz në Shqipëri. Ne këtë sfond fotografitë portrete të Jutta Benzenbcrg-ut zënë pjesën më të madhe të petkut artistik. Fotografja gjermane, e cila jeton dhe punon që prej vitit 1991 në Shqipëri me shkëputje të herëpashershme, nuk shihet vetëm si një njohëse e shkëlqyer Shqipërisë, por edhe si dikush që nuk kënaqet veçse kur mbërthen portretet e saj. Mes këtyre fotove gjenden edhe dy “austriake me zemër”, foto të cilat lindën nga bashkëpunimi i Fatos Baxhakut dhe Jutta Benzenberg-ut përmes librit “Çadra e kuqe” dhe Indjein shprehet e lumtur që mundën të botonin në artikullin “Tri histori të vjetra dashurie’. Ajo shënon se nuk do të privojë një tjetër thesar kulturor: Në arkivin e “Fototekës Marubi – ndodhen të depozituara 150 000 pllaka fotografi, të cilat dokumentojnë njerëzit dhe jetën e qytetit të Shkodrës nga 1850 deri më 1974. Me fragmente nga jeta myslimane rreth 1900-ës janë zgjedhur shembuj, të cilët përcjellin artin e hollë të këtyre fotografive të hershme shumë ekspresive. Edhe veprat bashkëkohore të Alban Mujës dhe Olson Lamajt të prezantuara në fillim dhe në fund të librit, kanë në fokus të tyre njerëz që përqendrohen te trajtimi refleksiv i identitetit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.