MILOSAO

Kufijtë e shpirtit

14:05 - 07.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Sokrat Paskali




1. kufijtë e shpirtit janë ngulur si gozhdët në kryq
gjaku që pikoi u bë sferë pa kufij e që atëherë
kalojnë kalimtarë këtej
oh sa shumë janë
gustoja e zotit
natyra e tij e parë
si grimca pluhuri në erë
ndërmjet e përtej
këndojnë:
gruaja ka dy gojë
burri dy krenari
hahaha hihihi
kureshtarët kalojnë kundrejt
dallohen në maj sa pak janë
oh sa pak
u ndrin vetulla xixëllonjë
natyra enigmë
kureshtja
heshtja përqeshja
këndojnë:
të lutem më merr me vete gjer në re
o jerm
te jemi vetëm ne të tre
o jerm
parakalojnë edhe ushtarët
kokat bajoneta trupat me spaleta
natyra beteja tempull kazerma
uf sa shumë janë këtej e matanë uf
kënga:
nga e thëna në të bërë
e pështyrë e pëgërë
ptu ptu ptu
pau pau pau
armiku vëllau

2. më jep një gladio të të jap një tempull
them unë pa zhurmë
kaq qejf i kam gjërat e vjetra
të sertat
është kohë këmbimesh modelesh
bedelësh
më jep një martir të të jap një hero
më thotë njeri në nge dhe qeshi he he he
të të jap një lugë klas më jep dy gisht sqimë
thotë një pikëllim
më jep një piramidë gërrdallë të të jap një bibliotekë të rrallë
përgjërohet një i tretë
më jep dy ide paralele të të jap dy kundëride të kithta
flet një i ngjirur nga e hithta
më jep një kodër të të jap një manastir
merre që pa gdhirë
më jep ca kulla të të jap një teatër
prish e ngre ngre e prish ç’allishverish
derisa të vijë shekspiri alien nga marsi
bëni gallatë për katarsis

ne nuk duam drama ne duam teatër
atë vatani e ka vatër
çdo gjë shitet e blihet përveç poezisë
ndaj ajo vetullon pis oh sa pis
shemrës së bukur të shpirtit të vrarë
kur s‘ke ç’ti japësh
jepi një buzëqeshje
sfinksi foli
jo u ngërdhesh

3. sistemi ndërkombëtar i njësive dot se ndau
sa është shpirti një njësi
një shpirt kalimtar? = 1/3-ta e tij
një shpirt kureshtari? = 1/3-ta e pagjetur
një shpirt ushtari? = 1/3-ta e mbetur
më more shpirtin i tha kalimtari ushtarit nevrik
ta marr shpirtin i tha ushtari kureshtarit për frikë
më plasët shpirtin u tha kureshtari në rresht e në radhë
hohoho-ve huhuhu-ve skandal
më këpute shpirtin dua t’i them dhe unë dikujt
poeti nuk është njeri është status
ai asgjë tjetër s’di të bëjë
kështu ka vendosur një perëndi me skeptër
territoret e shpirtit
s’i blen e s’i shet dot
ato vetëm dy
të bukurën e qiellit
dhe jermin blu
thuaj jo
4. që kur poeti e braktisi të dashurën e tij
është kohë e keqe për poezi
ne na u ngjit një mëkat i madh
ç’í tmerrshëm mëkat
mëkati i braktisjes
ndjejmë kur na japin dhe nuk ndjejmë
kur vetë japim dashuri
unë një send i çuditshëm në sqepin e një zogu jam
ai më merr me vete në fluturim dhe më çon në një pemë të re
te foleja për fluturcakët
pema gjetheshumë gjithë kërcej e damarë plot ekzistencë
cicërima pret tingujt për paragon
herët a vonë do dëgjohen
një shpirt kalimtar të jep atë që i mbetet
dhe kërkon prej teje atë që s’mundesh
i rralli si fije bari që era e përul në ritual
përhumbur lutës
vë buzët te gishtërinjtë dhe të dërgon
një të madhe të puthur
ah s’ka gjë më të bukur se ajo që të sjell lutja
të gërryen ëndja dhe o zot ç’gjen brenda
janë të tuat merri flet shpirti jot si një zot
hohoho e huhuhu një shpirt që jeton
mbi varr e nën varr
oh ç’liri e shpifur
bardhezi
më të pathënën thotë ai
se ëngjëjt s’kanë krahë
dhe poetët janë të çmendur
5. unë e di
kam qenë i mbuluar me një fasho të bardhë dëbore
ngjitur me leokoplastin e reve
si plagë e horizontit
tani korja e saj më pëlqen
stili si pasqyrë e lagur në ag
artifica është që më çmend
një gërmë një shkronjë një numër
karfica në kravatë
si një e çarë më dhëmb
më jep një lugë sqimë të të jap dy gisht klas
jetojmë në një flluskë ku gënjeshtra gatuhen
nga shefa kuzhine me emër
shërbyesja e natës të sjell më të freskëtat
që në mëngjes
dhe në mbrëmje të thotë motra shemër
mos u beso syve sokrat je i verbër
ne vuajmë jo se s’dimë të gjejmë
po se lumin e heraklitit e kemi kaq të ndotur
ndaj kur lindim
që në instancë
jemi gati të mposhtur

6. poeti dhe poezia janë e njëjta gjë
mos kërkoni për dy
aty s’ka kuptime
gjeni pahje
mos kërkoni qëllime
merrni ngasje
konstruksione për kulla të larta vrojtimi
ku vrundujt e shpirtit varen
poeti dhe poezia janë e njëjta gjë
kur me ta takohesh janë ata dhe asgjë më
sot po i çoj vetes dhuratë territore të qiellit të shtatë
të fluturoj si cironkë dua për pak çaste blu
uji i errët i lumit lënda e dyshimit nxin dhe ndrin
nga jermi
tufa tufa pluskojnë peshqit e kuq në një rend të panjohur
ëngjelli shpirtin ju përkund
Holderlin ti je
i them dikujt që thellë më ka lënë një plagë të hapur në zemër
fol pse s’flet jam poet
me gishtërinjtë e prerë të Hajdegerit po të prek e në jerm po të cek
te dritarja e përrallës së dimrit frymë mbledh në xham
dhe them gjithë gaz
oh ç’klas
i kam dashur gjithmonë ujërat që rrjedhin
ujrat me fuqi lumi llumin që shpëlajnë
e gjithë gjëagjeza është shkruar në vetullën e poetit
pihet si verë perëndimi i përflakur por pa u dehur
se pastaj nga vjedhja të vjen për të vjellur
kur sheh agimin leshverdhë
parajsa e ka marrë një emër me bekim
quhet bibliotekë
ne simpozium ku flet shpirtësia ty do të të ftoja të parin Poeti Agathon
të harroi natyra njerëzore se nuk ka më konkurse për poezinë
që kur poeti e braktisi të dashurën ne ndjejmë vetëm kur na duan
dhe s’duam më njeri
qoftë kalimtar
qoftë gjeni
të të harrosh ty
oh ç’marrëzi

7. si cironkë kërcej dhe shoh një alien që ka mundur shtrigat
Poe fol ti je
nga Eureka lëkura e ujit u drodh
dhe korbi mbi palladë nuk flet kurrë më
kurrë më kurrë më
i heshtur si pallua
më mirë korb se poe
ja pse
kishte vënë kthetrat mbi piedestal dhe kuptoi
nuk mund te vihen kthetrat mbi një perëndi
nga eureka lëkura e ujit
u drodh përsëri
e përsëri e përsëri

8. era që fryn në breg barin e lëkund
Kiekergaard më ndihmo për shijen se s’po jam i sigurt
erën e kanë lulet e egra
ne na ushqejnë frutat e buta
këtu ka diçka që s’është poezi
fjala fara mbillet e mbin
biri im
a ka më të bukur kuptim
Rilke ti asfare s’haje kur elegjitë të rridhnin nga jermi
ndërsa unë jam ngopur me to
të kam shkruar për lamtumirën
këtej as duan t’ia dinë për vdekjen
që duhet mësuar
poetët i zuri gjumi kur nëntë muzat u zgjuan
dhe që atëherë Perënditë i përçmuan
ikni ju thanë të vonuar
ikni të llastuar
tekat ju lejohen vetëm perëndive
poetët vërtet gjak nga gjaku i tyre kanë
por vetëm kjo nuk mjafton
ata duhet të jenë të gatshëm për jermin
kur hermesi nëpër kureshtarë ndalon
me qumështin dhe vesen e qiellit
ku pikoi ylli i ri
i mjeri ti i lumi ti

9. Kavafis o fyt i prerë i horizontit blu
të kam mbajtur byzylyk në dorën e majtë
dhe ndezur kam në kishë qirinj për ty
që poshtë jastëkut ti zgjatesh
e më përqafon fort
si push i purpurt më përmbush
përqafimi yt
dhe në qafë perla i mbaj kimerat e reja
tempuj
përmbi barka shpëtimi
dallgë mbi far
nëpër gishtërinj dhe në shpirt
më mbeten
ç‘margaritarë
Njerëz! nderojeni poezinë
pa poezi nuk ka popull
ka popullsi
pa poezi është si të jetë qielli pa yje
a do ta duronit vallë
poezia më e dashura
e qiellit dhe e dheut
është në hall
poetin po
mos e admironi po të doni
që kur ka braktisur të dashurën
e keni vënë re
edhe jermi se zë më
për tekën e tyre të re
e dini pse
e kanë marrë zët
pikëllimën e miniaturës
perëndia me skeptër është qibare
asnjë nuk zgjedh
brenda shpurës
dhe katrahurës

10. Borges me ty kam folur shpesh nëpër ëndrra
si fëmija i rritur para kohe me plakun e llastuar
që e mban shkopi
je kthyer për të më dëgjuar
kam krijuar etimologji
për osmozën
mu përpara syve ishte dhe se shihja
më shërove me ujin mistik
në enët e vjetra
që largon dyshimet
nga nebuloza në abise
kemi qenë sa herë bashkë në bibliotekë
duke lexuar librin e rërës
nga labirinthet kam dalë dhe kridhem në lumë
aty ku pasqyrat e qiellit na lexojnë mendimet
dhe qielli i shtatë na premtohet
zotat e vjetër ne si kemi vrarë
e si mund ta bënim këtë
as ata as ne nuk kemi ndryshuar shumë
kur vihet një rend
me të vdekurit dhe të gjallët
ata vijnë të parët
pastaj poetët
dhe në fund ushtarët

Tiranë 12.08.2018


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.