MILOSAO

Mirash Ivanaj, modeli i shqiptarit të mirë që përfundoi në ferr

13:35 - 07.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Mirash Ivanaj haset pak e gjithnjë shumë pak në literaturën tonë. Madje, edhe atë ditë vjeshte, 65 vjet më parë, kur do të ndërronte jetë, ai pothuaj ishte harruar. Kurrë nuk mund të kesh trishtim më të madh në të gjallë sesa të harrojnë. Kjo i ndodhi, njërit prej personaliteteve më të jashtëzakonshme të kulturës dhe arsimit shqiptar. I sfilitur, i stërmunduar, bashkëkohësit, kujtonin se të ndjerit i dukej më mirë të qëndronte në burg sesa të dilte jashtë hekurave ku nuk e priste askush. Artikullshkruesit e jetës së tij pohojnë se ai i drejtoi një letër drejtorit të burgut për t’i kërkuar ta mbante ende sepse nuk kishte asnjë të ardhur për të jetuar dhe po ashtu asnjë vend se ku mund të qëndronte. Dhe “u shpërblye” realisht, pasi më 22 shtator të vitit 1953 do të ndërronte jetë vetëm12 ditë para mbarimit të afatit të dënimit të tij. Ishte 62 vjeç. Atëkohë, një moshë e denjë për moshën e tretë.





Mirash Ivanaj futet ndër idealistët e pakët që erdhën në vend pas Luftës së Dytë Botërore të thirrur prej besimit se Shqipëria e Re do të ndryshonte dhe se do ishte tash e tutje vendi i dashur i tyre. Që në ditët e para të pushtimit të vendit ishte larguar në Turqi dhe atje kishte jetuar duke u marrë me punë të ndryshme për të mbijetuar, kurse nga larg duke ndjekur Shqipërinë po i dukej se një soj i idealistëve të rinj shqiptarë po vinte në skenë. Në fakt, kishte rënë “pré” e besimit që i kish afruar Gjergj Kokoshi, një miku i tij, që asokohe ishte emëruar Ministër i Arsimit. Kokoshi, që ndryshe nga Ivanaj, luftoi me fashistët ishte një pasaportë e madhe besimi për të, që të besonte se rendi do të vinte dhe madje arriti t’i shprehte respektin in person Enver Hoxhës. Por, Ivanaj sa i kulturuar ishte aq edhe naiv mund të konsiderohet, pasi nuk mund ta kuptonte realisht atë që fshihej pas imazhit ndryshe të shumë prej çlirimtarëve. Në kujtime për të thuhet se ndjente një peshë të madhe faji, që ishte larguar nga vendi dhe nuk kishte luftuar si të tjerët. Ditët e pakta që po mjedisohej kuptoi se çfarë ishte Shqipëria e Re.

Përgatitja për zgjedhjet do ishin përballja e parë, por nga ana tjetër dhe fytyra e Frontit Demokratik nuk ndryshonte nga ajo që i kishin treguar të afërmit. Ndoshta këtu është burimi i atij zhgënjimi, ku ai nuk do pranojë asnjë post në qeverinë e re, ndërkohë që do t’i kthehet arsimit si mësues i thjeshtë. Anipse bagazhi i madh kulturoro-profesional dhe ajo që do të sjellë është larg për mjedisin ku do të kontribuojë. Patetizmi, që e rrethon ngado, shtuar me mësuesit e ri kanë koncepte krejt të tjera dhe e bëjnë të ndihet sa më keq. Që prej asaj kohe, Ivanaj, nis heshtjen dhe miqtë e pakët që i kanë mbetur i mjaftojnë të kontrollojë jetën që e rrethon. Di të lexojë frikën. Dhe zhgënjimin. Te pak miqtë shikon frikësimin dhe nga ana tjetër kompleksin e heshtjes. E nuk mjaftojnë këto, sepse edhe ai që e ka kthyer pas e burgosin. Këtu i vihet kapaku të keqes. Gjergj Kokoshi nuk mund të jetë kurrë i tillë. Tashmë heshtja e tij mund të konsiderohet si krejt e përligjur, teksa miqtë po i rrallohen frikshëm. Mundohet t’u përcjellë nxënësve të tij sa më shumë koncepte, kurse pas mësimit heshton. Diku e vigjilojnë dhe mezi presin që burrit të vjetër t’i vendosin prangat, të cilat do ia zbukurojnë duart më 15 maj të vitit 1947.



Nuk ka vend për zhgënjim pse la Turqinë dhe besoi sepse tani duhet të prodhojë fajin e tij, që të bëhet i besuar i regjimit. Burgu është i ashpër për të por edhe fyes. E venë të përkthejë. Burri që ishte munduar të krijonte arkitekturën e arsimit shqiptar, duhej tashmë të provonte pas muajve “trajtimi” dëmin që i kishte shkaktuar pushtetit popullor të kohës. Juristët përballë kanë përballë një burrë të kulturuar që vërtetë di të parashtrojë argumente të kundërta por edhe të tregojë se përballja e regjimit me njerëz të kalibrit të tij nuk është e drejtë dhe është fatale për ato që do e presin Shqipërinë. Dhe, paradoksi është sa më shumë argumente profesionale për mbrojtjen parashtron aq injorancë i kundërvihet përballë. Fituese është keqësia. Dënimi është shembullor: Plot 7 vjet heqje lirie, me punë të detyruar, konfiskim të pasurive të tundshme e të patundshme dhe pas daljes nga burgu privime nga të drejtat civile dhe politike për plot 5 vjet.

Kthim pas
Në fakt, nxënësit e tij do e përmendin si legjendë urbane, pasi në të vërtetë në curriculumin e tij, kur e caktuan mësues në Gjimnazin e Shkodrës, do të rendisë gjuhët që zotëronte. Gjuhët e gjalla që rreshton janë respektivisht: shqip, serbisht, italisht, rumanisht, bullgarisht, gjermanisht dhe frëngjisht; të vdekurat: latinisht, greqisht, sanskritisht, godix (gotisht?), gjuhët e Italisë së poshtme dhe gjuhën sllavonike. A thua vallë kultura e bënte që të kishte kaq armiq. Ka të ngjarë që ajo të ketë qenë një nga arsyet. Në vitin akademik 1912-1913, bashkë me të vëllain ndjekin kurse filozofie në Universitetin e Beogradit, kurse pak vjet më vonë u nis drejt Italisë ku studioi në Universitetin e Romës dhe u laureua në dy degë: Filozofi-Letërsi dhe Jurisprudencë. Pak vite më vonë me të afërmin e tij Nikollë krijojnë në Shqipëri “Republikën”, një organ ku Mirashi bën gati të gjitha punët, deri korrektor dhe punëtor shtypshkronje. Në 30 numra ata tregojnë kulturën kurse që në numrin e parë në tetorin e 1923, Ivanaj shpalosi një program me 11 pika, ku që në pikën e parë shkruan “Shkolla fillore dhe të mesme duhet të jetë vetëm në dorë të shtetit”, duke iu përveshur klerit në përgjithësi dhe etërve jezuitë në veçanti, ku ka studiuar për shumë kohë. Nuk la pa goditur edhe Kongresin e Durrësit dhe Traktatin e Fshehtë, i cili u zhvillua me qeverinë italiane me 20 gusht 1919, ku kritikoi Kuvendin Kushtetues, pasi nga 318 anëtarët shumë prej tyre linin shumë për të dëshiruar sa i përket arsimit. Konflikti me Nolin e bën të shpërngulet dhe rikthehet me kohën e Zogut në vitin 1925, ku punoi si avokat dhe më 10 shkurt nisi punën si drejtor në gjimnazin shtetëror të Shkodrës, por duke punuar edhe si mësues i thjeshtë, teksa jep mësim në çdo lëndë që mundet.
Kulmi i karrierës së tij do të shkonte në vitin 1933, ku erdhi në krye të dikasterit të Arsimit, si ministri më i ri i qeverisë së Pandeli Evangjelit. Nuk mjaftojnë problemet me shqiptarët sepse njësoj do përplaset me Italianët, që e akuzuan vazhdimisht për ashpërsi dhe deri elementë ksenofobie. Në kurrizin e tij mbeti dhe përpjekja e filluar nga Monarkia në luftën me fenë dhe sidomos me shkollat fetare. E gjithë kjo veprimtari bëri që ajo të mos qëndronte më shumë se dy vjet në këtë post dhe pastaj i duhej të ikte. Ndërkohë, ajo që lë në këtë dikaster është e jashtëzakonshme: Ai bën të detyrueshëm arsimin fillor, në një popullsi masive analfabete, ndërsa hartoi “Ligjin e Arsimit” me idenë për të ngritur dhe realizuar një sistem të tërë arsimi kombëtar. Ai iu kundërvu shkollave të huaja dhe vetëm dy vjet më vonë dha dorëheqjen. Por, megjithatë, ka njerëz që mendojnë se ai mund të japë ende. Mirash Ivanaj nuk ka mbaruar karrierën e tij, sepse caktohet kryetar i Këshillit të Shtetit dhe këshilltar i mbretit Zog deri më 7 prill 1939, kohë kur me familjen Butka do të largohet në drejtim të Turqisë.

Këto të vinë ndërmend për një shqiptar të drejtë, që u u strapacua dhe u la të vdesë nga bashkatdhetarët e tij vetëm se donte t’i jepte pak staturë kulturës së arsimit shqiptar. Plot, 65 vjet më parë, Mirash Ivanaj, ndërroi jetë pak ditë para se të fitonte lirinë e përkohshme. Sot, mbetemi, thjesht të numërojmë ato që ai la për arsimin shqiptar, cilësitë dhe atributet e tij, por asfare atë që ne i bëjmë njerëzve tanë.

Maks Velo na ka ofruar në këtë numër një cikël, kushtuar personalitetit të madh Marash Ivanaj. Një personazh i jashtëzakonshëm, që e ka bërë për vete arkitektin dhe piktorin e njohur, e të cilit i ka kushtuar këtë cikël. Mirash Ivanaj iu dedikua arsimimit shqiptar dhe reforma e tij synonte të prekte thelbin e paditurisë shqiptare. Përfundoi në mënyrë tragjike, i trajtuar shumë keq nga regjimi në fuqi, të cilit i besoi verbërisht, kur besoi se mund të punonte nën të. Maksi e ka trajtuar me një kujdes, falë atyre imazheve që kanë mbetur, duke përshfaqur dhe nderimin e tij. Nuk e ka braktisur stilin e tij duke e përshtatur dhe imazhin e mësuesit të njohur për korpusin e tij artistik…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.