KULTURË

Një gjermane në Tiranë

11:20 - 07.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

E konsideroj të shprehurit pamor-gjuhësor të mendimeve, ndjeshmërive, qëllimeve etj., nëpërmjet makinës së shkrimit… një shembull bashkëkohor të veprimtarisë artistike. Kjo nuk do të thotë se ajo mund apo duhet t’i zëvendësojë mjetet e tjera të shprehjes. Mendoj se avantazhi kryesor i këtij mjeti të shprehjes (makinës së shkrimit) është se më lejon të ndjek drejtpërdrejtë një ide apo shqetësim, edhe kur nuk e ke mendjen gjithmonë te arti apo edhe nëse nuk ke studiuar art… Për mua, ky lloj prodhimi të përfshin në një lojë të jashtëzakonshme”(Ruth Wolf-Rehfeldt, 1971).




“Ruth Wolf-Rehfeldt: Kolazhe dhe Edicione” titullohet ekspozita që hapet javën e ardhshme në Galerinë Kombëtare të Arteve. Kurator i saj është Sven Spieker.
Ruth Wolf-Rehfeldt është një artiste gjermane që njihet kryesisht për artin e saj me poezi pamore dhe art postar. Në fillim të viteve ’70-të, pas punës së saj si piktore, ajo zgjedh makinën e shkrimit si mjetin kryesor për të prodhuar art. Përdor dy modele të ndryshme të makinave të shkrimit të tipit ‘Erika’ të RDGJ-së (më vonë model stilolapsi) duke kthyer germat e tyre standarde në valë dinamike, rrjedha simbolesh dhe struktura poezish të ndërtuara me presje, pikëçuditëse e shkronja. Në mesin e imazheve të saj arkitekturale, shpeshherë dallojmë kulla dhe kafaze: Wolf-Rehfeldt nuk e fsheh faktin se ndjehej e kufizuar nga mbikëqyrja e rreptë e regjimit nën të cilin jetonte. Megjithatë, duke zgjedhur punën e daktilografistes – profesion ky stereotipikisht femëror – ajo jo vetëm që arriti të përcaktojë përmbajtjen e asaj çfarë shkruante në letrat e saj, por edhe të zbulojë poezi aty ku të tjerët nuk e shihnin. Në vitin 1981, pas një aksidenti të rëndë trafiku, ajo filloi të prodhonte kolazhet e para, duke bashkuar ‘typewritings’/makinëshkrimet e saj me copëza gazetash apo me riprodhime të pikturave të hershme të saj në bardh e zi.

Wolf-Rehfeldt përdorte letër karboni për të bërë kopje të punëve të saj me makinë shkrimi, ndërkohë që shfrytëzonte edhe mjetet e Shoqatës së Artistëve për të printuar deri në pesëdhjetë kopje të tjera – që ishte maksimumi i kopjeve që lejoheshin në ish-RDGJ. Shumë nga këto fletë qarkulluan në rrjetin ndërkombëtar postar, pjesë e të cilit, me plot energji dhe entuziazëm, ishin edhe Ruth me bashkëshortin e saj Robert. Studio e tyre në Mendelstrasse, në lagjen Pankow të Berlinit Lindor, mbeti një nyje e veprimtarisë së artit postar ndërkombëtar – deri në vitin 1989: pas rënies së Murit të Berlinit, Wolf-Rehfeldt vendosi t’i jepte fund prodhimit të ‘typewritings’/makinëshkrimeve. Sipas saj, nuk ekzistonte më nevoja për to.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.