KULTURË

NADAR/ Burri që fotografoi Bodlerin e Dymanë vjen në “Marub”

16:20 - 09.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Një fotografi e çmendur, e bukur, e kompozuar ndryshe, rrëfimtare, përmbledhëse. Një imazh që tregon një ngjarje të tërë a një histori më vete, një ndalesë në kohë që përcjell një mendim, fytyrën e një të njohuri e përmes saj shikimin e tij të tretur a vendosmërinë e tij.




Ekspozita “La norme et le caprice” (Mes rregullave dhe tekave) është hapur në Muzeun e Fotografisë “Jeu de Paume” me një seleksion prej mbi 200 imazhesh, 74 prej të cilave do të prezantohen në ekspozitën “Mes rregullave dhe tekave” që do të hapet në muzeun “Marubi”.

“Nadar. Mes rregullave dhe tekave” e kuruar nga Michel Poivert sjell për herë të parë koleksionin e pasur francez të një kohe të artë. Studioja fotografike më prestigjioze e Francës të fundshekullit XIX dhe fillim shekullit XX vjen në Muzeun Marubi me një përzgjedhje unike imazhesh nga atelieri Nadar, që na tregon se si portreti klasik i «burrave të mëdhenj» të shekullit XIX, i shpikur nga Félix, i la vend suksesit të fotografisë së aktorëve të teatrit të fotografuar nga i biri Paul në fillim të shekullit XX. Tregu i portretit kalon nga kthjellësia në fantazi duke na rrëfyer zhvillimin e një shoqërie ku kodet e famës ndryshojnë.
Kjo ekspozitë vjen si një bashkëpunim me Muzeun e Fotografisë ‘Jeu de Paume’ në Paris, Médiathèque de l’architecture et du patrimoine, Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë dhe Francës me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Tiranë.

FÉLIX E PAUL NADAR
Félix TOURNACHON (1820-1910), me pseudonimin “Nadar”, ishte i biri i një tipografi nga Lioni. Që nga viti 1846 ai publikon karikatura në disa gazeta satirike dhe në 1854 realizon “Panthéon Nadar”, një seri prej dy litografish gjigante me karikatura të famshmëve parisiene. Vitin më përpara, në 1853, Félix i jep leksione fotografie vëllait të tij Adrien në studion e mjeshtrit Gustave Le Gray. Dy vëllezërit prodhojnë një seri të “Figures d’expression de Charles Deburau en Pierrot” që ka shumë sukses në Ekspozitën Universale të 1855. Pas një grindjeje, Adrien që përdor pseudonimin “Nadar i ri”, dëshiron të shkëputet nga i vëllai e të vazhdojë karrierën i vetëm, por Félix e hedh në gjyq për ekskluzivitetin e përdorimit të këtij pseudonimi dhe e fiton atë. Félix, i cili ka gjetur tek fotografia një fushë tjetër eksperimentimi, vazhdon në këtë drejtim. Mes miqve të tij radhiten figurat më në zë të asaj kohe si Baudelaire, Nerval, Dumas, Gautier, Rossini, Berlioz. Në vitin 1859, entuziazmi për “portretin si kartvizitë” shuhet pas formulës të depozituar nga Disdéri e kjo shënon edhe fundin e kësaj vepre artizanale. Si rrjedhojë e kësaj, në vazhdim Nadar do të merrej vetëm me aktivitetin e tij fotografik në studion e re të Boulevard des Capucines, atelieri i mëparshëm i Gustave Le Gray.
Nadar, që realizon akoma ndonjë portret si ata të Sarah Bernhardt apo George Sand, orientohet drejt zhvillimeve teknologjike, siç është balona me ajër të ngrohtë. Më 1858, ai realizon pamjen e parë ajrore mbi Petit-Clamart, e fotografuar me dritë elektrike, duke vijuar më pas me katakombet (1862) dhe rrjetin e kanalizimeve të Parisit gjatë 1864-1865. Në 1886, së bashku më birin Paul, ai realizon, intervistën me Eugène Chevreul, me rastin e 100 vjetorit të kimistit të famshëm. Fotografitë e marra në këtë okazion publikohen në “Le Journal Illustré”, shkëpusim prej La Médiathèque de l’architecture et du patrimoine dhe Encyclopaedia Britannica.

Kuratori i ekspozitës në materialin e përgatitur vëren se Paul NADAR (1856-1939), qe një ndër figurat më të rëndësishme për fotografinë, mbetet akoma nën hijen e të atit Félix Nadar. I lindur më 8 shkurt 1856 në Paris, Paul angazhohet që në moshë shumë të re në studion fotografike të të atit. Shumë shpejt, ai apasionohet pas fotografisë e në moshën 18 vjeçare bëhet drejtori teknik dhe artistik i atelierit parizien. Pasi thyen rregullat e estetikës së kthjellësisë të të atit, Paul realizon një sërë portretesh me shumë artifice, siç janë ata të aktorëve në skenat e teatrit. Në 1885 shpalos angazhimet e tija artistike duke u bërë anëtar i shoqërisë franceze të fotografisë. Me vendosmërinë për t’u bërë i pavarur, ai krijon Zyrën e Përgjithshme të Fotografisë, e cila merret me «furnizimin e materialeve fotografike, me aparate të shpikura prej tyre» si Detektivi Nadar në 1887 dhe letra albumine Nadar në 1889. Pas suksesit të aparatit të tij «Express-Detective Nadar» në ekspozitën universale të Parisit në 1889, ai ndërmerr një ekspeditë fotografike Turkestanin rus. Fotografitë e marra gjatë këtë udhëtimit të tij në Lindje përbëjnë një dëshmi të rëndësishme të veçantisë së këtij fotografi.

Groupe de 6 costumées en lapins blancs

KURATORI
Michel POIVERT është profesor i historisë së artit bashkëkohor dhe fotografisë. Kërkimi i tij bën bashkë analizën vizuale të mediave dhe kritikën teorike. Ai është redaktor i revistës ‘Études photographique’ ku publikohen artikuj teorikë e studimorë mbi fotografinë, artin dhe media. I diplomuar në Universitetin e Bordeuax dhe Pantheon Sorbonne, është aktualisht drejtor i programit të doktoraturave në Departamentin e Historisë së Artit në Paris 1 Panthéon Sorbonne. Poivert ka qenë president i Shoqatës Franceze të Fotografisë (1995-2000) dhe administrator i Fondacionit Neuflize-OBC për artet pamore. Si kritik, Poivert ka publikuar shumë artikuj e katalogë mbi artin bashkëkohor që nga vitet 1990. Ka qenë kurator i «Le Salon de photographie, le pictorialisme en Europe et aux Etats-Unis» musée Rodin (1993), «Un monde non-objectif en photographie », galeria Thessa Hérold në Paris (2003), «L’utopie photographique, 150 ans de la Société française de photographie», Maison Européenne de la photographie, Paris, 2004, Musée d’art contemporain de Lyon, Jeu de Paume, Paris; ekspozitë në Centre Georges Pompidou, «Nadar, la norme et la caprice» në Château de Tours, ekspozita kushtuar Gilles Caron (1939-1970) në Muzeun e Elysée në Lausanne (2012), në Muzeun e Fotografisë së Charleroi (2013). Ndër publikimet e tij përmenden La Photographie pictorialiste en France (1992), La photographie contemporaine (2002), L’Utopie photographique, regard sur la collection de la Société française de photographie (2005), L’image au service de la revolution (2006), L’Art de la photographie des origines à nos jours (2007), Gilles Caron le conflit intérieu (2012), Brève Histoire de la Photographie (2015).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.