KULTURË

Nudot e portretet e Pashk Përvathit

13:05 - 10.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Ekspozita personale në pikturë, e titulluar “Ndryshe”, është e 41-ta për piktorin Pashk Përvathi. Është titulluar “Ndryshe”, sepse në këtë ekspozite vjen me një profil tjetër të panjohur për artdashësit shqiptarë. Ekspozita përmban 46 vepra në gjininë e portretit, kompozimit figural dhe 21 nudo. I gjithë materiali artistik është realizuar në kontakt me modelin dhe dallon në trajtimin piktorik zellin e artistit Pervathi për të ruajtur identitetin e tij si piktor i penelit të gjerë, dinamik dhe dekorativ. Modelet në pjesën më të madhe janë romë, një afeksion i artistit që nga rinia e tij për t’i pikturuar.




Portretet janë zbërthyer në karakterin e tyre. Në to ndjehet pikturimi në natyrë, ajri dhe plastika e modeleve. Vlen të përmendim portretin “Romi Islam Shabani”, që padyshim mbetet ndër vlerat më të mira të piktorit. Ai është mishërim i zbërthimit të karakterit dhe formës përmes një penelate të ngjeshur ngjyrë dhe ekspresiviteti.

Kompozimet figurale vijnë në zgjedhje të ndryshme kompozicionale. Piktori kërkon bukurinë hyjnore të femrës përmes një loje piktorike të ngjyrës. Mjaft të kujtojmë kompozimin “Pritja”, “Bukuroshja e fjetur”, “Cigania e ulur”, etj. Në ekspozitë janë edhe 21 nudo. Pikërisht ky ka qenë dhe synimi i autorit. Të ekspozojë në një ekspozitë personale, realizimet e tij të dy viteve të fundit. Nudot janë zhveshura dhe gjysme të zhveshura. Janë në zgjidhje kompozicionale të ndryshme, herë me dritë natyrale e herë me dritë të brendshme të studios. Autori ka kërkuar të zbulojë përmes nudove të tij anën sensuale të femrës, bukurinë e formave trupore të saj, përmes një gjuhe artistike individuale të shfaqur gjithnjë në peizazhet e tij.

Ndjehet penelata dhe ngjyra dekorative. Ekspozita “Ndryshe” hapet me datën 11 tetor, në Muzeun Historik Kombëtar dhe do të qëndrojë e hapur deri më datën 20 tetor, 2018. “Ngjyra, kontraste, dritëhije, fushëpamje mbresëlënëse dhe forma e vëllime të modeluara nëpërmjet njollave të tonaliteteve të shtrira thjesht, me plot siguri. Një pikturë, e cila shfaqet si një analogji me “i Macchiaioli” të pikturës italiane midis viteve 1850-1870 të shekullit të XIX. Njolla të cilat në pikturën e Pashk Përvathit kanë revolucionuar me stilin e tij gjininë e peizazhit dhe jo vetëm në pikturën shqiptare. Ai nëpërmjet shtrirjes së fushave të ngjyrave në mënyrë të thjeshtëzuar nxjerr në pah një gjurmë të gjithën vetjake, duke paraqitur me realizëm natyrën, por njëkohësisht e filtron esencën e saj përmes një kodi të ri estetik për pikturën në historiografinë e arteve pamore shqiptare, atë dekorativ”, është shprehur për Përvathin, Oltsen Gripshi, studiues.

Sipas Gripshti, qenia fizike e artistit në mënyrë të pavetëdijshme përzien emocione, ndjenja, përjetime dhe kujtime të cilat e ndihmojnë atë në formësimin e stilit të tij krejtësisht vetjak. Të një gjuhe artistike larg çdo ndikimi në realitetin e Realizmit Socialist të djeshëm dhe të konceptualizmit në artin bashkëkohor të sotëm. Kjo, sepse piktori Përvathi natyrën e shikon si “muzën” frymëzuese të peizazheve të tij dhe stinën e vjeshtës si kulminacionin e joshjes ndaj saj… aq sa në vegimet e “Vjeshtës së kuqe”, si mbresat e një kohe.

Vetë piktori ka thënë më herët se motivet e ciganëve kanë qenë gjithmonë muza e tij. “Tek unë jam preferencë, sepse përafrohen shumë me konceptin tim, që unë kam për pikturën, me marrëdhënien dekorative në sipërfaqen e tablosë, ç’ka më bukur se tek ciganet, tek veshjet e tyre, nuk e gjen në ndonjë gjë tjetër. Prandaj dhe mua më pëlqejnë dhe dua t’i kem në telajon time. Në këtë ekspozitë është dhe një vizitore e huaj nga Sri Lanka, që ka qenë në studion time, e cila erdhi në Shkodër me një ekip të huaj. Duke dalë jashtë këtyre punimeve që trajtojnë ciganet unë kam trajtuar edhe portretin familjar, si ajo e babait tim, apo dhe të tjerë portrete si ‘Bukuroshja e fjetur’, etj. Edhe tek tematika e portreteve kam shëtitur”, është shprehur Përvathi. Ai ka thënë se asnjëherë nuk është udhëhequr nga parimi se çfarë do të thotë vepra ime dhe çfarë mesazhi përcjell dhe se sa bashkëkohore është situata që bëhet në vendin tonë, madje dhe veprat e kolegëve të mi nuk i kam parë në sensin se çfarë mesazhi përcjellin.

“Unë gjithmonë përpiqem që vepra ime të flasë me mjete artistike, në gjuhën e së bukurës dhe për t’i dhënë dhe pak qetësi dhe entuziazëm artdashësit”, ka thënë më herët Përvathi, duke vënën në dukje se tregu i artit pamor në Shqipëri është i pakonsoliduar. “Është fakultativ, janë disa njerëz më shumë koleksionistë që kanë filluar të krijojnë koleksionet e tyre, sepse kjo është një gjë e mirë pasi është një ndihmë për artistët dhe një lloj konservimi që i bëhet veprës së mirë, për të mos shtegtuar jashtë kufijve, kjo është ana pozitive”, ka vërejtur ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.