AKTUALITET

IKMT nis aksionin për pastrimin e “Syrit të Kaltër” nga lokalet pa leje. Pronarët: Po na groposin

11:09 - 12.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Arbër Sulo – Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur mëngjesin e djeshëm një aksion për prishjen e dy godinave, të cilat shërbenin si lokale shërbimi në pikën turistike të “Syrit të Kaltër” në bashkinë e Finiqit, i cili prej vitesh është shpallur Monument Natyre. Mësohet se dy lokalet prej druri kishin vite që funksiononin në këtë zonë. Në mbështetje të aksionit të IKMT-së kanë qenë edhe forcat policore. Aksioni në fjalë ka irrituar pronarët, të cilët kanë deklaruar se janë njoftuar dy ditë më parë dhe se objektet i kanë me dokumente të rregullta. Pavarësisht se deklaruan se shteti po i gropos për së gjalli, ata kanë nisur të çmontojnë vullnetarisht objektet.




REAGIMI I PRONARËVE
Të afërm të pronarit të lokalit të parë “Blue Eye”, i cili ndodhet në hyrje të pikës turistike u shprehën se janë të rregullt me shtetin dhe të kompletuar me dokumentacionin përkatës. Sipas tyre, kontrata e lidhur skadon në vitin 2023. Megjithëse pritën ca kohë, pasi nuk besonin ende se lokali do të shembej, ata nisën ta çmontonin vetë objektin. “Nuk jemi pa leje, jemi të pajisur me gjithë dokumentacionin e duhur”, tha i irrituar një i afërm i pronarit të lokalit në fjalë. Të njëjtën gjë deklaroi dhe nipi i pronarit. Ndërsa, te lokali i dytë çmontimi kishte nisur që herët. Pronari i këtij lokali, Fatmir Gjoka tha i përlotur: “Kam 20 vjet që e kam ngritur nga hiçi këtë lokal. Nuk di se çfarë të bëj. Shteti është shtet. Na groposi. Këto janë lot burri. Ta shohë dhe kryeministri se çfarë bëjnë. Na lajmëruan 24 orë më parë. Çfarë të bëjmë, nuk e di. Kam 20 vjet që operoj me taksa, jam i rregullt dhe sipas ligjeve të shtetit tim. Kam 20 familje që ushqehen me punën që bëjnë këtu në biznesin tim. Nuk kam asnjë informacion se çfarë do të bëhet këtu. Liroje vendin më thanë pasditen e së mërkurës. I lutem shtetit të gjykojë me drejtësi.

Nuk kërkoj lëmoshë. Kam nisur ta çmontoj vetë. Nuk e marr vesh kush ia ka vënë syrin vendit ku është lokali im. Nuk e di a është ndonjë lupo, apo ka dhënë ndonjë lekë nuk e di. Unë kam një kontratë me ‘Albturizmin’, me Ministrinë e Kulturës. I kam njoftuar dhe nuk më kanë kthyer përgjigje”. Ndërkaq, Gjoka tha se aty afër është ngritur edhe një kioskë. “Kjo kioska këtu u ngrit para një viti. Nuk e di e kujt është dhe nëse i hapet rrugë asaj. Mbaruan zgjedhjet më 27 qershor dhe në 28 e sollën kioskën dhe ngulën me vinç këtu. Më 31 janar të 2019-ës mbush plot 20 vjet këtu tek ky vend. Vendi këtu ka qenë një përrua. Unë e kam sjellë korrentin nga 2 km se nuk kishte korrent këtu. Vura në efiçencë fshatin e vogël turistik. Kam mbjellë shumë pemë. Edhe rrugën deri këtu e kam bërë vetë dhe të kem këtë përfundim, të më hedhin si leckë, nuk e kuptoj”. Nga ana tjetër, avokati mbrojtës, Flamur Laze u shpreh se ndërhyrja e IKMT tek objektet e klientëve të tij është e padrejtë.

“Nuk janë të njoftuar për prishjen. Ata janë të pajisur me dokumentacionin përkatës. Nuk duhej nisur nga prishja, nga sinjalizimi fillimisht që t’u jepej kohë qytetarëve, pronarë të këtyre objekteve të kërkonin të drejtën e tyre me rrugë ligjore. Ata janë të rregullt me dokumentacionin sipas kontratës së lidhur me institucionet përkatëse”, tha avokati Laze. Deri në orën 16:00 të ditës së djeshme, IKMT nuk kishte ndërhyrë për të prishur objektet, ndërsa ishin në pritje të çmontimit të tyre nga vetë pronarët. Kur gjithçka të çmontohet prej pronarëve, atëherë IKMT do të ndërhyjë për të prishur platformat dhe bazamentet prej betoni.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.