AKTUALITET

“Kush je ti, e kush jam unë”, si nisi sherri që përfundoi me tre të vrarë në Mat

10:00 - 12.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tronditet Mati dhe jo vetëm. Tre punonjës të bashkisë janë vrarë, ndërsa është plagosur kolegu i tyre. Mësohet se viktimat kanë qenë duke drekuar, pasi kishin punuar për ndërtimin e një rruge, kur janë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga Kujtim Koxha. Ngjarja e rëndë ku humbën jetën Mentor Hoxha 36 vjeç, Erzen Aliaj 49 vjeç dhe Hamit Buçi si dhe mbeti i plagosur, Astrit Hani 40 vjeç, ndodhi pasditen e djeshme në fshatin Shëlli të njësisë administrative Lis, pas një konflikti mes 51-vjeçarit Koxha, kryeplak i fshatit në fjalë dhe punonjësve të bashkisë së Matit. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policore, të cilat janë vënë në kërkim të autorit të krimit. Pas dy orësh kërkime është bërë e mundur arrestimi i autorit të masakrës. Kujtim Koxha, ish-kryetar i Partisë Socialiste në fshatin Shëlli u kap rreth një orë larg vendit ku ndodhi vrasja e trefishtë dhe konkretisht në një urë, në afërsi të fshatit Burgajet.




Ndërkaq, ende nuk dihet saktësisht motivi i krimit. Burimet nga policia, Bashkia e Matit dhe banorët e zonës janë kontradiktore. Pas kryerjes së hetimeve paraprake hetimore në vendin e ngjarjes, burime nga policia bënë me dije për “Gazeta Shqiptare” se kryeplaku iu kishte kërkuar punonjësve të Bashkisë t’i çonin rrugën deri tek shtëpia e tij, por ata nuk kishin pranuar, i janë përgjigjur se kishin një projekt para, të cilin duhet të zbatonin që me sa duket nuk e parashikonte rrugën deri te shtëpia e kryeplakut. Ndërsa, burime të tjera po nga policia pohuan se gjithçka ndodhi pas një sherri banal. Sipas këtyre burimeve, autori i masakrës dhe punonjësit e bashkisë e kanë nisur sherrin siç ndodh rëndom në Shqipëri: Kush je ti e kush jam unë; kush është i “fortë”.

Banorë të zonës thanë se konflikti mes palëve nuk ka qenë për rrugën dhe se agresori ka qenë i dehur. Do të jenë hetimet e mëtejshme që do të hedhin dritë mbi ngjarjen që shokoi gjithë vendin. Përveç hetimeve intensive, policia ka marrë në mbrojtje familjen e autorit të vrasjes së trefishtë, pasi i druhen një hakmarrje të mundshme ngatë afërmit e viktimave

MASAKRA

Prej katër ditësh, punonjësit e bashkisë së Matit: Mentor Hoxha, Erzen Aliaj, Hamit Buçi dhe Astrit Hani ishin duke punuar për rikonstruktimin e rrugës së fshatit Shëlli që lidhet me fshatra të tjerë të njësisë administrative të Lisit. Mësohet se paraditen e djeshme, ata kanë debatuar me kryeplakun e fshatit, Kujtim Koxha. Rreth orë s 14:00, punonjësit e bashkisë së Matit kanë shkuar për të drekuar në lokalin e fshatit. E ndërsa, ishte shtruar dreka dhe kishin nisur të hanin, ka hyrë i armatosur në lokal 51-vjeçari Koxha. Ky i fundit ka qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të tavolinës ku ndodheshin punonjësit e bashkisë. Për pasojë ka mbetur i vdekur në vend Mentor Hoxha, ndërsa tre kolegët e tij kanë mbetur të plagosur. Erzen Aliaj dhe Hamit Buçi kanë ndërruar jetë dy orë më pas në spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërkohë, që i plagosuri Astrit Hani, banor i fshatit Shëlli, ndodhet në burgun e Burrelit jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se tre të vrarët janë nga fshatra të ndryshëm të njësisë administrative të Lisit. Vrasja e trefishtë ka alarmuar policinë, e cila ka mbërritur shpejt në vendngjarje dhe ka nisur hetimet. 40 efektivë janë vënë në ndjekje të autorit të krimit, i cili ishte larguar nga vendi i ngjarjes me një motor në rrugën e vjetër që lidh Matin me Dibrën. 51-vjeçari Kujtim Koxha u prangos pas dy orësh në afërsi të fshatit Burgajet.

DËSHMITARI

Pak orë pas masakrës, janë zbuluar detaje të tjera të frikshme. Mësohet se ngjarja mund të kishte pasur dhe më shumë viktima. Sipas dëshmitarëve, Kujtim Koxha ka hyrë në lokal më një kallashnikov dhe dy karikatorë. Njërin e kishte në armë dhe tjetrin në xhep. Në momentin që ka qëlluar me breshëri në drejtim të tavolinës ku ishin punonjësit e bashkisë, ka hyrë një person në lokal. Ai i ka kapur nga pas automatikun Koxhajt dhe ia ka ngritur lart. Nëse nuk do i kishte kapur armën, asnjë nuk do ishte gjallë. Ai na shpëtoi”, tha dje një dëshmitar për “Gazeta Shqiptare“. Ndërsa, mësohet se në lokal, në momentin e ngjarjes ndodheshin gjithsej 7 persona, pjesa më e madhe punonjës të Bashkisë së Matit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.