AKTUALITET

Lotaria amerikane, si të plotësoni saktë formularin elektronik

09:00 - 12.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Deri në 6 nëntor të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të jetojnë e punojnë në Shtetet e Bashkuara mund të aplikojnë për lotarinë amerikane. Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se aplikantët duhet të paraqesin informacionin e kërkuar në mënyrë që regjistrimi në DV-2020 të jetë i suksesshëm. “Ju duhet të paraqisni informacionin e mëposhtëm për të plotësuar regjistrimin tuaj E-DV: emrin – mbiemrin, emrin, emrin e mesit – ekzaktësisht siç shkruhet në pasaportë. Tek emri i mesit do të klikoni kutinë: ‘no middle name’. Datën e lindjes – ditë, muaj, vit. Gjininë – mashkull ose femër. Qytetin e lindjes”, – nënvizohet në udhëzim. Në këtë të fundit bëhet me dije se aplikantët duhet të plotësojnë informacionin edhe mbi shtetin e lindjes ku duhet të përdorin emrin me të cilin njihet aktualisht shteti ku kanë lindur. Përsa i përket pyetjes mbi vendin e kualifikueshëm për programin e lotarisë, aplikantët që kanë lindur në Shqipëri, nuk ka nevojë t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. Vendi i kualifikueshëm për programin e lotarisë normalisht do të jetë i njëjtë me atë të lindjes. Vendi i kualifikueshëm për programin e lotarisë nuk lidhet me vendin ku aplikuesi jeton.




Fotografitë
Fotografitë e të regjistruarve duhet të jenë foto personale pa syze, të nxjerrë 6 muajt e fundit, për aplikantin kryesor, të bashkëshortit/es, si dhe të të gjithë fëmijëve të përfshirë në regjistrim. “Nuk është e nevojshme të përfshini një foto të bashkëshortes/it dhe fëmijëve, tashmë qytetarë amerikanë ose rezidentë të përhershëm të ligjshëm (me green card), por në rast se i përfshini, nuk do të ketë pasoja në aplikimin tuaj për vizë shumëllojshmërie. Fotografitë në grup nuk do të pranohen, duhet të paraqisni nga një fotografi për çdo individ. Regjistrimi juaj mund të skualifikohet ose viza juaj të refuzohet nëse fotografitë tuaja nuk janë të kohëve të fundit, janë të manipuluara në një formë apo në tjetrën, ose nuk respektojnë specifikimet e mëposhtme. Nëse përfshini fotografi që e kishit përdorur në regjistrimin e vitit të kaluar (DV-2019), ju do të skualifikoheni automatikisht, ndaj përdorni fotografi të nxjerrë kohët e fundit”, – theksohet në njoftim.

Të dhëna të tjera
Gjithashtu, në pikën e tetë të pyetjeve, kandidatët duhet të vendosin saktë adresën postare, ndërsa në pikën 9, shtetin ku aplikanti jeton aktualisht. Më tej të interesuarit duhet të plotësojnë informacionin mbi numrin e telefonit; adresën e e-maili (një adresë poste elektronike (e-mail) në të cilën aplikanti ka akses të drejtëpërdrejt). “Nëse aplikimi juaj përzgjidhet dhe ju i përgjigjeni njoftimit të përzgjedhjes tuaj nëpërmjet Kontrollit të Statusit të të Regjistruarit, ju do të merrni e-maile të tjera komunikuese nga Departamenti i Shtetit duke ju njoftuar që informacioni me detaje i intervistës për vizën emigruese është vendosur në Kontrollin e Statusit të të Regjistruarve. Departamenti i Shtetit kurrë nuk do t’ ju dërgojë një e-mail duke ju thënë se ju jeni përzgjedhur për programin e DV-së”, -thekson Departamenti Amerikan i Shtetit.

Niveli i arsimimit
Në sektorin e nivelit arsimor kandidatët duhet të japin të gjithë informacionin lidhur me nivelin më të lartë të arsimimit që kanë arritur deri më sot. Alternativat që jepen janë: vetëm shkollë fillore, disa vite shkollë të mesme, pa diplomë; diploma e shkollës së mesme; shkollë profesionale; disa kurse universiteti; diplomë universitare; disa nivele të kurseve pasuniversitare; master; disa kurse të doktoraturës; si dhe doktoraturë.

Statusi aktual martesor
Të gjithë ata që do të bëjnë regjistrimin e DV-2020 duhet të plotësojnë edhe informacionin mbi statusin aktual martesor si: i/e pamartuar, i/e martuar dhe bashkëshorti/ja ime nuk është qytetare amerikane, apo me (green card); i/e martuar dhe bashkëshorti/ja ime është qytetare amerikane, ose me (green card); i divorcuar; i ve, ose i ndarë ligjërisht. “Vendosni emrin, datën e lindjes, gjininë, qytetin e lindjes, shtetin e lindjes së bashkëshortit/es tuaj dhe një fotografi të bashkëshortit tuaj që plotëson specifikimet teknike të njëjta si fotoja juaj. Mosvendosja e bashkëshortit/es tuaj në regjistrimin tuaj për lotarinë, ose vendosja e ndokujt që nuk është bashkëshorti/ja e juaj në ditën që po dorëzoni regjistrimin për lotarinë, do të rezultojë në skualifikimin e aplikantit kryesor dhe të refuzimit të të gjitha vizave të rastit në kohën e intervistës për vizë. Ju duhet të përfshini në regjistrimin tuaj bashkëshortin/en tuaj edhe në qoftë se keni ndërmend të divorcoheni përpara se të aplikoni për një vizë”, – thotë Departamenti Amerikan i Shtetit. Mospërfshirja e një bashkëshorti/eje ekzistuese në datën që do të dorëzoni aplikimin tuaj është shkak për skualifikim dhe refuzim të vizës. Nëse bashkëshorti/ja juaj është qytetar amerikan apo banor i përhershëm i ligjshëm, mos e përfshini atë tek aplikimi juaj. Një bashkëshort i cili tashmë është një qytetar amerikan apo një banor i ligjshëm i përhershëm nuk do të kërkojë dhe as nuk do t’i lëshohet një vizë DV. Ndaj, nëse zgjidhni opsionin “i martuar dhe bashkëshorti/ja ime është qytetare amerikane, ose me (green card)” tek aplikimi juaj, sistemi nuk do t’ju kërkojë të vendosni informacionin për bashkëshortin/en.

Numri i fëmijëve
Kandidatët duhet të renditin emrin, datën e lindjes, gjininë, qytetin e lindjes dhe shtetin e lindjes për të gjithë fëmijët e pamartuar nën moshën 21 vjeç në ditën e regjistrimit elektronik, pavarësisht nëse ata jetojnë apo jo me aplikuesin, apo s’kanë ndërmend ta shoqërojnë në Shtetet e Bashkuara. Në udhëzim theksohet se duhet të ngarkohet fotografi individuale e secilit prej fëmijëve, duke përdorur specifikimet teknike të njëjta si fotografia e aplikantit. “Sigurohuni që të përfshini të gjithë fëmijët biologjikë, të gjithë fëmijët ligjërisht të birësuar nga ju dhe të gjithë fëmijët/thjeshtërit nga martesat e mëparshme që janë të pamartuar dhe nën moshën 21 vjeç në datën e aplikimit tuaj elektronik, madje edhe në qoftë se ju nuk jeni më të martuar ligjërisht me prindin e fëmijës dhe madje edhe në qoftë se fëmija aktualisht nuk banon me ju dhe/ose nuk do të emigrojë me ju. Fëmijët e martuar dhe fëmijët 21 vjeç e lart në datën kur ju kryet regjistrimin tuaj nuk janë të pranueshëm për programin e DV-së”, – theksohet në njoftim. Mospërfshirja në regjistrimin për lotarinë i të gjithë fëmijëve të cilët kanë të drejtë do të rezultojë në skualifikimin e aplikantit kryesor dhe të refuzimit të të gjitha vizave të rastit në kohën e intervistës për vizë.

Përzgjedhja
Përzgjedhja e aplikantëve bazuar në shpërndarjen e vizave të disponueshme për çdo rajon dhe shtet do të bëhet rastësisht nga kompjuteri ndërmjet aplikimeve të kualifikuara. Të gjithë aplikantët e DV-2020 duhet të shkojnë tek Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve duke përdorur numrin unik të konfirmimit të ruajtur nga regjistrimi për DV-2020 i aplikimit të tyre në internet për të gjetur nëse aplikimi i tyre është përzgjedhur në programin e DV. Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve do të jetë në dispozicion në faqen e internetit të E-DV www.dvlottery.state.gov duke filluar nga 7 maji 2019 deri të paktën më 30 shtator 2020.

Këshilla mbi aplikimin e lotarisë amerikane:

1-Lexoni rregullat dhe aplikoni vetëm nëse plotësoni kushtet.
2-Aplikoni vetëm një herë, përfshini bashkëshortët dhe fëmijët nën 21 vjeç (bashkëshortët mund të aplikojnë më vetë).
3-Sigurohuni që foto është e saktë (kontrolloni përmasat, sfondin dhe hiqni syzet).
4-Kontrolloni mirë të dhënat (ju jeni përgjegjës për të dhënat që jepni, kontrolloni punën e ndihmësve dhe përkthyesve).
5-Aplikimi është falas (ju nuk keni nevojë të paguani askënd për të aplikuar).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.