KULTURË

Virion Graçi: Kur Fatos Arapi na fliste për Kadarenë e Agollin

13:00 - 13.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pikërisht 30 vite më parë e kam takuar për herë të parë poetin Fatos Arapi. Rasti më çoi në banesën e tij, përballë liceut: një shoku im i kursit e kishte zgjedhur si udhëheqës shkencor për temën e diplomës, ‘Poezia e Podrimjes.’… E kështu shkonim te F. Arapi”. E kujton ende sot si atëherë, takimin e parë me poetin, shkrimtari Virion Graçi. Vëren se “kureshtjet e tij ishin për shkrimet tona e kureshtjet tona ishin për atë vetë e për brezin e tij. Bisedonte shpenguar duke na trajtuar si djem të rritur, të besës, ndonëse në rrëfimet e tij për Kadarenë, Agollin e ndonjë tjetër kishte veçse respekt e fjalë nderuese. “Dhimbja për vëllanë varrhumbur kish nisur t’i shpërfaqej pasi na e përmendi që në bisedën e parë. Para këtij takimi, në kulmin e kinezërive komuniste i kisha pëlqyer sidomos vargjet: rinia kurrë nuk është treguar më e mençur/se sa atëherë kur nxiton për në takime dashurie…”, shënon Graçi. Për të, libri i tij ‘Ku shkoni ju statuja’ mu në grahmat e fundit të diktaturës komuniste, ishte për shpirtin balsam; ndërsa poezia si “Kishte çelur lulja e ullirit” apo ajo për Pentesilenë, krahas poezish të tjera të mëvonshme te “Ne, pikëllimi i dritave” apo “Më vjen keq për Jagon” janë ndër arritjet më të përkryera të poezisë sonë.




“Rreshtat e mësipërm nuk i hodha vetëm si homazh për ndërprerjen fizike të një jete, por si ngushëllim edhe për veten time. Më ngushëllon fakti se edhe unë e kam njohur si njeri e kam bashkëbiseduar shumë herë me poetin e madh Fatos Arapi. Në takimin me një shkrimtar tjetër të madh, jo pa dinakëri ai më pati pyetur: ‘përse ke dashur të takoheshe me mua?’. E kuptova shpejt shqetësimin e tij e i thashë: ‘Pavarësisht se jemi shumë larg njëri-tjetrit si moshë, si brezni e si autorë, ne jemi bashkëkohës, njerëz të një vendi e të një kohe të paktën prej 30 vitesh. Si lexues i letërsisë shqipe, si ligjërues e studiues i saj unë nuk mund t’ia lejoj vetes indiferencën, mungesën e kureshtjes për anën njerëzore të çdo shkrimtari të rëndësishëm”, e mbyll shënimin e tij, Graçi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.