OPINION

Dialog, gjeopolitikë dhe përplasje interesash SHBA-Rusi

07:20 - 27.10.18 Vasil Kureta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Marrëdhënia mes SHBA dhe Rusisë përfshin brenda saj edhe dialogun, gjeopolitikën dhe përplasjen e interesave mes tyre. Kjo cilësi e marrëdhënies, po mbush me shpejtësi përmbajtjen e saj dhe që afekton e do të afektojë në proces sjelljen e qëndrimet e tyre ndaj zhvillimeve të rëndësishme në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos sa i përket sigurisë e stabilitetit të rendit botëror. Befasia e madhe  e parë ishte bërja publike nga presidenti amerikan Trump e principit „America First“ dhe pas saj ishte njoftimi për një takim jashtë vendeve të tyre, të presidentit amerikan Trump dhe presidentit të Rusisë Putin. U vlerësua shumë rruga apo metoda e dialogut, por thatësira e informacionit dhe mungesa e ndonjë zhvillimi domethënës të mëtejshëm, u kanë hapur rrugë shumë hamëndësive. Ishte një blof për interesa konkrete, një veprim për të tërhequr vëmendjen, një tatim pulsi apo njohje nga afër të objektivave mes tyre, kjo akoma nuk është saktësuar edhe pse analistë të ndryshëm nuk kanë nguruar me opsionet e tyre. Gjithsesi, përmbajtja e marrëdhënies mes SHBA dhe Rusisë, po mbushet me shpejtësi me përbërës thelbësorë, që po tërheqin vëmendjen, sepse po evidentojnë më shumë ndarjet në qëndrimet gjeostrategjike, apo ndryshimin e disa gurëve apo elementëve të rëndësishëm, sidomos ndaj dakordësimeve të arritura në marrëveshje e traktate të  rëndësishëm për stabilitetin e sigurinë e rendit botëror, të nënshkruara më parë.




Pas rrëzimit të komunizmit dhe shpërbërjes së BRSS, u krijua një realitet i ri konkret ekonomik e politik i Rusisë, ku Jelcin ka kontributin e tij edhe pse interesat nacionaliste të zhvilluara historikisht, nuk mund të pajtoheshin kurrsesi me vendin dhe rolin  që mori Rusia. Një ndryshim i vërtetë mori udhë, kur në krye të interesave nacionaliste ruse u vendos Putin, i cili realisht ka meritën konkrete të sendërtimit të një strategjie të plotë e komplekse, për të mundësuar një  vend e rol tjetër të Rusisë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, një rol domethënës të saj në zhvillimet botërore dhe po kështu një marrëdhënie krejt tjetër, nga ajo që formësoi Jelcin, me aktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë ,sidomos me SHBA dhe Perëndimin. Filloi shpejt të flitej edhe për një „putinizëm“, që me sa duket, Putini e frenoi të zhvillohej hapur nga brenda Rusisë. Putin mendoi më shumë të vepronte, të bënte ato që nevojiteshin, duke e ditur mbështetjen e nacionalizmit rus, që kishte peshë të madhe, jo vetëm në klasën politike, por në mbarë shoqërinë ruse. Dhe tash Rusia është një aktor i rëndësishëm në zhvillimet botërore. Putin edhe kur bënte konstruktivin në ecurinë e asaj marrëdhënieje, në atë që u njoh si partneriteti NATO-Rusi, edhe kur shprehte kundërshtimet, me zë jo shumë të lartë, për arkitekturën e sigurisë europiane, edhe kur shfaqte mosdakordësinë e vendosjes së sistemeve raketore mbrojtëse të NATO-s në disa vende europiane, që synonin përballimin e mundshëm ndaj goditjeve të sigurisë europiane e perëndimore, nga goditje të mundshme terroriste, lëshonte ndonjë zë, ndaj lëvizjeve të NATO-s, në forcimin e sigurisë së anëtarëve të saj, se dukeshin si prirje të NATO për atë që quhej një “rrethim” ndaj Rusisë, punonte me intensitet për përgatitjen e standardeve të domosdoshme, që mundësonin një status krejt tjetër, pikërisht të superfuqisë botërore.

Putini në proces, me qëndrimet e deklarimet publike herë pas here, po tregonte ambiciet reale, objektivat gjeostrategjikë, sa i përket statusit, vendit dhe rolit të Rusisë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Deklarimet e tipit se, shpërbërja e BS ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike, krijimi i dy organizmave ekonomike e ushtarake euro-aziatikë, me vende ish-pjesë e BRSS, por me anëtarësim në të dhe të Kinës, madje dhe me një status vëzhguesi në CSTO edhe të Serbisë, strategjia e konflikteve të ngrira, me krizën gjeorgjiane, aneksimin e Krimesë e shpërthimin e konfliktit në Ukrainë, ishin tregues të qartë, se Putini synonte një rivalitet dhe ndarje roli me SHBA në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Rusia në proces e ngriti zërin e kundërshtimit ndaj plotësimit të kërkesave të Gjeorgjisë e Ukrainës, për anëtarësim në BE e në NATO dhe me vendosmëri zhvilloi strategjinë e zhvillimit të potencialeve ushtarake, të përsosjes teknologjike në zhvillimin e arsenalit ushtarak, që mundësuan edhe stërvitje ushtarake me përmasa gjithnjë e më të mëdha, siç ishte dhe kjo e fundit, së bashku me Kinën. Këto fakte dëshmojnë, se një strategji konkrete, ishte ndërtuar e u synua të realizohej. Pjesë e demonstrimit të fuqisë ushtarake dhe e interesave gjeostrategjike të superfuqisë botërore e të rivalitetit me SHBA, ishe dhe ndërhyrja e Rusisë në krizën komplekse e të vështirë siriane. Rusia kështu, bëri fakt një rol të saj në zhvillimet botërore, ku është pritur e pritet realisht një rol konstruktiv në forcimin e stabilitetit, sigurisë e paqes në botë. Tash Rusia po kalon në një stad tjetër për ta pasuruar rolin e saj në udhëheqjen botërore, ku natyrisht gjen SHBA dhe Perëndimin edhe pse tash të grindur mes vetes, që kanë kontribuar maksimalisht për stabilitetin e rendit botëror, veçanërisht pas rrëzimit të komunizmit, ku SHBA ka qenë superfuqia e vetme. Tash duket se  mund të ketë më pak dialog e më shumë veprim e hap konkret ndryshues, madje ka prirje, lëndë edhe për një retorikë në zhvillim, që ka brenda një përplasje reale interesash mes SHBA dhe Rusisë. Dhe, në fakt, një marrëdhënie kontradiktore mes ShBA dhe Rusisë po e mbush me shpejtësi përmbajtjen e saj. Putini është i qartë kur pohon, në një forum në Soci, se presidenti amerikan Trump ka pasur gatishmëri për të përmirësuar marrëdhëniet SHBA-Rusi, pavarësisht situatës së komplikuar në politikën e brendshme të SHBA. Madje ai e konkretizon këtë ide duke nënvizuar se Trump, jo vetëm dëshiron, por dhe mendon të stabilizojë marrëdhëniet e tensionuara mes Moskës dhe Uashingtonit. Unë, thekson Putin, kam dialog plotësisht normal dhe profesional dhe ai natyrisht më dëgjon. E shoh që ai reagon ndaj argumenteve të mija. Putin  e vlerëson normalitet, që ata të mos pajtohen për shumë gjëra. Dhe vërtet realiteti po dëshmon këtë cilësi marrëdhënieje, ku në përmbajtjen e saj ka dhe diversitete qëndrimesh e veprimesh, por dhe kontradikta e qëndrime të kundërta, por edhe tensione.

Megjithatë, zhvillimet më të fundit, tregojnë për një problematikë përplasjesh, qëndrimesh të kundërta, akuzash komplekse apo një retorikë të nxehtë. Përveç akuzës së njohur, që është në investigim, për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të SHBA, agjencitë amerikane të zbulimit e zbatimit të ligjit, kanë shprehur shqetësimin, se Rusia vazhdon të ketë në shënjestër zgjedhjet e ardhshme për në Kongres. Madje bëhet e ditur dhe një dëshmi, që lidhet me akuzat e reja kundër një shtetase ruse Elena Khuzjanova, të lidhur me oligarkun rus, i njohur si “Kuzhinieri i Putinint”,që akuzohet për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2018. Ajo akuzohet, se po punon me një buxhet miliona dollarësh, për të krijuar llogari të rreme në platforma si ‘Facebook’ dhe ‘Twitter’, që mendohet se vijnë nga biznesmeni Jevgeni Prigozhin, që ka lidhje të ngushta me institucionet politike e ushtarake të Rusisë. Po kështu, shumë analistë ngrenë shqetësimin për synime të Rusisë, në drejtim të thellimit të grindjes brenda perëndimit e BE, për të ndarë Europën apo, siç ka deklaruar Kancelarja Merkel, se Rusia kërkon të shpërbëjë BE. Analistët evidentojnë këtu,jo vetëm mbështetjen ndaj lëvizjeve e partive nacionaliste e populiste, të linjave ideologjike e politike të tyre anti-BE, por flasin për interesa konkrete imperiale të Rusisë dhe për një luftë hibride te Rusisë ndaj hapësirës europiane. Në këtë kuadër, ka tërhequr vëmendjen dhe përpjekja e fundit e Rusisë, për të justifikuar disa veprime, si aneksimi i Krimesë e shpërthimi i konfliktit në Ukrainë, ku Perëndimi ka akuzuar Rusinë për shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe ndryshim me dhunë të kufijve të Europës, duke adresuar dhe sanksione ndaj Rusisë. Nëse Perëndimi e kualifikon aneksim Krimenë, Putini e konsideron atë,jo si grabitje tokash e popujsh me dhunë, por si një demonstrim të vullnetit të popullit të Krimesë, në një referendum  ku mbi 90% e  qytetarëve janë shprehur për t’u shkëputur nga integriteti territorial i Ukrainës dhe për t’iu bashkuar Rusisë. Rasti Krimea mund të hapë një rrugë të rrezikshme destabiliteti, apo të një rrugë të përdorimit apo të shpërdorimit të demokracisë, të keqpërdorimit të referendumeve në funksion të ambicieve gjeopolitike.

Një problem, që po bëhet i mprehtë në marrëdhëniet mes SHBA dhe Rusisë, lidhet me atë që njihet si sulme apo lufta kibernetike, që tash kualifikohet si agresion nga Rusia ndaj vendeve perëndimore. Tani konstatohet një intensifikim i luftës kibernetike, të paktën që nga viti 2007 kur Estonia pësoi një valë sulmesh kibernetike, që u shfaq më pas në zhvillimin e krizës gjeorgjiane në vitin 2008. Madje tani në Perëndim flitet për një strategji konkrete jo spontane, po edhe si agresion kibernetik. Shefi i shërbimeve sekrete të Zvicrës shpreh shqetësimin për rritjen e aktiviteteve të shërbimeve sekrete ruse në Zvicër. Sipas tij, ndryshe nga e kaluara, rusët kanë tentuar të sulmojnë infrastrukturën tonë. Për të shkaku i shtimit të agjentëve rusë në Zvicër shpjegohet edhe me vendndodhjen e shumë organizatave ndërkomëtare. Tash ka në zhvillim një polemikë të nxehtë mes SHBA dhe Rusisë, akuzash e kundër akuzash, sa i përket asaj që flitet si shkelje e traktatit apo marrëveshjes së nënshkruar nga Gorbaçov dhe Regan në  Rejkiavik në vitin 1987, që synonte tu vite fre raketave me reze të shkurtër e të mesme  veprimi, si të tipit Cruise dhe të SS-20, që mendohej se çlironte Europën nga makthi bërthamor. Ky traktat ndalonte SHBA dhe Rusinë për prodhimin, posedimin dhe transportin e armëve raketore. Tash SHBA mendon se Rusia dhe Kina në fshehtësi e kanë shkelur këtë marrëveshje, ku Kina ka përfituar edhe nga fakti se nuk e kishte firmosur atë traktat dhe e shihte veten të lirë të vepronte. Presidenti amerikan Trump akuzon Moskën për shkelje të marrëveshjes për kontrollin e  armëve bërthamore, duke pohuar se kjo e detyron të deklarojë se SHBA do të tërhiqet nga marrëveshja me Rusinë për kontrollin e armëve. Në fakt, kjo është akuzë që  bërë për Rusinë që në vitin 2014. Rusia është mbrojtur nga kjo akuzë amerikane me argumentin se disa elementë të sistemit të armëve kanë qenë në kundërshtim me marrëveshjen. Reagimi i presidentit Trump erdhi, pas disa ditësh të deklarimit të Putin se, Rusia mund të përdorë armët bërthamore, në përgjigje të ndonjë sulmi bërthamor. Presidenti Trump ishte i qartë dhe i vendosur kur pohoi se „Rusia ka shkelur marrëveshjen, e ka shkelur shumë dhe ne nuk do të lejojmë që të shkelë një marrëveshje bërthamore. Ata të bëjnë armë dhe ne jo, ka nënvizuar presidenti amerikan. Presidenti Trump ka nënvizuar se Rusia nuk do të shpëtojë nga pasojat. Më pas ambasadorja e SHBA në NATO ka deklaruar se SHBA janë të gatshme të kapin dhe shkatërrojnë raketat ruse me reze të mesme, të vendosura në kundërshtim me traktatin e vitit 1987, që mund të godasin vendet anëtare të Aleancës në Europë. Ajo nënvizon, se ne jemi përpjekur të dërgojmë një mesazh në Rusi për kaq shumë vite dhe se ne jemi në dijeni për shkeljet e traktatit prej Rusisë, por tani po ndërtojnë një raketë të ndaluar balistike me reze të mesme. Ky është fakt për të cilin kemi prova, ka nënvizuar ambasadorja.

Siç pritej Rusia, përmes zëdhënësit të Kremlinit Peskov mohon që Rusia ta ketë shkelur traktatin e vitit 1987 INF, madje akuzon se SHBA vazhdojnë të zhvillojnë raketa të reja. Pjesë e zhvillimeve më të fundit është bërë dhe njoftimi nga Stoltenberg, që pas stërvitjes me përmasa të mëdha nga Rusia e Kina në Siberi, se NATO ka përfunduar përgatitjet dhe është gati të nisë stërvitjen „Trident Moment“, në veri të Norvegjisë, që konsiderohet më e madhja pas përfundimit të luftës së ftohtë 1. Sipas tij, manovrat janë një ballafaqim me sfidat e sigurisë, por që duket se është dhe një përgjigje flakë për flakë, ndaj stërvitjes ruso-kineze. Ne, ka pohuar ai, jetojmë në një botë më të rrezikshme dhe me të paparashikueshme ndaj kërcënimeve dhe sfidave të reja. Ai nënvizon se Rusia udhëheq një politikë që nuk heziton të përdorë forcën kundër fqinjëve. Deklarimi i presidentit Trump për një tërheqje nga kjo marrëveshje në këtë situatë, ka nxitur mjaft reagime komplekse. Deklarata për tërheqje të SHBA nga traktati i çarmatimit, është vlerësuar nga Rusia si një hap shumë i rrezikshëm, madje që do të dënohet nga bashkësia ndërkombëtare. Një nga nënshkruesit e kësaj marrëveshje, Gorbaçov, ka nënvizuar se  tërheqja amerikane nga marrëveshja e vitit 1987 do të minonte përpjekjet e derisotme për çarmatimin bërthamor, sepse marrëveshjet e miratuara vite më parë, ofrojnë kontroll e garanci, që kështu i shërbejnë ruajtjes së jetës në tokë. Në fakt, marrëveshja INF e vitit 1987, në një farë mënyre, frenoi ambicie konfrontimi ushtarak, deri më sot, duke krijuar një kuadër rregullues ligjor. Në vitin 2007 ishte Putini i pari që deklaronte se mund të braktiste këtë marrëveshje, nëse SHBA nuk pranon që të bëhet ndërkombëtare, d.m.th. që të përfshihen dhe vende të tjera si Kina edhe pse Kina e ka refuzuar këtë. Kjo retorikë dëshmon një rritje të tensioneve mes SHBA dhe Rusisë. Ky zhvillim dëshmon se kontrolli i armëve bërthamore po bëhet një çështje shumë e mprehtë. Pavel Felgenhauer mendon se SHBA nuk ka çfarë të fitojë ushtarakisht duke denoncuar INF, por Rusia ka shumë çfarë të humbasë. Ka kështu një retorikë  të zhvilluar, akuza e kundërakuza, që dëmtojnë cilësinë e marrëdhënies dhe të besimit, apo përqendrime më shumë të  llojit,  se kush humbet sot nga tërheqja SHBA apo Rusia, kur, në fakt, ajo që preket e rrezikohet është siguria, stabiliteti dhe e ardhmja e njerëzimit në tokë. Në fakt, në këto kushte merr vlerë të veçantë dialogu, pavarësisht se edhe oponencat, por jo kërcënimet e prepotencat, mes aktorëve kryesorë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, janë të nevojshme, që i ndihmojnë të vërtetës, por dhe qëndrimeve e veprimeve të përgjegjshme, në mbrojtje të vendosur të ligjit e të drejtës ndërkombëtare, që i shërben zhvillimeve të qëndrueshme, stabilitetit e paqes në botë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.