OPINION

Arsyeja e vërtetë e shkarkimit të Xhafajt dhe emërimit të Lleshit

07:40 - 28.10.18 Dritan Hila
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Para një jave, një njohës i mirë i mekanizmit të pushtetit dhe personazh i dorës së parë në këto 28 vjet tranzicion me thoshte se, Fatmir Xhafaj do të  jetë ministër i Brendshëm deri në momentin kur Rama do të ndihet realisht i kërcënuar nga arrestimet e tij. Pyetjes sime, nëse do ta lejonin amerikanët, njeri i të cilëve Xhafaj është, iu përgjigj se SHBA-të prioritet kanë stabilitetin rajonal dhe vetëm në të tilla raste bëjnë ndërhyrje drastike, siç ishte Berisha në ‘97-ën. Nëse Rama nuk i prek këto ekuilibra jashtë vendit, brenda vendit, ata përpiqen që të operojnë me të mundshmen.




Koha i dha të drejtë. Le të përpiqemi me një analizë larg budallallëqeve që gëlojnë në të tilla raste. Pas dorëzimit të vëllait tek autoritetet italiane, Xhafaj nuk ishte i kërcënuar ligjërisht. Ai vetë, pavarësisht thashethemeve të rrjetit, nuk ka qenë i akuzuar për trafik droge dhe pjesëmarrës direkt apo indirekt në trafiqe. Çështja e vëllait të tij ishte më shumë një arsye morale sesa operacionale. Politikisht, ai ishte njeriu më i besuar i amerikanëve dhe pastaj gjermanëve. Ndoshta për shkak të një qasjeje prej shtetari që Fatmir Xhafaj ka ndaj shtetit apo edhe të kompleksit për vëllanë e dënuar, ai ishte njeriu më intransigjent në luftën ndaj trafiqeve. Jo vetëm kaq. Ai nuk shquhej për zbatues të urdhrave të Ramës dhe ca më shumë shkatërroi edhe rrjetin e Tahirit në polici. Arrestimet e fundit kishin mbledhur lakun në qafën e Vangjush Dakos. Bashkiaku i Durrësit tashmë nuk ka nevojë për dëshmi të tjera që është peng i krimit të organizuar në Durrës. Por ai është edhe padrinoja i PS-së në atë qark. Dako menaxhon rrjetet, tenderët dhe është nuni i shumë emërimeve në ndërmarrjet fitimprurëse të shtetit. Sa për shembull, drejtori i OSSHE, një gjigant me 250 milionë euro buxhet investimesh, të cilat jepen sipas qejfit, është beniamin i Dakos dhe kandidati i mundshëm për Bashkinë e Durrësit. Kapja e përgjimeve të fundit, ku Dako vinte qershinë mbi tortë për lidhjet e tij me krimin, paniku që e kishte zënë bashkiakun e Durrësit dhe frika e kryeministrit për arrestimin e beniaminit, e detyruan Ramën të shkarkonte ministrin e tij.

Zëvendësuesi i tij, gjeneral Lleshi është kandidati i duhur për të zëvendësuar Xhafajn për dy arsye.

Së pari qetëson opozitën, pasi gjenerali në fjalë është edhe autor i planit për shpalljen e shtetrrethimit pas 21 janarit. Pra, është njeri i afërt me enturazhin e PD-së.
Së dyti, ndal valën e arrestimeve që ka shpërthyer, ose e drejton në kah tjetër. Për këtë i ka të gjitha cilësitë: nuk merr vesh nga puna e policisë dhe është njeri i të gjitha sezoneve dhe stinëve. Ajo që pritet është se, si do të reagojnë ndërkombëtarët dhe a do ta detyrojnë Ramën të vazhdojë arrestimet vertikalisht.
Pasi shkarkimi i Fatmir Xhafajt (duhet të jesh profan të mendosh se Xhafaj ka dhënë dorëheqjen), është një shenjë jo e mirë, për ata që shpresonin se policia vërtet nuk po merrej me gjoba parkimesh, por po godiste të fortët real të vendit.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.