OPINION

Merkel dhe Lëv drejt “skualifikimit”?

07:20 - 28.10.18 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vështirë të gjendet në historinë e 70 viteve të fundit një rast tjetër kur kryeqeveritari dhe trajneri i Kombëtares së një vendi të jenë njëherazi në gjendje alarmi “SOS”! Kjo po ndodh këto ditë me Kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe kryeteknikun e futbollit gjerman, Joachim ose Jogi Lëv (Joachim Lõw), siç njihet gjerësisht; që kanë aq shumë pika takimi në fatin e djeshëm, në pafatësinë e sotme dhe në misterin e të nesërmes. Të dy kanë 13 vjet që drejtojnë ekipin qeveritar dhe të futbollit, të dy fitues të mëdhenj trofesh; Merkel katër herë Kancelare, Lëv kampion bote dhe me tri trofe evropiane/gjermane, por edhe rreziqe e humbje të mëdha, sidomos këtë vit. Specifikë tjetër unikale është se si suksesin dhe dështimin e tyre e ka pasur në dorë si askund tjetër në botë i njëjti rajon/metropol – Bavaria; politikisht drejtuesit e CSU-së “motër” për Merkel dhe ekipi i Bajernit me teknikët e futbollit për Lëv.




Mirëpo tani, si Merkel dhe Lëv kanë përballë dy sfidat më serioze dhe vendimtare për jetën e tyre politike dhe sportive: Merkel këtë të diel me CDU-në e saj kanë “ndeshjen” e madhe zgjedhore në Hessen, shtetin e vogël me 6 milionë banorë; konfirmimi i kryeministrit të saj aktual kërcënohet nga të Gjelbërit dhe ekstremistët e AfD-së, që shënojnë rritje të ndjeshme në sondazhet e fundit përballë rënies së CDU-së. Humbja e kësaj të fundit pas disa krizash politike të muajve të fundit do ta vinte seriozisht në dyshim rikandidimin e Merkel si kryetare e CDU-së në “ndeshjen” tjetër politike, Kongresin e muajit dhjetor e për pasojë edhe të ardhmen e saj si kancelarë. Por, edhe në rast të fitores së saj në Hessen, telashet nuk sosin për Merkel, sepse mbijetesa e saj politike do të përcaktohet dhe nga rezultati i aleates së saj SPD-së në Hessen, ku sipas sondazheve të fundit, SPD pritet të pësojë humbje të rëndë, duke u renditur e treta pas të Gjelbërve ose dhe më keq. Pas një humbjeje të tillë të mundshme, SPD-ja e ka bërë të qartë se do të largohet nga koalicioni i tanishëm federal, për të shmangur tatëpjetën drejt greminës politike dhe për të paguar me koston e madhe politike të këtij koalicioni dhe sidomos grindjeve të brendshme ndërmjet CDU/CSU. Nr.2 i CDU-së, zonja Karrenbauer e bëri të qartë dy ditë më parë se largimi i SPD-së nga koalicioni do ta çonte vendin pashmangërisht në zgjedhje të reja të përkohshme. Mirëpo ky do të ishte edhe fundi politik i Kancelares Merkel, madje kundërshtaret dhe zëvendësuesit e saj kanë dalë sheshit qysh tani.
Në këtë pozitë dëshpëruese të dyfishtë ndodhet dhe trajneri i Kombëtares, Lëv, në prag të ndeshjes vendimtare më 19 nëntor ndaj Holandës së vogël, por me histori të madhe futbolli, që e poshtëroi gati një muaj më parë 3-0. Ka vetëm një pikë në renditje, vetëm fitorja ndaj “tulipanëve” e shoqëruar edhe me humbjen e tyre përballë francezëve mund ta shpëtonte largimin e Lëv nga pankina e Kombëtares gjermane dhe këtë të fundit nga rënia në Kategorinë e Dytë të Ligës së Kampioneve.

Dikush mund të ketë rezerva lidhur me këtë paralelizëm dhe të thotë se futbolli është kthyer kudo në “magji” me kulmet e njohura në Brazil, Argjentinë, Itali, Spanjë, në Francë, kampione e sivjetme. Por, edhe në vende të vogla si Belgjika, ku vitet e fundit sukseset e “Diajve të Kuq” e kanë bashkuar atë si rrallëkush me sloganin “tous ensemble”.
Gjithsesi, si komb i madh dhe i njohur futbolli, ky i fundit i ka dhënë tonin Gjermanisë si askund tjetër, madje ka kushtëzuar klimën, mjedisin dhe atmosferën e jetës publike dhe politike gjermane.

Sepse, siç u përmend më sipër, vështirë për të mos thënë, e pamundur, të ketë vend tjetër të madh në botë, ku i njëjti rajon, siç është Bavaria të përcaktojë me superyjet e saj, si ekipin kombëtar të futbollit, ashtu edhe koalicionin qeveritar; më konkretisht me ekipin elitar të Bajernit dhe CSU-në “motër” të Bavarisë. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për koincidenca apo raste të veçanta, por për rregullsi apo “bashkëjetesë” në harmoni të plotë ndërmjet futbollit dhe politikës gjermane në shtatë dekadat e fundit.
Kështu, kur në vitin 1954 Kampionati Botëror zhvillohej në Zvicër, Gjermania që po rimëkëmbej nga shkatërrimet e luftës, pasi kishte humbur nderin dhe prestigjin në botë. Ndërkohë, falë Planit Marshall, punës vetëmohuese të popullit gjerman dhe politikanëve të tij legjendarë, Kancelarit Adenauer dhe ministrit të Ekonomisë, Ludwig Erhard po krijohej mrekullia ekonomike dhe sociale. Gjithsesi, ishte fitorja e papritur e Botërorit në Zvicër duke përmbysur rezultatin nga 0-2 në 3-2 ndaj “magjarëve të plotfuqishëm”, që i parapriu asaj me atë që njihet si “mrekullia e Bernës”.

Plot 20 vite më vonë, Botërori zhvillohej në Gjermaninë që ende nuk e kishte marrë veten nga Masakra në Olimpiadën e Munihut më 5 Shtator 1972, ku banditë të “Shtatorit të Zi” palestinez morën peng dhe ekzekutuan 11 atletë dhe trajnerë të ekipit izraelit. Por vendi ato ditë ishte tronditur thellë edhe nga dorëheqja e papritur e Kancelarit legjendar nobelist të “Ostpolitikës”, Willy Brandt, pasi njeri prej ndihmësve të vet ishte spiun i STASIT gjermano-lindor.
Ndërkohë që në futboll po shkëlqenin holandezët me Cruyff-in fluturues dhe yje të tjerë, një “kërcënim” serioz për ekipet e mëdha dhe mikpritësin. Gjithsesi, magjia e futbollit gjerman e bëri sërish të veten, duke ua rrëmbyer trofeun “tulipanëve” me golin e artë të të famshmit Gerd Myler.
Viti 1990 erdhi plot trazime dhe sfida politike për të dy Gjermanitë dhe Evropën. Sapo ishte shembur Muri famëkeq i Berlinit dhe vijonin me intensitet demarshet diplomatike për ribashkimin gjerman mes një atmosfere të shoqëruar me entuziazëm, por edhe me drojë, frikë, dyshime, hezitime nga fuqitë e mëdha dhe opinioni publik. Në ato momente historike të gjithë i kishin hedhur sytë në Itali, te djemtë e Kombëtares gjermane, Klinsmani, Fëllers, Mateus etj., të cilët triumfuan ndaj Argjentinës së Maradonës legjendar. Kështu, trofeu i tretë botëror ndriçoi dhe ndezi atmosferën si një preludi i bukur i ribashkimit më 3 tetor të atij viti.
Dhe kështu vijoi historia gjermane e binomit futboll- politikë, që arriti sërish kulmin me titullin e katërt Kampion Bote më 2014-ën, kur një vit më parë Merkel kishte fituar e sigurt mandatin e saj të tretë si kancelare.
Tatëpjeta politike dhe futbollistike gjermane filloi në “Evropianin 2016”, kur kampionët e botës u larguan me turp, pikërisht atëherë kur ai ishte aq i nevojshëm për publikun dhe sidomos për politikën gjermane dhe Merkel, të cilët po gëlçonin pas krizës së madhe të azilit dhe pohimit “Wir schaffen dass!” (Ne do t’ia dalim) kur kultura e mirëseardhjes filloi të zëvendësohej me gjuhën dhe aktet e urrejtjes, forcimin e populizmit dhe ekstremizmit, etj.
Kriza e vërtetë e futbollit dhe politikës gjermane u shfaq më dukshëm gjatë verës së këtij viti. Kampionët e botës 2014 në Rusi nuk mundën të shkojnë as në ndeshjet kualifikuese të grupit, kurse disa ditë më parë u mundën keqas nga holandezët modestë 3-0.
Po kështu, ndryshe nga sa jemi mësuar ta shohim, edhe Bajerni i famshëm ka disa ndeshje që po mundet dhe brenda Gjermanisë, duke rënë në krize. Ai i ka shtuar edhe më shumë “dhimbjet e kokës” për teknikun e Kombëtares, Lëv, sepse Bajerni është furnizuesi kryesor i Kombëtares gjermane.
Ashtu si futbolli, gjatë verës edhe koalicioni i madh qeveritar dhe Kancelarja Merkel u godit rëndë deri sa nuk mbante më, pas disa deklarimeve dhe qëndrimeve populiste dhe ekstremiste të lidershipit të CSU-së. E megjithatë, në zgjedhjet lokale të 14 tetorit në Bavari, ajo ra në kuotën më të ulët të pasluftës, duke humbur shumicën absolute. Edhe aleatja tjetër e Merkel, SPD-ja ra në minimumin e vet historik me vetëm 10 për qind të votave, duke goditur rëndë besueshmërinë e koalicionit të madh, muaj pas krijimit të tij. Ishin pikërisht këto qëndrime që vlerësohen si më të dëmshmet dhe më të rrezikshmet në historikun e CDU/CSU, që e ndërlikuan në extremis “lëmshin para portës” së Merkel. Ndaj, edhe Hessen i vogël mund të kthehet në një “waterlo” politike/zgjedhore” për koalicionin qeveritar, Merkel dhe Gjermaninë.
Gjithsesi, si futbolli, por sidomos politika gjermane kanë treguar shpesh se dinë të ngrihen edhe mbi krizat më të vështira, madje duke i kthyer ato në mrekulli, ndaj ka jo pak që shpresojnë në “Mrekullinë e Hessenit”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.