OPINION

“Incident” i rastësishëm apo i “investuar”?

07:40 - 31.10.18 Xhevat Mustafa
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“…nuk mund të përjashtohet prerazi se Konstandin Kacifas mund t’i kenë mbushur mendjen edhe me këshillën odisejane“ provokoje policinë shqiptare, sepse ajo nuk do të guxojë të të vrasë, për arsye se qeveritarëve të lartë të Tiranës nuk u intereson të konfliktohen me ata të Athinës në këtë kohë”.                                                                                                                                               




Vrasja e minoritarit grek Kostandin Kacifa nga forcat e RENEA-s në Bularat të Gjirokastrës, pas dyluftimit me policinë shqiptare, më 28 tetor 2018, ka ‘turbulluar ujërat’ dhe plot  mendje në Athinë e Tiranë. Dhe kjo, në ditën e festës kombëtare të Greqisë dhe kur  prej rreth 2 vitesh mes ekipeve qeveritare kishte një zbutje të ndjeshme e të shprehshme të klimës politike dhe të bisedimeve “konstruktive”, që mbylleshin me dreka, darka si dhe valle krah për krah, nën tingujt  e tallavave muzikore greke e shqiptare. Falë transmetimeve live në televizione, gazeta online dhe në rrjete sociale, deklaratave zyrtare, familjare dhe të dëshmitarëve okularë, shumçka për nisjen, rrjedhën dhe përfundimin e këtij “incidenti” apo të kësaj ngjarjeje, janë bërë të njohura, si në Tiranë, ashtu edhe në Athinë e më gjerë. Megjithatë, duke u nisur nga disa përkime kohore me ngjarje të ndodhura e të pritshme, natyrshëm shumëkujt mund t’i lindin edhe të paktën katër  pyetje. E para, përse zgjodhi Konstandini pikërisht ditën e 28 tetorit, të festimeve edhe në Bularat të Festës Kombëtare të Greqisë, me praninë edhe të disa zyrtarëve dhe diplomatëve nga të dy vendet? E dyta,  a e mendoi dhe e bëri Konstandini atë “incident”, “aventurë”, “fandaksje” “marrëzi”, “shkelje të rëndë ligjore”, “hara-kiri”…, vetëm me kokën e vet dhe për të keqen e vet?  E treta, kujt i interesonte më shumë apo gati barabar, që të ndodhte ai “incident”, edhe me humbjen e një jete dhe shfrytëzimi i kësaj ngjarjeje si “casus belli” apo si urë zjarri për shpërthimin e “histerisë primitive antishqiptare në Athinë dhe asaj antigreke në Tiranë apo në Korçë”? E katërta, vërtetë revoltimi dhe reagimi agresiv ndaj policisë shqiptare, “vetësakrifikimi” i Konstandimit, ndodhën për shkak të heqjes së një flamuri më të madh se plot të tjerë në të gjithë Bularatin dhe fshatrat e  minoritetit grek në Gjirokastër e Sarandë, ku ishte e qartë se një flamur më shumë apo më pak nuk e cenonte apo mangësonte panoramën e përgjithshme të festës?

Përgjigjen e këtyre katër pyetjeve do të përpiqem ta bëj shkurt  sa më të qartë dhe me dozë sa më të lartë objektiviteti në vijim të opinionit tim për këtë “incident” me fund tragjik për autorin apo aktorin kryesor. Për të qenë sa më objektiv më ndihmon edhe fakti se fatmirësisht apo fatkeqësisht nuk bëj pjesë në listën e gjatë të politikanëve, ojq-istëve, gazetarëve, studiuesve…, të cilët sipas burimeve nga MPJ –ja greke e pastaj nga mediat e të dy vendeve tona, paskan përfituar jo pak nga miliona eurot në barkun e “Kalit të Trojës” të kohës sonë moderne.  Për shumë arsye, rrethana, detaje, rrëfime  dëshmitarësh okularë, fakte, argumente, filmime, regjistrime zanore, ky “incident” nuk mund të merret, trajtohet, ekspertizohet dhe arkivohet si krejt i rastësishëm…Sipas gjykimit tim, kjo ngjarje nuk mund të shikohet dhe analizohet krejt pa asnjë lidhje me serialin e bisedimeve zyrtare mes ministrive të jashtme të Greqisë dhe Shqipërisë, për “Marrëveshjen e re për kufirin ujor” në Detin Jon. Reagimi zyrtar grek, pak më diplomatik dhe tolerant nga MPJ dhe tejet agresiv e kërcënues ai nga liderë e militantë të “Agimit të artë”, etj., nuk mund të mos shtyjnë shumëkënd të mendojë se në Athinën politike dhe zyrtare ka më shumë mirënjohje se sa keqardhje për Konstandinin. Në fund të fundit, ai u dha atyre një kartë të fortë, që mund t’u duhet dhe shërbejë në serinë e fundit të serialit të gjatë të bisedimeve apo të pazareve për detin dhe nëndetin, me një happy end…, domethënë me “zgjerimin e ujërave territoriale  të Greqisë”, pas “dhuratës bujare” të mundshme apo të pritshme nga qeveria shqiptare apo personalisht nga Edi Rama. Fjala është që presioni i ekstremistëve të “Agimit të artë” mund të ndikojë edhe për trimërimin e ekipit negociator grek, edhe për trembjen dhe zbythjen e ekipit negociator shqiptar…

Nuk mund të mos merret në konsideratë edhe fakti se “incidenti i Bularatit” ndodhi pak ditë pas dorëheqjes së ish-ministrit të Jashtëm të Greqisë, Kotzias, kryesisht për zbulimin në media të skandalit për financime nga MPJ-ja greke të politikanëve, OJQ-ve, mediave, gazetarëve, studiuesve, artistëve, sidomos në Shqipëri dhe Maqedoni. Ndërsa pritej me orë dhe me padurim që të dilnin të gjithë emrat, ndodh më 28 tetor 2018 në Bularat ajo që tashmë dihet mirë. Por kjo ngjarje e re e zvogëloi ndjeshëm apo e spostoi vëmendjen e opinioneve publike e të organeve të drejtësisë dhe të rendit në të dy vendet nga skandali i dhuratave të majme me ose pa firmën e Kotziasit, për të bërë “filogrekë” ose “gojëkyçur” ndaj Greqisë sa më shumë individë të njohur e me ndikim publik e zyrtar në Shqipëri…

Duke u thelluar në analizën e “incidentit” të Bularatit mendja mund të shtyjë jo pak vetë edhe tek një pistë tjetër, hipotetike tani për tani, por jo kategorikisht e pamundur. Fjala është që “helenizmi ekstrem” dhe “antishqiptarizmi i tërbuar” i Konstandin Kacifas mund të jenë ndezur edhe nga “duar të padukshme” ,ballkanike e të më largëta, lindore, duke i hedhur benzinë thëngjijve apo flakëve të porsandezura në mendjen e tij.  Është e logjikshme që ai edhe mund të pranonte të bëhej “aktor” në një lojë të re greko-shqiptare, por, kurrsesi duke pranuar sakrifikimin e jetës së tij, për t’u lumturuar në botën tjetër nga dekoratat dhe deklaratat e martirit, heroit, nga mbulimi i varrit të tij me flamurë grekë dhe me kurora me lule…Sipas kësaj logjike, nuk mund të përjashtohet prerazi se Konstandin Kacifas mund t’i kënë mbushur mendjen edhe me këshillën odisejane “ provokoje policinë shqiptare, sepse ajo nuk do të guxojë  të të vrasë, për arsye se qeveritarëve të lartë të Tiranës nuk u intereson të konfliktohen me ata të Athinës në këtë kohë”.

Por, vazhdimi i provokimit të Greqisë nga ana shqiptare më 29 tetor 2018, në stadiumin e futbollit, në ndeshjen “Skënderbeu”- “Partizani”, me parullën e madhe me tekst të fortë antigrek, nga një grup i tifozëve ultra të “Partizanit”, me drejtor Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit tonë, të fut në mendje edhe dyshimin apo pistën se edhe në majën e “Olimpit shqiptar” ka qenë i dëshiruar “incidenti” i Bularatit.   Nga ana e tij, prej kësaj ngjarjeje dhe histerisë antishqiptare, të ndjeshme e vepruese jo vetëm nga rreth gjysmë milioni emigrantë shqiptarë në Greqi si dhe në Bruksel, kryeministri ynë, Edi Rama, mund të detyrohet edhe ta firmosë, edhe ta varrosë tekstin e kësaj marrëveshjeje, me erë të fortë pazari të vjetër e të ri, siç është shprehur shumë saktë e kuptueshëm, në shqip dhe me gjuhë diplomatike, miku dhe kolegu im i nderuar, Shaban Murati, në librin e tij, “busull” për diplomacinë shqiptare,  “Çështja e paqenë e detit, një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”.

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.