OPINION

Lindja e Mesme rajon që vazhdon të jetojë me krizat

07:25 - 31.10.18 Vasil Kureta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lindja e Mesme ka një kohë të gjatë që lëngon apo jeton përmes luftërave shkatërruese, konflikteve e krizave komplekse, që e ka bërë vërtet rajon problematik, që afekton direkt stabilitetin, sigurinë e paqen, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Në këtë histori të gjatë krizash duket se asnjë prej tyre nuk ka mundësuar një zgjidhje të plotë e definitive. Krizat ndjekin e ushqejnë njëra tjetrën, me ngritjet dhe uljet përkatëse, duke mbetur përherë të ndezura, edhe pse pasojat shkatërruese materiale e njerëzore janë kolosale. Vendet e rajonit të Lindjes së Mesme kanë pasur historikisht në brendësi të tyre komponent edhe sektar, por dhe etnik, në konfliktet me njëri-tjetrin, por dhe interesa jo të njëjta politike, probleme të mbartura, sa i përket sovraniteteve të tyre, përfshi dhe probleme fetare. Fenomeni i njohur i shteteve apo qeverive të dështuara, ka nxitur edhe grushte shteti, konflikte e kontradikta komplekse në një rajon, ku ka më pak demokraci e më shumë autoritarizëm politik, pushtet të përqendruar. Ka një kompleks kontradiktash, të vjetra e të reja, brenda këtij rajoni, që po mbjellin vetëm vdekje jetësh njerëzore, largime gjithnjë e më masive të njerëzve nga vatrat e konflikteve dhe dëme kolosale të pasurive materiale natyrore, në vend që ato t’i kontribuonin një jete sa më dinjitoze për popujt e këtij rajoni, me histori, kulturë e pasuri natyrore mjaft të pasura. Vetëm nga përfundimi i luftës së dytë botërore e këtej, në këtë rajon problematik, kanë humbur jetën 1.5 milionë njerëz dhe është kryer një dëm material në vlerën e 11 trilion dollarëve.




Kjo histori e pasur me kriza e konflikte, që zëvendësojnë njëra-tjetrën, ka krijuar konceptin, sikur ky rajon vetëm kështu mund të jetojë. Ky rajon, me këtë legjendë zhvillimesh, ka përjetuar e përjeton një situatë destabilizuese kronike me rrezikshmëri tepër të lartë. Siguria në këtë rajon është shumë e brishtë dhe nuk ka në horizont ndonjë koncept, vizion, projekt konkret kompleks, as nga aktorët brenda rajonit, por as nga aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, që të mund të shpresohet për një zgjidhje të afërt, të sigurtë e të qëndrueshme. Krizat e mëparshme, si për shembull ajo izraelito-palestineze, por dhe kjo në vazhdim siriane, janë dëshmi e gjallë e kësaj situate kronike, komplekse dhe tejet problematike. Arsyet janë vërtet komplekse, siç janë domosdo nga brenda këtij rajoni, po siç janë edhe përgjegjësitë konkrete, në evoluimin historik, të fuqive të mëdha, me qëndrimet e zgjidhjet e ofruara në këtë rajon. Madje dhe një kryqëzim i interesave të tyre e një rivalitet, me ngritjet e uljet përkatëse mes tyre, më shumë i kanë shërbyer ruajtjes së krizave se sa zgjidhjes së tyre.

Kriza aktuale siriane është një dëshmi më e fundit, që nuk po sheh një horizont apo shprese për një zgjidhje të afërt e jo më të qëndrueshme. Pozicioni i dy aktorëve të mëdhenj ndërkombëtarë SHBA dhe Rusisë është krejtësisht i dallueshëm, sa i përket kuptimit të përmbajtjes së kësaj krize, synimeve, principeve të trajtimit, rrugës së zgjidhjes. Pas një lloj tërheqje të SHBA nën presidencën Obama, Rusia, për arsye komplekse ndërhyri dhe ushtarakisht, madje dhe në mbrojtje të regjimit të Asadit, të cilin Perëndimi e kishte akuzuar për krime të rënda ndaj popullit të vet. Ndërhyrja e Rusisë nuk solli siguri më shumë apo ndonjë rezultat pozitiv të dallueshëm për zgjidhjen e kësaj krize. Ajo që mund të evidentohet është se kriza siriane, me gjithë uljet dhe ngritjet e saj, të paktën ka mbetur krizë brenda rajonit. Këto pozicione e vizione krejtësisht të dallueshme mes SHBA dhe Rusisë, dëshmojnë se kjo krizë do të vazhdojë të prodhojë një problematikë komplekse dhe një kërcënim serioz stabiliteti në këtë rajon e më gjerë. Në kushtet e dallimeve serioze në interesa, vizione e principe themelore, mes aktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë, ndërhyrjet individuale të tyre, që u sjellin edhe kosto të rënda financiare e të tjera komplekse, si të thuash i konsumojnë, i “lodhin” ato, i shtyjnë të ulin nivelin e veprimit, duke e lënë krizën të vegjetojë e acarohet, duke shpërthyer në një formë tjetër e me një problematikë më të mprehtë.

Një zgjidhje e qëndrueshme e krizës siriane nuk mund të hyjë në shina të sigurta, në se nuk ka afrim vizionesh, dakordësim të vërtetë rreth principeve themelore e rrugëve që respektojnë vullnetin e popujve, vlerat e mëdha njerëzore e demokratike, drejtësinë sociale, respektimin e ligjit e të drejtës ndërkombëtare. Çdo e ashtuquajtur zgjidhje e ardhur jashtë këtyre principeve, vetëm i kontribuon moszgjidhjes së saj. Tani, duke llogaritur edhe kompleksitetin e vështirësitë e sigurisë në këtë rajon, kontradiktat e diversitetet e thella në interesa, koston e lartë e pse jo edhe një lodhje faktike të fuqive të mëdha, mendohet ideja e një arkitekture të sigurisë rajonale. Rajoni është një njësi më vete nga pikëpamja e qenies së tij gjeografike, por, gjithsesi tepër i përçarë, i konfliktuar e i dramatizuar, dhe me mundësi të përhershme të shpërthimit të krizave konkrete. Gjykohet që kjo të jetë një arkitekturë gjithëpërfshirëse e sigurisë në këtë rajon. Kjo shihet edhe si një rrugë e mundësi për t’i afruar më shumë mes tyre, e për të kontribuar më shumë për sigurinë e stabilitetin, se sa për të financuar grupe e lëvizje separatiste apo edhe terroriste. Është kjo dhe një rrugë për të lehtësuar fuqitë e mëdha nga kostot e larta financiare e jo thjesht financiare. Edhe pse në këtë rajon duket si utopiste, mendohet që kjo arkitekturë e sigurisë të jetë edhe gjithëpërfshirëse, por edhe funksionuese, aq më tepër që ka pasur edhe më parë tentative të tilla, por që nuk kanë pasur sukses në këtë rajon aliazh me dhunë, konflikte komplekse e destabilitet gati të përhersëshëm. Nuk kanë munguar edhe lëvizje apo pakte e marrëveshje për interesa nacionale, por dhe me frymëzime fetare. Ka edhe marrëveshje mes vendeve arabe apo të sponsorizuara nga Lidhja Arabe, si dhe marrëveshje në hapësirën që njihet si Magreb, në gjirin persik etj.

E ashtuquajtura “Pranvera Arabe”, u mendua si një lëvizje që do të sillte ndryshimin e vërtetë në shumë drejtime, si të stabiliteteve të brendshme shtetërore, por dhe rajonale. Zhgënjimi ishte tepër i madh, për këtë lëvizje, sa që mendohet se madje i ka kontribuar ushqimit të mendimit se një zgjidhje e qëndrueshme stabiliteti e këtij rajoni është e pamundur. Duket sikur shpresa për një të ardhme sigurie e të zhvillimeve të qëndrueshme në këtë rajon është vrarë. Këto zhvillime kanë ushqyer mendimin se vendet e këtij rajoni nuk janë të zotë të zgjidhin problemet mes tyre pa ndërhyrje nga jashtë të fuqive të mëdha. Ka analistë që e shpjegojnë këtë situatë më shumë te qeverisjet autokratike apo me mungesa të theksuara të demokracisë funksionale, siç ka dhe të tjerë që fajësojnë ndërhyrjet nga jashtë, për interesa konkrete, nga fuqi jashtë rajonit. E vërteta është se arsyet janë komplekse dhe që vijnë edhe nga historia e tyre, edhe nga zgjidhjet që kanë bërë në histori fuqi të mëdha të kohës, po gjithsesi një faktor i rëndësishëm janë kontradiktat e ndarjet e thella në interesa por dhe me frymëzime fetare, në këtë rajon strategjik e me pasuri të mëdha natyrore e kulturore.

Vendimmarrjet e fuqive të mëdha gjatë historisë duket se nuk kanë marrë mirë parasysh elemente thelbësore, si ato etnike, demografike, kufijtë natyrorë e historikë të tyre etj. Kjo ka ndikuar ndjeshëm në krijimin e një historie e realitet me konflikte, luftëra që përsëriten, që gjithashtu sollën një zëvendësim të sundimit kolonian me elita ushtarake lokale, që nuk u shfaqën as profesionale, as largpamëse, e as të suksesshme në atë që njihet si procesi i ndërtimit të kombit. Dinastitë mbretërore nuk kontribuuan shumë për bashkimin se sa për ndarjen mes vendeve të këtij rajoni. Nuk u shfaqën programe e projekte që synonin një konsolidim nacional, shtetëror e demokratik. Natyrisht që një faktor rëndësishëm është dimensioni fetar, që ka ndikuar në krijimin e cilësisë së kësaj situate së këtij rajoni, me grindje mes sunitëve dhe shiitëve dhe që është shfrytëzuar shumë nga faktorë të tjerë edhe jashtë rajonit. Pikërisht për arsye komplekse të tilla në rajon ka kriza të herëpashershme, konflikte, mosbesim e ndarje të theksuara, mosrespektim të sovranitetit e të njeri tjetrit. Në këtë rajon është përplasur ndikimi apo efekti i përplasjes së madhe gjatë luftës së ftohtë 1, por dhe procesi i rrëzimit të komunizmit si dhe një proces real reformimi apo riformatimi i rendit botëror në ditët e sotme. Me këta faktorë kompleksë shpjegohet kontradikta reale, që edhe pse është një rajon me pasuri tepër të mëdha natyrore, nuk ka në gjithë rajonin tregues të lartë të zhvillimeve ekonomike, politike e sociale apo dhe tregues të lartë të demokracisë e lirive e të drejtave të njeriut. Këto arsye komplekse i kanë bërë vendet e këtij rajoni më shumë të ndarë se të bashkuar, të frangmetizuar e të grindur mes tyre. Këta faktorë tregojnë, gjithashtu, edhe pse terrorizmi laraman ka gjetur terren e ushqim konkret në këtë rajon. Mungesa e stabilitetit të këtij rajoni ka ndikuar edhe në mungesën e investimeve të mëdha e strategjike nga vende të zhvilluara jashtë këtij rajoni.

Natyrisht, që siguria është një problem i mprehtë dhe thelbësor për këtë rajon, por një zgjidhje dhe perspektivë e qëndrueshme dhe e sigiurtë për të, kërkon një strategji e projekt kompleks të zhvillimeve ekonomike, politike, sociale, kulturore, të sigurisë, kultivim të harmonisë fetare, një zhvillim që sendërton sistemin e vlerave dhe e bën atë funksionues etj. Edhe kriza siriane, në se mendohet të trajtohet e shkëputur nga kompleksiteti i problematikës së rajonit, do jetë e vështirë të hyjë në rrugën e zgjidhjes. Kjo do të thotë se edhe kjo arkitektura e sigurisë, e menduar tani, është e pjesshme dhe e izoluar e kështu, edhe po të marrë jetë do të jetë tepër e shkurtër. Është fakt, gjithashtu, se deri më sot, ka munguar një vizion, strategji komplekse apo program i kompletuar edhe nga organizma të rëndësishëm ndërkombëtarë, por edhe nga aktorë të rëndësishëm në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, apo formate të tjera, që vërtet të synonte nxjerrjen e këtij rajoni nga kriza e përhershme, që të hapej një rrugë e sigurtë e zhvillimeve të qëndrueshme e perspektive në këtë rajon problematik. Kriza komplekse e këtij rajoni mund të hyjë në rrugën e zgjidhjes mbështetur në filozofinë e pjesëmarrës, pa përjashtuar asnjë faktor dhe me harmonizim maksimal të kontributeve komplekse. Është e vërtetë që vendet e rajonit kanë përgjegjësi të madhe për të sotmen e të ardhmen e rajonit, por ato vetë nuk mund ta zgjidhin krizën komplekse të këtij rajoni. Roli i aktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë është tepër i domosdoshëm dhe i organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë, gjithashtu. Tash po gëlon kriza e radhës siriane, me ngritjet, uljet e saj, por dhe pasojat e rënda për popullin sirian dhe rreziqet brenda rajonit e më gjerë. Ndërhyrja e Rusisë në këtë krizë për arsye komplekse, preku disa linja e aspekte konkrete, por nuk solli ndonjë efekt të dukshëm pozitiv dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Rusia ndërhyri duke u evidentuar qartë në mbrojtje të regjimit të Asadit, që kishte dhe ka një kontradiktë të mprehtë me popullin e vet, që është në një luftë civile disavjeçare, që ka shkaktuar mbi treqindmijë të vrarë e disa miliona të tjerë të larguar nga shtëpitë e tyre. Pikërisht, duke e evidentuar këtë dallim qëndrimesh të SHBA me Rusinë, sekretari amerikan i mbrojtjes Mattis pohon, se oportunizmi dhe vullneti i Moskës, për të mos parë veprimtarinë kriminale të Asadit, kundër popullit të tij, dëshmon mungesën e angazhimit të sinqertë ndaj parimeve themelore morale. Kjo deklaratë evidenton qartë një dallim të rëndësishëm në vizionet e këtyre aktorëve në trajtimin dhe gjetjen e rrugëve të zgjidhjes reale të krizës siriane.

Në iniciativën e fundit të katërshes Gjermani, Francë, Rusi e Turqi, duke iu referuar parimeve themelore të kartës së OKB dhe rezolutës 2251 të Këshillit të Sigurimit, u nënvizua drejt, se kriza siriane nuk mund të zgjidhet vetëm apo kryesisht përmes mënyrave ushtarake. Në samit u shfaq përkushtimi ndaj sovranitetit e integritetit territorial të Sirisë. Kjo lëvizje, që synon vazhdimin e luftës kundër terrorizmit dhe arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm, është qëllim mirë, por megjithëse mund të vlerësohet iniciativë pozitive angazhimi, ka brenda dy mungesa të mëdha: SHBA dhe një program apo vizion të mirëmenduar e kompleks që të mund të fusë këtë krizë në rrugën e zgjidhjes. Askush nuk e zëvendëson dot SHBA në rajonin e Lindjes së Mesme dhe askush nuk e pengon apo që mund ta përjashtojë atë të ushtrojë përgjegjësitë dhe rolin e saj domethënës në ndërtimin e një projekti të plotë dhe përdorimin e një metodologjie efektive, që hap realisht rrugën e zgjidhjes së krizës së këtij rajoni. Që të mundësohet një projekt i tillë, i plotë, me objektiva e afate të menduara mirë, me mbështetje financiare e organizative, nevojitet një përafrim i vizioneve të aktorëve të rëndësishëm dhe një harmonizim i kontributeve konkrete të të gjithë aktorëve të këtij rajoni problematik, ndryshe asgjë e mirë, esenciale e konkrete nuk mund të ndodhë. Trajtimi kompleks, i thellë, me përgjegjësi tepër të lartë e angazhim maksimal i realitetit e krizës komplekse, të rajonit të Lindjes së Mesme, që do të mundësonte një program realist, të menduar në të gjithë elementët e tij e vërtet zgjidhës e funksionues, po bëhet gjithnjë e më shumë një nevojë emergjente.

Më 30 tetor 2018


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.