OPINION

Për shkollën e të nesërmes

07:20 - 06.11.18 Pëllumb Karameta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kushdo e ndjen shqetësimin për ndryshimin e dëshiruar në arsim. Në vendin tonë ai shprehet kryesisht, ose si kontribut për përmirësimin e formave të organizimit, të strategjive dhe / ose të teknikave ekzistuese të nxënies, ose si kritikë për aspekte të caktuara, si tekstet mësimore, menaxhimi i burimeve, infrastruktura shkollore etj. Ka diskutime, por një pjesë e madhe e tyre ngjajnë më shumë me slogane që nënkuptojnë çdo gjë dhe asgjë (kurrikula bashkëkohore, mësimdhënia me nxënësin në qendër, metodat ndërvepruese, tekstet alternative etj.) Njëherazi, shumica e punimeve në konferencat shkencore apo kurrikulat universitare e deri te programet e ofruara nga agjenci trajnuese vendase dhe të huaja, nuk po arrijnë të skicojnë “shkollën e të nesërmes”. Skicë të cilën mendimi arsimor ndërkombëtar ka vite që po e dizenjon. Ndoshta gabojmë, por na duket që studiuesit tanë (akademikë, pedagogë apo kërkues të tjerë), ende, nuk po ia dalin të reflektojnë përpjekjet që shqyrtojnë pyetjet për rolin dhe qëllimet e arsimit në një botë me nivel të paprecedentë kompleksiteti, ndryshueshmërie dhe pasigurie. Në shkrime të ndryshme, kemi informuar rreth tendencave që sfidojnë jo pak modelin arsimor ekzistues, me rrënjë në shekullin 19 e të jetësuar në të 20-in. Njëherazi, për sfidat serioze që mund të karakterizojnë botën e shekullit të 21-të, sfida të “idhta” këto, tejet komplekse, të pasigurta dhe të mbarsura me paqartësi në fushat sociale, ekonomike, politike, mjedisore, ligjore dhe morale. Që, nëse nuk njihen dhe përballen, do ta faktorizojnë edhe më shumë mospërshtatjen e arsimit që japim me edukimin që nevojitet. Në vijim, shtjellohen dy zhvillime: (1) kuptimet e reja rreth “dijes” dhe “njohurisë” dhe (2) nevoja për sisteme arsimore të bazuara në ato që dimë tani rreth mënyrës si nxënë njerëzit.




Zhvillimi i parë lidhet me mbizotërimin e referencës socio-konstruktiviste në arsim. Sipas saj, “njohuria” dallon nga “dija” (Ph. Jonnaert, 2007), dallim ky me ndikime të drejtpërdrejta mbi kurrikulën dhe proceset / produktet e shkollimit.

Njohuritë lidhen me personin që i ndërton; pra, janë personale. Ato nuk transmetohen nga mësuesi / pedagogu; përkundrazi, ndërtohen nga subjekti që nxë. Njohuritë ruhen nga ai, për aq kohë sa mund t’i zbatojë, çka dhe e bën kompetent në një sërë situata. Këto të fundit duhet të jenë jo vetëm domethënëse për subjektin, por dhe të lidhura me praktikat shoqërore. Janë këto praktika, në fakt, që pa ndërprerje bëjnë verifikimin e njohurive të ndërtuara. Thënë ndryshe, nuk janë përmbajtjet e disiplinave / lëndëve mësimore përcaktuesit e mësimit / nxënies, por janë situatat ku subjekti përmes veprimit mund të provojë sa të zbatueshme janë njohuritë që ndërton. Verifikimi i vlerës së tyre kërkon praktikën dhe reflektimin etj. Nga këndshikimi i teorisë socio-konstruktiviste, njohuritë nuk transmetohen; ato ndërtohen nga subjekti përmes veprimit në situata dhe reflektimit mbi veprimin; ato janë të zbatueshme përkohësisht; ato kërkojnë medoemos praktikën për të verifikuar vlefshmërinë; ato lidhen ngushtë dhe ndërtohen në situata, duke respektuar standardet e pranuara. Si të tilla, njohuritë pasqyrojnë dijet, janë dinamike dhe veprojnë si procese përmes të cilëve ndërtohen dije të reja.

Tradicionalisht, me termin “dije” janë nënkuptuar të vërtetat e strukturuara dhe të përshkruara në veprat e specializuara, në manuale, në dokumente të tjera apo në doracakët profesionalë, të vërteta që janë provuar, pranuar dhe vlerësuar nga shoqëria. Dijet janë produkt i veprimtarisë së komuniteteve të dijetarëve. Nisur nga çasti që shoqëria i njeh, ato vlerësohen dhe kodifikohen, p. sh., në programet e studimit, që të mund të njihen dhe të ndahen mes të interesuarve, por pa harruar relativitetin e tyre. Si të tilla, dijet e kodifikuara si tekste u përgjigjen logjikave të disiplinave përkatëse, ose praktikave shoqërore nga ku kanë gjeneruar. Pasi konfirmohen dhe kodifikohen, ato i referohen dhe kodit gjuhësor. Andaj, dijet i përgjigjen një logjike të dyfishtë: (1) logjikës së disiplinës ose praktikës shoqërore, të cilës i referohet; (2) logjikës gjuhësore që është sintaksa dhe semantika. Sapo dija ndërtohet (ose rindërtohet) nga subjekti, ajo bëhet njohuri për këtë të fundit. Ndaj, nuk mund të ketë përputhje ndërmjet “dijeve” të kodifikuara si tekste, “dijeve” që shtjellon pedagogu dhe “njohurive” që ndërton nxënësi / studenti. Kur flasim për dije, kemi parasysh përmbajtjet e programeve të studimit, të teksteve shkollore etj., pra, përmbajtjet disiplinore. Kur flasim për njohuri, i referohemi trashëgimisë njohëse të subjektit. Konceptuar kësisoj, mund t’i qasemi zonës së shndërrimit të dëshiruar nga “homo sapiens” në “homo faber” përmes shkollimit.

Zhvillimi i dytë është ndryshimi në mënyrën se si mendohet dhe përdoret dija. Sot pranohet se, ajo që mësojnë nxënësit / studentët, nuk përputhet mirë me mënyrën se si janë organizuar sistemet arsimore. Ekziston dyshimi në rritje – nëse mjafton ose jo – përmirësimi i asaj që po bëhet në shkolla, për t’i pajisur të rinjtë për jetët dhe punët në shekullin e ri. Tabela ilustron disa aspekte të këtij ndryshimi.

MË PARË
· Dija u konceptua si diçka e zhvilluar dhe e njohur nga ekspertët, diçka që mund të kalojë nga mësuesi te nxënësi ose nga menaxheri te punëtori.
TANI
· Dija krijohet shpejt, çdo ditë. Dija është procesi i krijimit të dijeve të reja; produkt i “rrjeteve dhe rrjedhave të dijes” që përftohen përmes ndërveprimeve dhe të kryqëzimeve, pikërisht në kohën e duhur, për të zgjidhur probleme specifike më kohë reale.
MË PARË
· Puna e shkollave ishte ta përcillnin dijen tek nxënësit dhe puna e këtyre të fundit ishte ta përthithnin atë, në përgatitjet për jetët e tyre pas shkollës.

· Zhvillimi i kurrikulës shihej si përcaktimi i dijeve për të cilat do të kishin nevojë nxënësit për të lozur rolet e tyre të ardhshme. Dija organizohej logjikisht në sekuenca temash që mund t’u mësoheshin nxënësve nga mësuesi me metodat e paraqitjes hap pas hapi dhe vlerësohej arritja e tyre.

TANI
·Nuk mund të parashikohet saktësisht se cila dije do të nevojitet të ndërtohet nga nxënësit si njohuri, në të ardhmen. Është argumentuar se nxënësit do të kenë nevojë, ndër të tjera, të krijojnë ndjenjën e identitetit, të bëhen të vetëdijshëm, mendimtarë krijues dhe kritikë, të jenë në gjendje të marrin iniciativa, të punojnë në ekipe dhe të jenë të aftë të nxënë gjatë gjithë jetës së tyre.
MË PARË
· Shkollat u stabilizuan si struktura që përcaktonin llojet e vendeve të punës dhe rolet sociale që mund të loznin nxënësit, pasi të përfundonin shkollën.
TANI
· Llojet e vendeve të punës dhe rolet sociale që do të lozin nxënësit pasi të shkollohen, evoluojnë vazhdimisht si pasojë e zhvillimeve shoqërore, ekonomike dhe teknologjike, në një botë gjithnjë e më të globalizuar, të ndërlidhur dhe të ndërvarur. Në shoqërinë e shekullit 21, ata që do të arrijnë të punojnë me dijen, do të shihen si burimi kyç për zhvillimin ekonomik dhe social.

 

Më përmbledhur: “Dija nuk shihet më si mendimi për “diçka” e prodhuar nga mendimi njerëzor dhe e kodifikuar më pas nëpër disiplina nga ekspertë të veçantë. . . dija nuk është diçka që mund të përcaktohet, të zbulohet, të depozitohet dhe të matet, por është forcë gjeneruese, fluide dhe dinamike ose potenciali për të bërë gjëra . . . dija është diçka që ndërtohet bashkërisht nga ekipet e njerëzve, diçka që ndodh në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Është proces më shumë se produkt, është diçka që ndryshon, evoluon, rrjedh dhe rigjeneron veten përherë në forma të reja” (M. Castells (2000). Këtë kuptim të ri të dijes e parashikoi, në mesin e viteve 70-të, filozofi frëng J-F. Lyotard. Sipas tij, “në të ardhmen, dija do të jetë e rëndësishme, jo si në të shkuarën për shkak të marrëdhënieve me të vërtetën, arsyen dhe sigurinë, por për atë që quhet “zbatim” i saj, energji ose aftësi për të bërë gjëra, për “vlerën e përdorimit” të saj . . . si pasojë, kufijtë disiplinorë tradicionalë do të treten; metodat tradicionale që paraqesin dijen, librat, artikujt dhe ekspertët e veçantë do të jenë më pak të rëndësishëm; për nxënien do të zhvillohen koncepte të reja”. Ide si këto bëjnë që shkollat dhe universitetet, në vend që ta përhapin dijen duke theksuar disiplinat, të marrin përgjegjësinë për t’i ndihmuar nxënësit / studentët të planifikojnë, të menaxhojnë, të përzgjedhin, të përdorin, të organizojnë, të zbatojnë dhe të vlerësojnë me efikasitet idetë dhe informacionin.

Theksi mbi nxënien përmes veprimit u jep përparësi zhvillimit të kapaciteteve, aftësive ose kompetencave të nxënësve / studentëve për t’u marrë me situata dhe mjedise të reja, përfshirë ato me shkallë të lartë kompleksiteti, ndryshimi dhe pasigurie. Kjo nuk do të thotë aspak që dija nuk ka rëndësi, ose që kurrikula shkollore të ndërtohet pa qëllime për zhvillimin e njohurive të nxënësve. Përkundrazi. Idetë e reja sugjerojnë që idetë tona të vjetra rreth asaj se për çfarë dije kanë nevojë nxënësit / studentët nuk janë më të mjaftueshme. Në vend të kësaj – theksojnë kërkuesit – ne duhet të miratojmë pikëpamje shumë më komplekse për dijen, pikëpamje që përfshin dijen, veprimin e subjektit dhe qenien e tij. Duke vepruar kështu, do na duhet t’i rishikojmë idetë tona për mënyrën se si mësimi në shkollë / auditor mund t’i ndihmojë subjektet të zhvillohen.

Çka po e sfidon arsimin dhe shkollën kudo në botë janë idetë rreth nxënies që mbështeten mbi dy epistemologji konkurruese, por mjaft të ndryshme për çka llogaritet si dije: ideja e shekullit 20 që e konceptonte atë si përmbajtje disiplinore / lëndore e që duhet transmetuar dhe ruajtur në kujtesë dhe pikëpamja e shekullit 21 për dijen si gjëja me të cilën bëhen gjërat. Kjo përzierje e ideve tejet të ndryshme rreth dijes është problem. Zgjidhja e të cilit përbën vetëm një nga aspektet kyçe për skicimin e shkollës së të nesërmes.

Tiranë, më 05. 11. 2018

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.