KULTURË

Kazuo Ishiguro “Dita e mbetur” e një nobelisti

14:30 - 11.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira NikolliÇfarë vlere ka të shqetësohemi kaq shumë për atë që mund ose nuk mund të bënim për të kontrolluar drejtimin që mori jeta jonë? Doemos që, për ata si ju dhe si unë, është e mjaftueshme të paktën të përpiqemi të japim kontributin tonë të vogël në shërbim të diçkaje të vërtetë dhe me vlerë. Dhe nëse disa prej nesh janë të gatshëm për sakrifica të mëdha në jetë për të arritur këto aspirata, kjo në vetvete përbën, pavarësisht rezultatit, arsye për t’u ndier krenarë dhe të kënaqur”. Romani “Dita e mbetur” e nobelistit Kazuo Ishiguro është përkthyer në shqip nga Parid Teferiçi. Nën logon e “Botimeve Pegi”, romani sjell një rrëfim të qetë dhe të shtruar mbi mungesën e kurajës për të bërë zgjedhjet, që mund të vënë në rrezik jetën e kontrolluar dhe të planifikuar, për ne, nga të tjerë. Kritika perëndimore, shkruan se kjo vepër është historia e një dashurie të patreguar, për këdo që ‘i ka fshehur” ndjenjat e veta. Kryevepra e shkrimtarit rrëfen agonitë e një burri që po plaket, që kupton tanimë se e ka lënë dashurinë e tij të madhe të shkojë. Ishiguro ia del të na bëjë të ndjejmë se kemi në duart tona jetë njerëzore. Peter Beech nga “The Guardian” shkruan se kur libri mbaron, sikur ke humbur një mik. Ai shton më shumë se një herë ka dëgjuar që, në mënyrë që ta bëjë lexuesin të qajë, një shkrimtar duhet t’i mbajë personazhet me sy të tharë.




“Gjendemi përballë imazhit vërtet të plotë të një burri që orvatet dëshpërimisht t’i mbajë përbrenda emocionet e veta. ‘Dita e mbetur’ bën gjënë më të mrekullueshme që mund të bëjë një vepër letrare: të ndiesh që ke ndër duar jetën e dikujt. Dhe kur i afrohesh fundit, të duket vërtet se po humb një mik; në këtë rast, një mik që kapardiset në mënyrë qesharake, tepër serioz dhe konformist, por një mik sidoqoftë. Do të doje ta përqafoje, vetëm se atij nuk do t’i pëlqente aspak”, thotë ai në “The Guardian”.

Ngjarjet e këtij romani rrëfehen nga mazhordomi Stivens, i cili për më shumë se tridhjetë vjet ka jetuar në Darlington Holl, rezidenca madhështore e lordit Darlington. Stivensi rrëfen një pjesë të jetës së tij, diku nga mesi i viteve ’30, një periudhë e ngarkuar për të personalisht, por edhe për historinë e Anglisë dhe të Evropës. Punëdhënësi i tij është një personazh publik, tejet i angazhuar edhe politikisht. Stivensi, nga ana tjetër, nuk ka njohuri të thella mbi çështje të ndërlikuara politike. Ai është njeri i përmbajtur, i cili krenohet me sjelljen e tij prej xhentëlmeni të mirëfilltë dhe si të vetmen përparësi ka t’i shërbejë sa më me dinjitet punëdhënësit të tij. “Nuk shtyhet jeta duke vrarë mendjen sesi mund të kishte qenë. Duhet ta ndash mendjen se është po aq, madje edhe më e mirë mbase, se e shumë njerëzve, dhe të ndiesh mirënjohje”, shkëpusim nga romani. Për “New York Times” është një roman ëndrre, një komedi argëtuese mbi mirësjelljen formale që shndërrohet pothuajse si me magji në një përsiatje të thellë dhe prekëse mbi personalitetin, klasat dhe kulturën. Nëpërmjet asaj që rrëfen Stivens, por sidomos, nëpërmjet asaj që nuk përmendet, dalin në pah, pak e nga pak dilemat e jetës së tij. Në veçanti, në roman dalin në pah ndjenjat e papranuara dhe të papërjetuara për zonjën Kenton, guvernanten, e cila, ndryshe nga Stivensi, është e ndërgjegjshme për pasojat dramatike që vetëmohimi i tij do të ketë mbi jetët e të dyve. “Dita e mbetur” fitoi çmimin Man “Booker Prize” në 1989. Mbetet një prej veprave letrare më të njohura dhe të respektuara në Angli. Ndër të tjera, ky roman është përfshirë në listën e përpiluar nga gazeta “The Guardian”, “Libra pa të cilët nuk mund të jetohet” dhe është përshkruar nga revista “The Economist” si vepra më e famshme e autorit fitues të çmimit “Nobel”, Kazuo Ishiguro. Autori analizon “ndërgjegjen e rreme” (jo tërësisht të palumtur) të një njeriu. “Kur e lexon, ke përshtypjen e pazakontë se po kontrollohesh nga shkrimtari shënon kritika.

AUTORI

Ishiguro konsiderohet sot si një nga shkrimtarët bashkëkohorë më të lëvduar të botës anglishtfolëse: ai është kandiduar katër herë për “Man Booker Prize”, duke e fituar çmimin në vitin 1989 pikërisht me romanin “Dita e mbetur”. Një tjetër roman i tij “Mos më lër të shkoj”, i ribotuar nga “Botimet Pegi” në vitin 2017, u shpall nga revista “Time” si romani më i mirë i vitit 2005 dhe u përfshi në listën e 100 romaneve më të mira të gjuhës angleze (nga viti 1923 deri në 2005). Ishiguro është autor i shtatë romaneve. Akademia suedeze e vlerësoi Ishiguron me çmimin “Nobel” në letërsi në vitin 2017, duke e përshkruar si një shkrimtar “i cili, në romane me një forcë të madhe emocionale, ka zbuluar humnerën që fshihet nën ndjesinë tonë të gënjeshtërt të lidhjes me botën”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.