KULTURË

Ridvan Dibra: Dashuritë e virgjëreshës Madalenë

10:50 - 11.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Romani i ri i shkrimtarit shqiptar, për femrën në shoqërinë tonë- “Jam vetëm pesëmbëdhjetë vjeçe, sapo i kam mbushur, dhe, siç e keni marrë vesh tashmë, quhem Madalenë. Nuk e di kush ma ka vënë emrin. Mami fajëson babin. Babi-mamin. Të dy fajësojnë gjyshin që s’jeton më. Mua më pëlqen emri im, edhe pse shoqet më thonë se duket i ndryshkur, si i shekullit të kaluar… Për një javë rresht, aq sa u dha në Teatër, unë i ndoqa të gjitha shfaqjet strukur në njërën prej lozhave të fundit. Me një ndjesi të përhershme ankthi e paniku se mos spektatorët aty poshtë dinin diçka për ‘rastin tim’ dhe vëmendja e tyre përqendrohej te unë. Porse frika ime dukej e kotë: spektatorët qenë të interesuar për historinë time dhe jo për praninë”.




I mbështetur mbi një monodramë të hershme të autorit, por me ndryshime thelbësore në strukturë e përmbajtje, vjen romani i ri i shkrimtarit Ridvan Dibra me titullin “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, i cili do t’i paraqitet lexuesit në Panairin e Librit Tiranë (14 – 18 tetor 2018). Në qendër të veprës është fati i një femre me emrin Madalenë – përqendruar në tri periudha të rëndësishme e vendimtare të jetës së saj: në moshat 15, 25 e 40 vjeçe, ku përcaktuese bëhet sidomos etapa e parë, ajo e adoleshencës. Sepse pikërisht në këtë periudhë problemi numër një i Madalenës, shqetësimi i saj kryesor bëhet humbja e virgjërisë. Dhe këtu nis tjetërsimi e absurdi i këtij karakteri: Madalena nuk e vuan virgjërinë si fakt në vetvete (ajo është e zënë me mjaft angazhime shkollore – artistike), por sepse në grupin e saj prej pesë shoqesh vetëm ajo deklarohet e virgjër. Duke qenë e tillë, domethënë e virgjër, ajo tallet e përbuzet vazhdimisht nga shoqet e saj, tallje e përbuzje që veçse shtohen dhe ia bëjnë ferr ekzistencën. Në rrethana të tilla ajo vendos të kërkojë ndihmë. Po ku? Institucionet që mund t’i gjendeshin pranë e ta ndihmonin, si familja, shkolla, shoqëria janë në krizë të plotë e të denatyruara. Derisa Madalena vendos një ditë të zhvirgjërohet! Krejt pa dëshirën e saj. Në rastin më të parë që do t’i krijohet. Dhe ai rast paraqitet diku në banjat e pista të shkollës së saj. Kështu, ajo që duhej të ishte përvoja e parë, e bukur dhe e papërsëritshme në jetën e kësaj adoleshenteje 15- vjeçare, kthehet në një akt mekanik, banal e vulgar. Nën shenjën e këtij ‘vendimi’ të hershëm e të detyruar (të tjerët, koha, mjedisi), përmes episodesh e situatash sa absurde e groteske, aq edhe tragjikomike, në një trajtim thuajse përherë ironik e parodik, pasqyrohen edhe dy etapat e tjera nga jeta e Madalenës, por edhe e katër shoqeve të saja. Dhe në fund të romanit lexuesi ndoshta pyet: Ishte jeta dhe fati i një femre me emrin Madalenë? A jeta dhe fati i femrës shqiptare? Apo jeta dhe fati i femrës në përgjithësi? Përtej fabulës interesante e tejet provokuese, Dibra, në gjurmët e veprave të tij më të mira, na sjell një roman të strukturuar saktë e bukur, me gjuhë e fraza të përpunuara plot ndjeshmëri e hijeshi. Ndërtimi i rrëfimit në vetën e parë, përfshirja e vetë autorit (Ridvan Dibra) si personazh në vepër, komunikimet e shpeshta e të drejtpërdrejta të heroinës me lexuesit e vet etj. janë disa prej elementeve të tjerë, që besojmë se do të zgjojnë interesim e vëmendje. Për kureshtjen e lexuesve, bëjmë me dije se monodrama “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” mbi të cilën edhe është mbështetur ky roman, do të vihet në skenë nga regjisori kosovar Ben Apolloni dhe aktorja Arjola Demiri.

Dibra ka lindur në Shkodër më 1959, është autor i mbi njëzet librave në prozë, poezi, eseistikë dhe studime letrare. Pjesë nga krijimtaria e tij janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, rumanisht, maqedonisht, boshnjake, malaziase etj. dhe janë përfshirë në disa antologji brenda e jashtë vendit. Është fitues i disa çmimeve kombëtare e mbarëkombëtare. Romani i tij “Legjenda e vetmisë” (“Onufri”, 2012) fitoi çmimin “Rexhai Surroi”, si romani më i mirë i botuar në hapësirën mbarëshqiptare. Për krijimtarinë e Ridvan Dibrës kanë shprehur konsiderata disa nga emrat e njohur të kritikës dhe letrave shqipe.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.