KULTURË

Kryeemrat e “Scanderbeg”/Aty ku bashkohen Franzen e Murakami me Açkën e Pamukun

10:15 - 16.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Nga rrëfimi i një nëne, te Stambolli kur themelohej republika e Tokio magjepsëse




Tani kemi zbritur në perandorinë e pranimit,

ku portat janë të ngushta,

dhe ne, shndërruar në ajër, hyjmë,

të prekim kudo,

në shpirtin tënd,

ku pafundësia,

për herë të parë na është kufizuar,

nga eternía e mungesës,

që po ndërtohet,

ngadalë,

pa trajtë,

si amebë makabre,

në shpirtrat tanë,

që të duan,

që të deshën,

e do të t’duan pafund,

dhe do të ndalin këtyre brigjeve,

këtij planeti ngjyrëuji,

të flasin sy më sy,

me ty”. Është kjo një prej poezive të Flutura Açkës nga vëllimi i fundit. Nën titullin “Roja e dritës”, shkrimtarja e njohur gjen fletët e bardha si ‘terapinë’ e një jete pa të birin, që e humbi para kohe disa muaj më parë. Mes rreshtave, disa prej tyre të shkruar nëpër spitale, në orët e pritjeve të gjata që jepnin shpresa, ajo rrëfen nënën, rrëfen gruan dhe dhimbjen që bartin të dyja, kur shohin një dritë të bardhë të bukur të shuhet. Në stendën e “Scanderbeg books” ajo është e ulur si çdo vit, duke ruajtur jo vetëm imazhin e një botueseje që përzgjedh, por edhe Fluturën që qëndron në këmbë, pavarësisht se si. Mes titujve të rinj të panairit, ajo ka disa kryeemra që po i shënojmë më poshtë, me bindjen se janë mes më të mirëve që ekspozohen.

HARUKI MURAKAMI

“Murakami, mbase na merr thellë e më thellë në një modernitet të thyer dhe mes banorëve të tij të paqetë, por ai kujdeset për zemrat dhe mendjet, mu ashtu, që ata të ndjejnë dhe të shohin shpirtin rezistent dhe të paepur të njerëzimit”, ka shkruar “The Washington Post”, “I pangjyri Tzukuru Tazaki dhe vitet e tij të pelegrinazhit”, romani i Haruki Murakamit përkthyer nga Artan Kuçi sjell historinë e pesë shokëve të ngushtë në Nagoja. Katër prej tyre, dy vajza dhe dy djem, kishin në emrat e tyre të përfshirë nga një ngjyrë: të kuqe, blu, të zezë dhe të bardhë. I vetmi, ai i pesti, Tsukuru Tazaki, më i flashkëti prej tyre, më i tërhequri dhe më i pasigurti, i mbetet të quhej “I pangjyrti”. Këtë lidhje të fortë mes tyre, ata priren ta mbajnë edhe pasi Tsukuru shkon për studime në Tokio, i joshur nga pasioni i tij i përjetshëm për stacionet e trenave, ku shpesh ulet për të ndjekur dhe këqyrur me orë, valën e njerëzve që lëvizin të shkujdesur ndaj pasionit të tij. Por kuinteti laryshan do të prishet shpejt dhe Tsukuru, tashmë një inxhinier stacionesh hekurudhore, do të mbesë në një stacion të çuditshëm të miqësisë së tij të shenjtë, të tillë që nuk mund as ta imagjinojë, as ta projektojë apo ta zgjidhë këtë enigmë të tij: braktisjen nga miqtë e tij të dikurshëm. Me ndihmën e miqve të rinj, ai do të niset në kërkim të tyre dhe do të përballet me të papritura të çuditshme, të tilla që vetëm në vepra si të Haruki Murakamit gjen dhe të tilla që asnjë lloj fantazie jona nuk mund t’i parashikojë. Muzika, ngjyrat, përshkrimi surrealist, pasione çmendurake, ikje pa destinacion dhe të gjitha shenjat magjepsëse të botës së Murakamit, që lexuesi shqiptar i njeh prej vitesh, vijnë sërish edhe më fuqishëm në këtë kryevepër të magjisë, rrëfimit dhe peizazhit mjeshtëror letrar.

ORHAN PAMUK

Orhan Pamuk flet shqip me “Xhevdet beu dhe të bijtë”, ose atë që njihet si kronika e tij familjare. Romani i përkthyer nga Stefan Vuçani është vepra e parë që autori nobelist, Orhan Pamuk, shkroi. Ishte viti 1979 e kur shkruante këtë vepër, Turqia po kalonte një nga turbullirat më të ashpra politike të historisë së saj; ishin ditët e vrullshme para grushtit të shtetit, përvoja e hidhur e të cilit e përshkon këtë libër. Rrëfimi fillon me rënien e Perandorisë Osmane dhe pasojat e saj, dhe jep një imazh të mrekullueshëm të Stambollit dhe të banorëve të tij për një shekull të tërë. Është Xhevdeti, një prej tregtarëve të parë myslimanë, ai që na përgatit për një botë të tërë imazhesh dhe ndodhish si dhe këtë ortek marramendës idesh dhe kronikash. Ai po bëhet gati që të martohet, ëndërron të zgjerojë biznesin e tij dhe të bëjë pasuri, të krijojë një familje të madhe, madje një familje moderne stambollie me shëmbëlltyrën e jetës perëndimore, ndikim që ka nisur të ndjehet tashmë nëpër ajër. Tregtari ynë ia del të mbledhë kapital dhe të bëhet një qytetar i ri i botës në këtë Republikë të re turke. Me përvojat dhe jetën e pasur të Xhevdetit, të të bijve dhe të nipërve të tij, Pamuk na jep historinë e modernizimit të Turqisë së shekullit të 20-të. “Unë rrija në dritaren time, ndërkohë që miqtë e mi përballeshin jashtë me terrorin. Ndjehesha fajtor që në ato ditë kur qëmtoja për këtë libër, miqtë e mi arratiseshin nga vendi ose futeshin nëpër burgje”, shkruan Pamuk për ditët kur e formësonte këtë vepër, ky prag i parë nga nis jeta e tij e gjatë prej rrëfimtari të madh.

JONATHAN FRANZEN

“Purity” e Jonathan Franzen, romani i përkthyer nga Artan Qoqi nis me një vajzë e re në krye të të njëzetave të saj, që punon si shitëse telefonash dhe po përpiqet fort që të paguajë kredinë e majme që ka marrë për të kryer studimet e saj universitare. Ka për­plasje të shpeshta me të ëmën, Penelopën, e cila ia mban larg së bijës së shkuarën prej fëmije, madje edhe vetë identitetin, me gjithë këmbënguljen e Pipit për të njohur babain e saj natyral. Në Oklënd, në qytetin ku jeton dhe në mjedisin ku gjendet, Pipi do të ndeshë një botë të tërë ngjarjesh politike e sociale dhe jetësh njerëzore, një shtjellë të gjithfarë ndodhish, që do të lënë shenja në jetën e saj dhe pjesë e së cilës do të bëhet, jo si një vajzë pasive dhe e shkujdesur, por si e pranishme dhe aktore e kësaj historie të gjatë dhe të pasur, që përtej një rrëfimi të thjeshtë artistik, është edhe një skaner i të vërtetave histo­rike të shekullit që po jetojmë.

Autori i mirënjohur amerikan, Jonathan Franzen, pas ro­maneve të mrekullueshëm “Korrigjimet” dhe “Liria”, vjen në shqip me një tjetër sagë të qytetërimit të sotëm, një libër që mezi pret ta mbarosh. I cilësuar nga kritika si një nga rrëfyesit më brilant të kohës sonë, ai na fton në një magji rrugëtimi artistik, dhe për lexuesin e tij që tashmë e njeh shqip, ky libër është një prag i ri për në botën e pasur dhe të shqetësuar të këtij autori të mrekullueshëm.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.