KULTURË

Vjen në shqip romani best-seller “Vetëm dëgjo” nga Sara Dessen

12:30 - 16.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sot, në Panairin e Librit, në Stendën e Botimeve “Toena”, u organizua promovimi i romanit “Vetëm dëgjo” i shkrimtares best-seller amerikane, Sarah Dessen.




Ky është libri i tretë i kësaj shkrimtareje që është përkthyer në gjuhën shqipe nga Enkeleida Haxhinasto. Dy librat e tjerë janë “Kjo ninullë” dhe “Dikush si ti”.

Në këtë aktivitet morën pjesë nxënës të shkollave të mesme të Tiranës. Aty u paraqitën edhe book trailer-at e përgatitur nga përkthyesja për të tre librat.

Në letërsinë bashkëkohore, Sarah Dessen, konsiderohet si një yll i letërsisë për të rinj. Sipas gazetës, New York Times, ajo është shkrimtarja bestseller nr.1 e trembëdhjetë romaneve që janë shitur në miliona kopje në mbarë botën.

Librat e saj janë vlerësuar me çmime të shumta dhe janë zgjedhur shpesh në listat e dhjetë librave më të mirë për adoleshentë.

 

“Vetëm dëgjo”

Dessen ka vendosur në fillim të librit një thënie nga Robert Frost. “Zgjidhja më e mirë gjendet gjithnjë përmes thelbit”. Ajo e konsideron këtë si temën kryesore të romanit. Dessen gjithnjë ka pasur prirjen të tërhiqet nga gjërat që e nervozojnë apo që vërtet e trembin.

Por nëse e shmangni problemin,” thotë ajo, “ai bëhet më i madh dhe më i vështirë për t’u zgjidhur. Nganjëherë, mënyra më e mirë është të marrësh frymë thellë dhe të çash përpara. Të paktën në fund çdo gjë do të përfundojë.”

Nëse keni përjetuar një nga eksperiencat më të tmerrshme të jetës suaj gjatë adoleshencës, atëherë duhet ta lexoni romanin “Vetëm dëgjo”, sepse kjo i ka ndodhur edhe personazhit kryesor të librit, Anabelës.

Në romanin “Vetëm dëgjo”, personazhet janë adoleshentë realë me probleme reale që përpiqen të çajnë përpara.

“Vetëm dëgjo” është një roman i shkruar në vetën e parë dhe tregohet nga personazhi kryesor, Anabela Grin. Anabela vendos të mos i hapet njeriut për atë që i ka ndodhur, duke i mbrojtur në këtë mënyrë njerëzit e saj të dashur nga dhimbja. Vetëm kur mëson të dëgjojë zërin e saj të brendshëm, ajo kupton se nuk mund të fshihet më nga e vërteta.

Personazhet përballen me probleme të ndryshme, të tilla si: izolimi social, depresioni, anoreksia etj. Romani “Vetëm dëgjo” analizon se si njerëzit gjejnë zgjidhje për të dalë nga situatat e vështira në të cilat ndodhen.

Një temë tjetër është zbulimi i vetvetes. Të gjithë e dimë shprehjen: “Ajo që nuk na vret na bën më fortë”. Ndonëse personazhet kalojnë situata të tmerrshme, ne shohim se si ata përjetojnë momente të zbulimit të vetvetes.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.