OPINION

Dyfishim investimesh apo dhjetëfishim problemesh?

07:30 - 19.11.18 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lajmi që qeveria po mendon të dyfishojë paketën e investimeve nëpërmjet formulës së Partneriteteve Publik-Privat (PPP-ve) nga një në dy miliardë euro duket si lajm i mirë. Po dyfishojmë investimet publike. Sa mirë, vërtet! Mirëpo, edhe pse si qytetar gëzohem nga ky lajm, si ekonomist nuk arrij dot. Kjo, ngaqë si koncesionet, ashtu edhe kontratat me qasjen PPP mbartin një ajsberg me probleme, nëse nuk qeverisen me ndershmëri, përkushtim e profesionalizëm. Në kushtet e vendit tonë, ky ajsberg shndërrohet në Everest, në një mal të lartë. Po pse? Janë dhjetë arsye për zhvillime tejet shqetësuese në të ardhmen e financave tona publike, me dyfishimin e koncesioneve dhe kontratave PPP që qeveria jonë ka ndërmend të kryejë. Së pari, qeveritë tona që nga viti 2007 e deri tani kanë dhënë kontrata koncesionare tejet të favorshme për biznese të caktuara vendëse (kryesisht mike qeveritarësh firmues kontratash apo kompani me pozicion mbizotërues në treg) dhe zhvilluar tendera jokonkurrues për shumicën dërrmuese të sipërmarrjeve private vendëse dhe të huaja.




Së dyti, ka ndodhur rritje e paargumentuar e shpenzimeve prodhuese ose kostove të shërbimit PPP, për shkak të shmangies së pagesës së taksës mbi fitimin, si dhe rëndim të çmimit fundor mbi konsumatorin ose mbi Buxhetin e Shtetit (sikurse rasti i Partneriteteve Publik-Privat në shëndetësinë publike, si “Check–up” (kontrolli falas për moshat 40-65 vjeç), sterilizimi i pajisjeve spitalore (grupi i instrumenteve kirurgjikale), hemodializa). Së treti, kemi pasur zgjatje të afatit të koncesioneve tej çdo limiti kohor. Së katërti, kemi pasur rëndom ndryshim të kritereve të përzgjedhjes së kompanisë fituese nga ato që i ofrohen publikut shqiptar, apo në shtypin e huaj, me ato në dokumentet e tenderimit. Së pesti, kemi mosarkëtim të garancisë bankare nga koncesioni i dështuar (rasti i privatizimit të dështuar të ‘Albpetrol’-85 milionë euro ende të paarkëtuara në Buxhetin e Shtetit). Së gjashti, kemi afate tejet të shkurtra të shpalljes së ftesave të projekteve koncesionare (praktika botërore i ka mesatarisht 2 vjet; tek ne ka ndodhur shpallja edhe brenda disa javëve!).

Së shtati, kemi mungesë të plotë dhe kronike të diskutimit paraprak publik për të gjitha koncesionet e dhëna deri tani dhe për Partneritet Publik-Privat që kemi dhënë ose do të japim, me gjithë kërkesat e vazhdueshme të FMN-së, Bankës Botërore dhe rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit për transparencë. Së teti, kemi mungesë të strategjive të zhvillimit për sektorët specifikë ku jepet koncesioni apo Partneriteti Publik-Privat, si dhe kontrata koncesionare ose PPP të përgatitura shumë keq, pa tërhequr vëmendjen dhe interesin masiv të kompanive të sektorit apo të kompanive të huaja nga vendet aleate strategjike tonat (Gjermani, Itali, etj.). Së nënti, kemi futje të formave të pazakonta të Partneritetit Publik-Privat (rasti i ndërtimit të 17 shkollave të sistemit parauniversitar në Bashkinë Tiranë, për 6.2 miliardë lekë), duke përdorur si mjet financimi taksa anormale të përkohshme mbi arsimin, duke shmangur konkurrencën në treg dhe duke rritur përfitueshmërinë e pamerituar të lobeve të biznesit dhe koston e ndërtimit të objekteve shkollore në fjalë (sipas një eksperience të ngjashme kroate në Bashkinë e Zagrebit, të konstatuar nga institucioni i auditimit të jashtëm të këtij vendi, kjo kosto aty u rrit mbi 6 herë). Së dhjeti, mospërfshirja e pagesave të Buxhetit të Shtetit për PPP-të në llogaritë e borxhit publik sjell shifra të deformuara të këtij të fundit, duke fshehur rreziqet e vërteta që u kanosen financave tona publike. Këto pagesa për tri vitet e ardhshme 2019-2021 do të jenë mesatarisht rreth 50 milionë euro në vit.

Nëse ato do të përfshiheshin (sikundër është edhe orientimi i BE-së dhe rekomandimi i Gjykatës Evropiane të Audituesve) në përllogaritjet e borxhit tonë publik, së bashku me detyrimin për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe faturat e prapambetura (vetëm për vitin 2017, detyrimi për rimbursimin e TVSH-së ishte 88 milionë euro, ndërsa detyrimet e prapambetura ndaj biznesit për punë të kryera për llogari të shtetit ishin 152 milionë euro), atëherë mburrjes së sotme qeveritare se kemi ulur borxhin publik do t’i binte gjethi dhe do të dilte lakuriq e vërteta se ky borxh po rritet kërcënueshëm. Ja përse këto dhjetë arsye i rrisin dhjetëfish problemet me koncesioneve dhe PPP-ve dhe nuk gëzohemi dot me dyfishimin e investimeve publike në këto forma. Ja përse ky katarakt koncesionesh dhe PPP-ësh po i ngjan një epidemie që ka rënë sot jo vetëm në ekonominë publike të vendit, por që shpejt pasojat negative të së cilës do t’i ndjejmë edhe në ekonominë vetjake të gjithsecilit prej nesh.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.