OPINION

Drita dhe hijet e Skënderbeut tek ansambli “Shota”

07:48 - 22.11.18 Josif Papagjoni*
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jam në festivalin e teatrit ‘Ndryshe’ në Podujevë, edicioni i dhjetë. Regjisori e kritiku Agron Gërguri, që ka simpatinë time për guximin e tij për t’i thënë hapur mendimet na priti mua dhe kritikun dhe shkrimtarin Miho Gjini. I bëmë një vizitë teatrit që mbante emrin “Avdush Hasani”, një nga emrat-mit të teatrit shqiptar në Kosovë. Agroni, racional nga natyra e tij, e kishte tradhtuar veten dhe diç e re ia kishte rrëmbyer mendjen dhe zemrën. Qe shprehja e një emocioni të sinqertë, i një pune të paqme që ishte bërë me rikonstruksionin e teatrit, sikundër edhe disa ide që ai donte t’i bënte realitet së shpejti (një bibliotekë të vogël e sallë leximi, ndofta dhe një holl-kafeteri për artistët). Gëzimi e entuziazmi i tij më jepte shpresën se ky qytet i hapur, pranë kufirit me Serbinë, nesër do gumëzhinte sidomos nga rinia, duke e mbushur sallën e re të teatrit e duke e vjelë gjithë kënaqësinë dhe hirin poetiko-filozofik që teatri jep, si arti më publik, ku perceptuesi shndërrohet në bashkëpjesëmarrës të aktit krijues dhe ku realizohet, ndofta, ndikesa më e thellë e më e jashtëzakonshme në vetëdijen e njerëzve.




E para shfaqje e festivalit ishte premiera “Kumt” e Ansamblit shtetëror të Kosovës, “Shota”. E kisha parë një muaj më parë në skenën e teatrit në Dibër të Madhe dhe diçka pata shkruar për të. Një shikim i dytë përherë është sa i befasishëm, aq dhe verifikues për mendjen dhe shijen e një kritiku, duke shërbyer si një test i njëmendët për vlerat dhe dobësitë e shfaqjes, pasi e papritura e subjektit, e gjetjes, e formës, e vetë performimit shterin si të tillat dhe atëbotë nis e konkurron veçse epërsia e vlerës artistike, s’ke ku strukesh e as mbulohesh dot me të tjera gjëra veç artit si fuqi hipnotike dhe ripërtëritëse. Kur kjo gjë është e arrirë, e pjekur, asiherë bujrum në teatër, ti vjen edhe të dytën herë, edhe të tretën herë e me tej, sepse diçka të re pikas tashmë në interpretim, a në konceptin koreografik, a në valle, a në muzikë etj. Unë mbeta serish i emocionuar dhe i këndellur nga tema e kapur, epoka e madhe e Skënderbeut, e ideuar bukur mirë nga trupa e këtij ansambli bash në vitin e Skënderbeut (2018). Më begatonte aty simbolika e figurës së heroit tonë, e kthyer në mit dhe nord orientimi për kombin tonë etj. Ky subjekt, paçka se i hapërdarë, me mjetet e baletit na erdhi si një ravijëzim i hollë i bëmës së Kastriotit, pra jo si një subjekt i plotë, koherent dhe i tërësishëm. Krijuesit kishin parapëlqyer formën e një mikseri, një farë tabloje koreografike, në mund ta shprehim kështu. Aty gërshetohej, le të themi, një koncept e strukturë koreografike klasike e riaktivizuar përmes një subjekti të thjeshtë mbi jetën dhe veprën e heroit kombëtar me një paketë këngësh e vallesh popullore nga të gjitha trevat folklorike shqiptare. Dhe kjo u përligj bukur si pjesë e “Dasmës së Skënderbeut”. Sa qemë në sallë, ne na rrëmbyen këngët dhe vallet e bukura, të cilat i shoqëruam me entuziazmin tonë duke kënduar së toku, duke rrahur ritmikish shuplakat dhe duke krijuar një ndërkomunikim aktiv skenë-sallë. Gjithë ç’ishin në sallë artistë: Bruno Shllaku, Agron Dizdari, Miho Gjini, Ylber Nuredini, Drande Xhaja, Mimoza Marjanaku, Gjergj Doci, Emin Emini, Shefqet Gjocaj etj., u përfshimë në harenë e shfaqjes. Më rrëmbeu hiri fizik i shtatit dhe lëvizjeve të përpunuara koreografike të valltarit që mishëroi figurën e Skënderbeut, Besnik Graiçevcit, aq i hijshëm si balerin dhe me një portret qe sikur na solli Skënderbeun fare pranë si imazh. Kërcimi dyshe i Skënderbeut (Besnik Graiçevcit) me figurën e një princi, ndofta Lekë Dukagjinit, e interpretuar plot zhdërvjelltësi nga valltari Feim Leka. Me pak linja e nënkuptime heroi ynë kombëtar shprehte e mundësonte kësisoj bashkimin dhe pajtimin mes shqiptarësh, besa-besë për të përballuar hordhitë turke që po vinin. Të dy valltarët me zhdërvjelltësinë e tyre plastike krijuan emocione të bukura. Loja dhe beteja e shpatave ishte diçka domethënëse, ani pse do të kërkohej një dinamikë më e madhe e shoqëruar me laryshi gjestesh e lëvizjesh koreografike të përveçuara, mbase në çifte e grupe në formë historizash e bëmash të mëvetshme. Më pëlqeu muzika e kompozitorit Valton Beqiri, posaçërisht akti i parë, ku ndihej sa dramaciteti, forma marciale, ashtu dhe toni epiko-heroik. Po ashtu, mendimi muzikor ishte fort shprehës edhe në tablonë e fundit, ku ndjehej pështjellimi, pesha e rëndë e pushtimit, humbja e dritës dhe e udhës, sundimi i territ: diçka vërtet e bukur, me një semantikë muzikore tejet të qartë dhe emocionale. Vlerë të veçantë i shtoi shfaqjes edhe kostumografija e Vesa Krajës, e cila solli kostumin tipik verior të burrave-luftëtarë me tirqin dhe përpunimin e xhamadanit, duke lënë të lirë e të dukshme hijeshinë trupore të meshkujve me gjokset, krahët; po ashtu kostumi i burrave nga trevat jugore me fustanellë, dhe sidomos kostumet e hijshme të grave, ajo finesë dhe elegancë, qe sillte aromën kulturore të epokës mesjetare shqiptare, paraturke, fustanet e gjatë e të lëshuara, elegante, qëndistaritë, prerjet. Më la mbresë ndër to kostumi arbëresh, që sikur të sillte ndërmend mjediset tipike të kostumeve evropiane të kohës. Doemos e kuqja dhe e zeza, herë e plotë, si pelerinë grash (e zeza) apo burrash (e kuqja), mëngët e gjera a ravijëzimet në tirqe, fustanet, jelekët, xhamadanët etj., afërmendsh se ishin shprehja e qartë e simbolikës sonë, dyngjyrëshit të flamurit: Kuq e Zi.

Koreografia e Gjergj Prevazit kishte punuar në krijime blloqesh e radhësh me valltarë, për të dhënë dimensionin e gjerë të ngjarjes dhe aspektin popullor: Skënderbeun mes luftëtarëve dhe popullit të tij. Sakaq, përtej një tërësie të menduar mirë, koreografi kishte ndërkallur në trupin e shfaqjes dy episode kuptimplotë, bartës të një mendimi e konotacioni sa simbolik, aq dhe domethënës në rrafshin e asaj çka Gjergj Kastrioti bëri me popullin e vet dhe luftëtarët e tij. E para, teksa prijësit shqiptarë luftonin e përgjakeshin shoqi me shoq, Skënderbeu ndërhynte dhe me shpatën e tij veçonte shpatat e tyre në dasitë dhe armiqësitë mes princave e principatave duke e mbledhur grusht parinë shqiptare në një dorë të fortë trimërore dhe udhëprijëse. Ai i ftonte princat dhe shqiptarët të braktisnin mëritë, përçarjen dhe të rrinin se toku të bashkuar nën komandën e tij kundër shpatave turke, kundër pushtimit. Qe një ide e rrokshme, e bukur dhe me një gjuhë koreografike të hirshme. E dyta ishte lindja e djalit të Skënderbeut me nusen e adhuruar të tij, Donikën (e interpretuar nga balerina e hijshme Artiola Shala). Heroi heq përkrenaren e tij dhe e vendos mbi djepin e djalit të vet. Burra e gra bashkohen rreth djepit dhe përkrenares, e cila ndriçohet nga sipër me një dritë të fortë. bëhet e kuptueshme se përkrenarja e Skënderbeut dhe rrjedha e gjakut si trashëgimtar i mbretërisë, shndërrohet në simbolikën e prirjes dhe prijësit prej idealit kombëtar që Gjergji ynë i Madh nënkuptonte. Do të doja që shfaqja të mbyllej këtu, e mbushur krejt nga drita, nga uniteti, nga shpresa, nga ideali prijës i epokës skënderbejane, si kumti përtëritës i mbijetesës së kombit. Por koreografi pas kësaj skene kishte zhvilluar një episod dramatik: turbullirën, kaosin dhe errësirën që pllakosi Arbërinë pas vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimin tonë 500-vjeçar nga perandoria e zezë otomane, që na solli aq pasoja, vdekje, shndërrime e katastrofa. Kjo është e vërtetë, drita e Skënderbeut humbi përkohësisht sepse koha e pushtimit qe tmerrësisht e gjatë, mundonjëse, gati gëlltitëse e zhbërëse për krejt kombin tonë, me shkatërrimin ekonomik, varfërinë, largimin si mendësi nga Evropa, me konvertimin e frikshëm religjioz (nga të krishterë në myslimanë), me sundimin e paditurisë dhe imponimin e një antropologjie lindore mbushur përplot humnera, golle, zhbërje, shpërndërrime katastrofale, largim nga rrënja e vet etj. Historikisht kjo është e vërtetë, por si strukturë koreografike dhe artistike them se nuk i shkonte karakterit të shfaqjes. Nuk jam për zgjidhje skematike, por nuk do ta çmoja si të tillë një zgjidhje ku drita, shpresa, perspektiva historike nuk errësohen. Se po kaq historike është dhe ana tjetër, që zulma dhe emri i Skënderbeut jo më kot u kap nga arbëreshët e Italisë fillimisht, që qenë jashtë rrethit të pushtimit, më pastaj nga gjithë rilindja jonë, i kthyer në ideal kombëtar prijës. Dhe ishte pikërisht ajo dritë dhe ai ideal skënderbejan që u bë themeli i shtetit shqiptar dhe sot na prin atje ku e kemi realisht vendin, në Evropë, me vetëdijen, kulturën, qytetërimin që ajo përfaqëson. Gjithsesi, shfaqja koreografike ‘Kumt’ e ansamblit shtetëror artistik “Shota” të Kosovës pruri në çelje të festivalit të teatrit “Ndryshe” në Podujevë atë që të gjithë e duam, e përhirojmë, e ruajmë thellë në kujtesën tonë kolektive: Skënderbeun dhe zulmën e tij të patejkalueshme e frymëzuese ndër breza…                                  *Kritik

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.