OPINION

FMN erdhi, pa iku

07:21 - 23.11.18 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më kujtohet nëntori i 22 viteve më parë, i vitit 1996. Fondi Monetar Ndërkombëtar kishte të njëjtin pozicion sikurse e ka edhe sot në raport me qeverinë shqiptare dhe me ekonominë tonë: atë të vëzhguesit, mbi bazën e Nenit 4 të marrëveshjes FMN-Shqipëri. Edhe pse ishim në prag të krizës së fajdeve, raporti i misionit fliste për ekuilibër të qëndrueshëm makroekonomik. Një gjuhë Ezopi, e përdorur në shumë vende të botës rëndom në atë kohë. Fondi bënte kujdes të mos i acaronte marrëdhëniet me qeveritë, që rrezikonin jo pak në politikat e tyre ekonomike. Shumë ujëra kanë rrjedhur që atëherë. Sidomos pas krizës greke të borxhit publik të nëntorit 2011, FMN është bërë më e drejtpërdrejtë dhe gjuha e raportimeve në publik të misioneve të saj, më kurajoze. Kuraja e misioneve të saj bëri që Hungaria për një kohë të mos i pranonte shërbimet e misioneve të Fondit. Po ashtu, qeveria ruse ka treguar pakënaqësi ndaj FMN-së dhe jo në pak raste ka qenë në prag të kërkesës për të larguar misionet e tij.




Në mars të këtij viti, deklarata përmbyllëse e misionit të parë të monitorimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (sipas pozicionit të tanishëm të Fondit në raport me qeverinë tonë, ai mund të bëjë dy misione vëzhgimi në vit), ngriti disa shqetësime madhore. Ajo theksonte: “Duke pasur parasysh nivelin e lartë të borxhit publik (71,2 për qind e PBB-së në fund të vitit 2017, përfshirë edhe detyrimet e prapambetura të qeverisë qendrore dhe vendore prej 1,8 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit, tronditje të tilla negative si ngadalësimi i rritjes ekonomike, i ndërthurur me prime më të larta risku të interesave dhe zhvlerësim të kursit të këmbimit, apo materializimi i detyrimeve të kushtëzuara, mund të japin ndikim negativ te borxhi dhe te qëndrueshmëria e jashtme, çka do të kërkonte një korrigjim të fortë fiskal”. Tetë muaj më vonë, Fondi e zbut gjuhën, megjithëse qeveria jonë është angazhuar në një garë të pashoqe Partneritetesh Publik-Privat (PPP) e koncesionesh.

Ajo ka programuar të kontraktojë me PPP, 3 akse rrugore, 2 aeroporte, 6 shkolla në Tiranë dhe 1 spital rajonal në Fier. Kontratat në fuqi dhe ato të projektuara për vitin e ardhshëm i kalojnë 2.4 miliardë eurot. Megjithatë, FMN rierdhi publikisht (konferenca e pardjeshme për shtyp) në kërkesën e ish-shefit të misionit të saj në Shqipëri, Jens Reinke të fillimvitit, që qeveria të mos pranojë më propozime të pakërkuara për PPP-të, duke vërejtur se ekonomia po performon mirë. Urojmë të jetë vërtetë kështu. Që “devijimet materiale” në informacionet publike të Ministrisë sonë të Financave dhe Ekonomisë lidhur me treguesit kryesorë makroekonomikë (deficiti buxhetor, borxhi publik), të vërejtura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin më të fundit të tij në Kuvend për zbatimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2017, i konsideruar nga vetë deputetët dhe shumë ekonomistë si ndër raportet më profesionale dhe të arrira të këtij institucioni në 7 vitet e fundit, të mos përçudnojnë realitetin tonë ekonomik. Të mos na shesin sapunin për djathë.

Të mos deklarojmë kot se kemi ulur borxhin, se kemi një deficit buxhetor 1.9 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit (PBB), kur në të vërtetë, po të përfshihen detyrimet e prapambetura dhe pagesat për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, ky deficit rritet me gjysmën e tij, shkon 3 për qind të PBB-së!  Fondi mund t’i kishte thënë qeverisë sonë “përfshini pagesat e kontratave PPP në llogaritjet për borxhin publik” (kështu e ka orientuar Komisionin Evropian edhe Gjykata Evropiane e Audituesve në raportin e saj të marsit 2018 për PPP-të në BE), por nuk e tha. Nëse futen kontratat koncesionare PPP të nënshkruara nga qeveria jonë (arrijnë në 12.7 për qind të PBB-së) në llogaritjet për borxhin, ato e çojnë atë në 83% për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit dhe jo 69.9 për qind sa thotë qeveria jonë. Pra, shumë më të lartë se sa vetë shifra e lartë që pranoi FMN-ja se ishte (pra 71.2 për qind) për vitin 2017. Nuk na takon ne të gjykojmë arsyet e kësaj zbutjeje qëndrimesh të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ai erdhi, pa dhe iku.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.