AKTUALITET

Protesta e studentëve, Taulant Muka: Jemi përballë këtij shteti ‘WhatsApp’-i

14:20 - 23.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Ditën e djeshme studentët e universiteteve publike kanë protestuar për uljen e tarifave dhe rritjen e buxhetit për arsimin e lartë. Nën sloganin “Ulni tarifat, rritni buxhetin”, ata nisën marshimin e tyre nga Universiteti Politeknik drejt Kryeministrisë. Përkrah studentëve ka qenë edhe ish-zëvendësministri i Arsimit, Taulant Muka, i cili u dorëhoq disa ditë më parë nga posti.




“Jam shumë i lumtur që studentët janë ngritur në protestë, që shprehin publikisht shqetësimet e tyre, (përballë këtij shteti ‘WhatsApp’-i, që nuk u përgjigjet kërkesave të qytetarëve), ata reagojnë, ata publikisht denoncojnë. Zëri i çdo studenti duhet të dëgjohet në mbarë botën, të dëgjohet në çdo qeveri, të reflektohet te politika dhe politikëbërja, e cila duhet t’i përgjigjet zërit studentor”, – thotë Muka për “Gazeta Shqiptare”. Ndërkohë, vetë studentët shprehen se profesorët shpeshherë iu shesin librat e tyre me detyrim.

“Ne jemi pjesë e lëvizjes ‘Për Universitetin’ dhe kjo lëvizje ka disa vite që është themeluar dhe ka luftuar reformën e arsimit të lartë. Jemi këtu sepse tarifat e Bachelor-it, por edhe të masterit si profesional dhe shkencor janë shumë të larta për nivelin e pagave në Shqipëri dhe për kushtet në të cilat ne jetojmë. Kushtet në konvikte janë skandaloze, mësimdhënia ka shumë çalime, profesorët shesin libra në mënyrë të paligjshme, duke i detyruar shpesh studentët që t’i blejnë librat e tyre. Kështu që përveç faktit që duam të përgjysmohen tarifat, ne jemi këtu gjithashtu për të rritur buxhetin për arsimin publik. Kërkojmë edhe krijimin e një biblioteke, ku studentët të aksesojnë libra”, – thekson Entenela Ndrevataj për “GSH”. Gjithashtu, studentët tregojnë se iu duhet të punojnë për të mbijetuar e xhepi i tyre nuk i përballon tarifat e shkollimit. “Kam dalë të protestoj për padrejtësitë që po u bëhen studentëve në të gjithë Shqipërinë, ku shumica e shokëve e shoqeve të mia nuk kanë mundësi të ushqehen apo të jetojnë në Tiranë, e jo më të vijnë e të paguajnë tarifat e shkollës që janë shumë të larta. Unë personalisht punoj në dy punë dhe e kam shumë të vështirë që në fund të semestrit të parë të jap 300 mijë lekëshin”, – thotë studentja Jetmira Kasemi për “GSH”. Studentët kanë kërkuar mes të tjerash edhe krijimin e një enti botues publik, që boton libra universitarë me çmim të lirë. “Tarifat janë të papërballueshme, e krahasuar me vendet fqinje janë shumë të larta.

Ne urgjent kërkojmë përgjysmim tarifash. Shteti ynë krenohet me rritje 0.1% të rritjes së buxhetit për arsimin. Kjo është e dhimbshme, nuk është se shteti shqiptar nuk ka para për të investuar për universitetet, por është çështje prioritetesh. Mesa duket kanë prioritet betonin e krimin. Vlen të theksoj se kërkojmë edhe krijimin e një enti të një shtëpie botuese publike, e cila të botojë libra universitarë me çmime më të lira dhe të kontrolluara. Çdo ditë hasim në libra pa çmim, pa ISBN, pa kontroll e kjo duhet të ndryshojë”, – thotë studenti Edison Lika për “Gazeta Shqiptare”. Protestës së studentëve i janë bashkuar edhe shumë pedagogë, të cilët kanë kërkuar që qeveria të dëgjojë zërin e studentëve. “Dua të jetoj në një shoqëri më të mirë dhe të punoj në një universitet më të mirë. Për ta bërë këtë nevojitet rritja e subvencioneve shtetërore për arsimin publik, ulja e tarifave që do ta bënte arsimin të ndjekshëm sipas meritave dhe jo sipas xhepave. Kjo është një protestë masive, ndër shumë të tjera dhe ne mendojmë që i gjithë ky vit akademik do të jetë një vit rezistencash, një vit protestash, bllokimesh. Ne duam ta detyrojmë qeverinë që të na dëgjojë, boll ka dëgjuar vetëm oligarkët, duhet të dëgjojë popullin, qytetarët, studentët e pedagogët”, – thekson pedagogu Arlind Qorri për “GSH”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.