Kryesore

Shqiptarët kundër shqiptarëve

14:53 - 23.11.18 Jola Luzaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Protestë. Dhunë. Të plagosur. Përçarje. Akuza. Dështim. Me këto fjalë do të shpjegohej më së miri protesta e zhvilluar ditën e djeshme nga banorët e “Unazës së Re” para Parlamentit.




Si çdo proteste që nis me një kauzë qytetare, pa ndërhyrë nëse është i drejtë ose jo vendimi për prishjen e banesave , merr një mbështetje politike dhe më pas degradon drejt dhunës dhe dështimit.

Çdo forcë politike që do të ishte në opozitë, do të vepronte po sipas të njëjtit skenar të zhvilluar ditën e djeshme dhe po njësoj edhe në rastin e çdo force në mazhorancë. Pikërisht përsëritja e skenarëve dhe me të njëjtët aktore, por në role të ndryshme, ndikon në situatën politike, ekonomike dhe sociale në të cilën gjendemi sot.

Protesta e djeshme na dha një leksion “të ftohtë”: Njerëzit kukulla, teksa politika kontrollon veprimet e tyre. Opozita “rrëmbeu” kauzën e qytetarëve duke e përfshirë në axhendën e saj politike. Pas bojkotit të parlamentit dhe përfundimit shumë shpejt të takimeve me qytetarët, protesta ishte pikërisht në kohën e duhur për opozitën, duke shfrytëzuar pakënaqësitë e banorëve të “Unazës së Re” për të shprehur synimin e vetëm të saj për të ardhur në pushtet. Por, ajo nuk duhet të presë kauza qytetare që të bëhet “e gjallë”. Opozitës i nevojitet një strategji e mirëpërcakuar për t’i bërë oponencë mazhorancës, duke nisur nga pjesëmarrja në parlament, detyrë për të cilën janë zgjedhur. Kurrsesi një forcë politike që fillimisht shprehet se duhet të vij në pushtet, e më pas se ka një platformë, nuk meriton as vëmendjen minimale dhe jo më votën.

Nga ana tjetër mazhoranca, e sigurt deri më tani në mandatet e saj dhe përballë opozitës të dobët, ka si të vetmin shqetësim imazhin e saj. Pas disa muajsh janë zgjedhjet lokale por edhe ato qendrore po afrojnë, kësisoj ajo duhet të ruaj pushtetin me çdo kusht. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është duke kthyer ngjarje të tilla në funksion të synimit të saj kryesor. Duke kaluar nga banorët e Astirit, tek shqiptarët, zbehet kauza e protestës dhe vendoset në një kontekst më të gjerë. Sigurisht përballë disa banorëve, shqiptarët në tërësi përbëjnë prioritet. Gjithashtu duke i trajtuar protestuesit si zaptues, ata që nuk paguajnë taksa dhe detyrime, shqiptarët e tjerë janë ata të rregullt me ligjin e sigurisht ata “të mirët”. Pra, duke përcaktuar në çdo situatë “të mirët” kundër “të këqijve”, mazhoranca sigurisht që përdor kategorinë e parë për të legjitimuar veprimet e saj.

Por, çfarë pamë dje? Pamë policë e qytetarë të plagosur, disa edhe në gjendje të rëndë shëndetësore. Në këtë rast, policia e cila kryente detyrën u përdor nga mazhoranca dhe qytetarët u përdorën nga opozita.  Me siguri, në raste të tjera rolet do të ndryshojnë, por ajo që do mbetet është përballja njeriu kundër njeriut. Politika e njeh shumë mirë shfrytëzimin dhe as nuk di të ndalet, por mjafton që të arrijë qëllimin e saj. Janë ata të vetmit që kanë përfituar dhe do të përfitojnë në çdo rast, kurse shqiptarët të përçarë në dy kampe si “të mirë” e të “të këqij” do vazhdojnë të luftojnë njëri-tjetrin e do të përfundojnë duke luftuar me vetveten, për identitet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.