Homo Albanicus

Pse Rama dhe Basha janë “të ashpër” me ndërkombëtarët

17:05 - 24.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni




Duke pasur parasysh peshën specifike të Shqipërisë në politikën evropiane dhe me gjerë zyrtarët rezidentë diplomatikë të vendeve të huaja duket se janë në një “ishull”, ku e gjithë linja e komunikimit diplomatik, përmes notave, urdhëresave, këshillave dhe sugjerimet është periferike. Paçka ngarkesës që mundohemi t’i japim ne, diplomatët e huaj, janë pa ndonjë peshë të madhe sa i përket ndikimit të rregullimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet e tyre respektive. Përveç vendeve fqinje dhe ndoshta pak vendeve të tjera, që kanë interesa të ngushta me vendin tonë, të paktën, nga reagimi i zyrtarëve të lartë (eprorëve të tyre) ose kumteve të tyre kupton, që puna e diplomacive të tyre në Tiranë është pothuaj e pavërejtshme. Pa e hedhur poshtë punën dhe kontributin e tyre, një njeri i thjeshtë kupton se mbivlerësimi i shqiptarëve për këto institucione është pak si shumë qesharak. Që do të thotë se shqiptarët për çdo hall mendojnë se vetëm ambasada Amerikane mund ta zgjidhë dhe pak të tjerat, por në fakt e vërteta është e thjeshtë. Ne jemi një vend periferik dhe në skaj të gjërave, pa ndonjë rëndësi të madhe në skakierën ndërkombëtare.

Ambasadat e huaja janë të lokalizuara në vende të tjera përfaqësimi për të siguruar imunitet diplomatik dhe për të përfaqësuar interesat e vendit të tyre, si edhe për të siguruar lidhjen me qeverinë e vendit të tyre për probleme të ndryshme dhe qytetarët e tyre. Kjo është arsyeja, që kur priten trazira në vend, ambasadat para se t’u bëjnë sugjerime zyrtarëve të vendit pritës u drejtohen në mënyrë shumë rigoroze qytetarëve të tyre për të patur kujdes. Më shuëm akoma, çdo ambasadë në një farë mënyre është pronë e kombit që përfaqëson. E vetmja gjë e shenjtë që lidhet me të është se çdokush atje nuk mund të preket nga autoritetet, pasi vendi ku ajo është e akredituar nuk mund të cënohet. Irani e provoi kundër SHBA-së, apo kur përfaqësia kanadeze ishte larguar duke merituar urrejtjen e gjithë publikut. Por regjimi komunist nuk guxoi të urdhëronte që të futeshin në ambasadën Italiane, kur u strehua familja Popa, ashtu si Hitleri as nuk e provoi prekjen e ambasadave të huaja, duke u mjaftuar me çmendurinë e tij fatale.

Më idenë tonë: Neutraliteti, ambiguiteti i deklaratave të ambasadorëve, inkurajimi i personazheve të përfolur e ka treguar më së miri këtë ide. Veçse kur pushteti i Berishës kaloi çdo parametër normal ai mori mesazhe të qarta nga ambasadat e vendeve aleate të kishte kujdes, ashtu si shpesh e më shumë indirekt këto mesazhe po i drejtohen direkt zotit Rama. I vetmi që nuk e ka provuar deri tani, në këtë nivel, por që me siguri do ta provojë mund të jetë z. Basha.

Janë përpjekje të pafundme për investime në vend që janë penguar dhe pengohen nga politikanët apo sugjerime të ambasadave për biznese që nuk janë marrë parasysh ose janë marrë ato që s’kanë qenë aq shumë rentabël, saqë e ka ulur realisht vlerën e diplomacisë së huaj në vendin tonë. Ku që prej 100 viteve, diplomati i huaj, qoftë dhe më i parëndësishmi shikohet si guvernator i Shqipërisë.

Kjo e ka bërë kryeministrin Rama dhe më së fundmi edhe Lulzim Bashën që të jenë të neveritur dhe të egër me të huajt. Tek e fundit kanë kuptuar se mënyra sesi i kanë përdorur të huajt dhe reagimi i këtyre të fundit, kur s’janë bërë lojë e tyre, është e hidhur. Në këtë botë të gjithë përdoren, por veçse përdorimi i diplomatëve ka kosto shumë të lartë. E para sepse duhet të kthesh ndere dhe e dyta sepse duhet të mbash premtime. Për të dyja zyrtarët shqiptarë kanë treguar se nuk janë aq të ndershëm. Kjo të vjen ndërmend, kur për 100 vjet me radhë, sillemi me një mentalitet sikur jemi ende koloni dhe jo shtet sovran dhe i pavarur. (Homo Albanicus)


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.