OPINION

Unë nuk jam me banorët e Unazës së Re

07:40 - 24.11.18 Andi Bushati
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Problemi dhe dhimbja e rreth 2000 banorëve që qeveria ka vendosur t’u prishë në mënyrë harbute shtëpitë po zë një vend të ekzagjeruar në debatin rreth asaj që po ndodh me Unazën e Re. Sa falë qëndresës së tyre trejavore, dhunës që kanë hequr mbi kurriz, po aq edhe prej një taktike perfide të qeverisë, çështja po zhvendoset tek dilema se a duhen dëmshpërblyer 100% ata.




Opinioni është ndarë në dysh mes moralit dhe të drejtës ligjore që kanë pronarët e 317 ndërtesave, mbi trojet e zaptuara dy dekada më parë.

Nga njëra anë, Rama po i fryn borive të urrejtjes kundër rrëmbyesve profesionistë si Ramazani, Pali, Gjovalini, të cilët kërkojnë të grabisin fondin e pagave të mësuesve dhe infermierëve.

Nga ana tjetër, kundërshtarët e tij citojnë legjislacionin europian dhe të drejtat e njeriut, që bën përgjegjës shtetin që i ka lejuar ndërtimet informale.

Natyrisht, argumentimi i dytë duket më bindës, më logjik dhe me human, por pavarësisht nga kjo, debati rreth fatit dhe hallit të tyre është vetëm një pjesë e vogël e asaj që po ndodh tek Unaza e Re.

Ai është i ngjashëm pak a shumë me protestën e aktorëve që u ngritën në fillim të gjithë së bashku për mbrojtjen e godinës së teatrit. Ai krahasohet po ashtu me protestën që bënë qytetarët e Kukësit për të kundërshtuar vendosjen e traut në Rrugën e Kombit.

Por sikurse e pamë, qeveria u zbyth, i uli taksën dhe banorët e Kukësit u qetësuan. Erion Veliaj e hapi qesen, i shtoi qokat dhe arriti t’i përçajë aktorët.

Por, pavarësisht se një pjesë e protagonistëve të këtyre revoltave qytetare ndryshuan kahje, problemi i koncesionit të Rrugës së Kombit dhe ai i kullave që do ndërtohen pas teatrit mbetet po aq skandaloz.

Me të njëjtën analogji edhe sot gjithsecili mund të pyesë: po nëse banorët dëmshpërblehen 100%, a mbyllet skandali i Unazës së Re?

Natyrisht që jo.

Sepse në këtë debat më i rëndësishëm se fati tragjik i 2000 të ardhurve në Tiranë, që po i nxjerrin përdhunshëm nga shtëpitë, është grabitja 40 milionë euroshe që po u bëhet të gjithë shqiptarëve së bashku.

Njësoj si Rruga e Kombit apo si teatri, Unaza e Re është një histori vjedhjeje.

Ajo është historia e një projekti që iu “dhurua” qeverisë nga një kompani (Victoria Invest) që më pas fitoi ¼ e milionave të akorduara. Ajo është historia e pranimit pa kontestime të këtij projekti, pa i llogaritur kostot, pa oponencë dhe pa bërë konsultime publike. Ajo është historia e një tenderi të paracaktuar, ku një tjetër kompani, “Vëllezërit Hysa” u paraqit në mënyrë fiktive në garë, sa për ta bërë atë të vlefshme, po pa dorëzuar fare ofertë.

Mjaftojnë këto, edhe pa hyrë në llogaritë e kostove të çmendura, 20 milionë për km rrugë, për të kuptuar se këtu kemi të bëjmë me një skemë grabitqare. Me një vjedhje që i kapërcen kufijtë e imagjinatës.

Sado e dhimbshme njerëzisht, e padrejtë ligjërisht dhe harbute politikisht të jetë ajo që po u ndodh banorëve, kjo tragjedi nuk mund të shndërrohet në kryefjalën e aferës “Unaza e Re”. Fatkeqësisht viktimat e saj janë vetëm efekti kolateral i një grabitjeje që po u bëhet 3 milionë shqiptarëve. Prandaj ata mund të falënderohen se shërbyen si lakmuesi që bënë të duket ky skandal, por protesta kundër tij, tani nuk mund të fokusohet vetëm tek halli i 317 shtëpive (sepse edhe po të imagjinojmë se ai zgjidhet, vjedhja mbetet). Më shumëse po tyre, ajo duhet fokusuar kundër hajdutëve.

Lapsi.al

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.